Imzot Paul Gallagher përfundon sot vizitën në Shqipëri
R.SH. - Vatikan
E sotmja ishte, ndoshta, dita më intensive e vizitës së Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet e me Organizatat Ndërkombëtare në Shqipëri. Paradite, në selinë e Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, imzot Paul Richard Gallagher u takua me krerët fetarë të vendit. Më pas, shkoi në Kuvendin e Republikës për të biseduar me kryetaren e tij, zonjën Lindita Nikolla. Më tej, vizita në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në praninë e rektorit të ri Leonardo Palombi. Pasdite, në orën 16.00, vizita në katedralen ortodokse, në atë katolike dhe në xhamin e Et’hem Beut, në qendër të Tiranës. Nesër paradite, imzot Gallagher niset për në Romë. Por më hollësisht për vizitën në përgjithësi, të dëgjojmë zëdhënësin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, dom Mark Pashkjen…
Le t’i kthehemi shkurtimisht ditëve të kaluara. Kujtojmë se Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet e me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, mbërriti në Shqipëri të premten në darkë, por veprimtaritë e tij në Shkodër, në Rrëshen e në Tiranë u zhvilluan gjatë tri ditëve, duke filluar nga e shtuna, 18 mars e deri më sot, 20 mars.
E diela në Rrëshen
Dje, në Rrëshen, gjatë homelisë së meshës, kremtuar në katedralen “Jezusi, i vetmi Shpëtimtar i botës”, së bashku me ipeshkvin e vendit, imzot Gjergj Meta, me ipeshkvijtë e tjerë të pranishëm, të cilët i takoi veçmas pasdite, imzot Gallagher i inkurajoi besimtarët t’u bëjnë ballë sfidave aktuale me dialog, përvujtëri e mirësi. Kujtoi shembullin e 38 të Lumëve të Kishës Katolike, martirë të komunizmit. "Në një botë ku dhuna, konflikti, rivaliteti dhe gënjeshtra duket sikur mbizotërojnë, prania e të krishterëve u kundërvihet përmes një force me kahe të kundërt, e cila bëhet akt-akuzë për këto vepra të vdekjes", nënvizoi ai, duke i nxitur katolikët shqiptarë të jenë mikpritës, të ndershëm, të gatshëm për të falur dhe për të ndjekur vullnetin e Zotit. Vetëm pranimi i Ungjillit dhe ndjekja e kritereve të tij, theksoi imzot Gallagher, na liron nga skllavëria e mëkatit. Vetëm kështu, bashkësitë e krishtera mund të jenë tharmi i shoqërisë shqiptare, vende ku shdrit drita e Zotit e ku njerëzit edukohen me fe e me vlerat e saj. Të jesh drita e botës është detyrë jo e lehtë, vërejti Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, “se të jetosh kështu, nganjëherë, duhet të paguash një haraç tejet të lartë, atë të jetës, siç e dëshmojnë edhe 38 martirët e Kishës Katolike të Shqipërisë, të kohës së komunizmit, ndërmjet të cilëve është vetëm një grua, e Lumja Marie Tuci, rishtarja e re stigmatine, bijë e trojeve mirditore. Jeta e saj e shkurtër, por plot fe dhe guxim, është inkurajim dhe shenjë shprese për të gjithë ne e veçanërisht për të rinjtë”.
Në reflektimin e tij, duke komentuar leximet e së Dielës IV të Krezhmëve, që njihet si "E diela Laetare (e Galdimit)", imzot Gallagher nënvizoi se "edhe kur situata duket e pashpresë, Zoti ndërhyn, duke i ofruar njeriut shpëtim dhe gëzim". Prandaj, edhe besimtarët katolikë të Shqipërisë, duhet të kenë besim në këtë ndërhyrje të Zotit, që vjen gjithnjë në jetën e secilit “për ta gjallëruar me hirin e tij e për ta shpëtuar”.
E shtuna në Shkodër
Të shtunën, në Shkodër, gjatë meshës së pasdites, në bashkëkremtim me kryeipeshkvin metropolit të Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafrën, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, si edhe me ipeshkvij e meshtarë të tjerë, imzot Paul Gallagher i nxiti katolikët ta shohin me guxim të ardhmen, pa harruar të kaluarën. Kujtoi vështirësitë e persekutimin gjatë komunizmit dhe nënvizoi se pas arritjes së lirisë, e ardhmja duhet të jetë mbrojtja e identitetit si të pagëzuar në Krishtin, pa shkelur ata, që kanë fe të ndryshme, ose nuk besojnë në Zot. Duke i lejuar Jezu Krishtit të veprojë përmes nesh, nënvizoi ai, ashtu siç bëri Nënë Tereza, shenjte, “bijë e popullit shqiptar”, do të jemi në gjendje “t’i zgjasim duart për të prekur me dashuri të vetmuarit, nevojtarët e ata, që na kërkojnë miqësi”. Në Shqipëri, kujtoi ai, feja është mbajtur gjallë në kushte tejet të vështira. Por, pikërisht në vështirësi, ajo u bë më e fortë dhe dëshmia e të krishterëve gjithnjë e më e vendosur. “Sa herë, gjatë së kaluarës ju është dashur ta mbroni me forcë identitetin tuaj si bij të dritës, si të pagëzuar – u tha ai të pranishmëve në katedralen e Shkodrës, para se të shkonte personalisht për të vizituar Muzeun e Martirëve aty pranë – por kjo detyrë është aktuale për secilin prej nesh edhe sot: të mbrojmë identitetin tonë si të pagëzuar e të jetojmë si të pagëzuar”. Megjithatë, kjo nuk do të thotë të shkelim identitetin e të tjerëve, vijoi ai, duke kujtuar se më 2014, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku e vuri në dukje këtë tipar të bukur të shqiptarëve, atë të bashkëjetesës paqësore ndërmjet feve dhe të bashkëpunimit ndërmjet tyre. Së fundi, imzot Gallagher ia besoi Shqipërinë Zojës së Këshillit të Mirë, ashtu siç bëri Papa shenjt Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në vend, në vitin 1993. I uroi popullit shqiptar të shohë drejt së ardhmes, “pa harruar altarët e së kaluarës”, sepse ndërtimi i një shoqërie demokratike është proces, që kërkon vigjilencë të përditshme e bashkëpunim me të gjithë.
Ndërkaq, gjatë takimit të paradites me ministren për Evropën dhe për Punët e Jahstme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, imzot Gallagher theksoi se Selia e Shenjtë mbështet të ardhmen e vendit në Bashkimin Evropian. Shqipëria, nënvizoi ai, duke shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet dypalëshe rifilluar në vitin 1991, “pas një periudhe dhune e tragjedie, shkaktuar nga përjashtimi me forcë i Zotit nga jeta personale” në vendin ballkanik, është ndër përparësitë diplomatike të Selisë së Shenjtë.