Imzot Paul Gallagher: kremtoi Meshën në Katedralen e Shkodrës
R.SH. / Vatikan
Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mbrëmjen e 18 marsit 2023 kremtoi Meshën në Kishën Katedrale të Shkodrës, simbol i ringjalljes së Kishës në Shqipëri, në bashkëkremtim me Kryeipeshkvin metropolit të Shkodër-Pultit e me Nuncin Apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazzit, klerin e vendit e në prani të Popullit të Zotit të kësaj Kishe vendore. Në vijim disa fragmente nga homelia e Kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallaghe:
HOMELIA E MESHËS SË SHENJTË NË KATEDRALEN E SHKODRËS
Mbajtur nga Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, mbrëmjen e 18 marsit 2023
Të dashur vëllezër dhe motra,
I shpreh mirënjohjen Provanisë Hyjnore që, gati 30 vjet pas vizitës historike të Atit të Shenjtë Gjon Pali II në Shqipëri, mundemi ta kremtojmë, së bashku me ju, këtë Meshë të Shenjtë në Katedralen e Shkodrës, "njëra nga kishat më madhështore në Ballkan, shndërruar vitet e kaluara në pallat sporti, rikthyer tani në shkëlqimin e saj të parë e, për këtë arsye, e bërë simbol i ringjalljes së Kishës në Shqipëri”[1], siç pohoi Ati i Shenjtë sllav. Në këtë çast po mendoj edhe për atë murin e famshëm të varrezave tuaja, vend simbolik i martirizimit të shumë katolikëve, ku u kryen dhe ekzekutimet. Në këtë tokë, në kohët më të errëta dhe më të zymta të popullit fisnik shqiptar, "Krishti vuajti në Dëshmitarët e tij: në Ipeshkvijtë dhe Priftërinjtë, në njerëzit e kushtuar e edhe në të gjithë ata që, në tokën tuaj, kaluan përmes përvojës tronditëse të vdekjes (…)[2]”. Gjithsesi, pas përjashtimit të dhunshëm të Zotit nga jeta personale dhe komunitare, erdhën kohët e lirisë dhe të dritës. E pikërisht kjo temët ndjehet fuqimisht në fragmentin ungjillor, që sapo e dëgjuam.
I gjithë tregimi ungjillor i kësa së diele mund të kuptohet duke u nisur nga një pohim i Jezusit: “Derisa jam në botë, unë jam drita e botës" (v. 5). Jezusi është, pra, për çdo njeri drita që ia shndrit jetën dhe e mbush me kuptim. Është Ai që jep dritën e besimit e i verbëri, për të cilin rrëfen Shën Gjoni, përfaqëson njeriun që nuk beson. Megjithatë, Jezusi e shëron: fizikisht e shpirtërisht. Duke lexuar fragmentin, shohim se si "i verbëri i lindur" arrin në dritën e besimit të plotë duke përshkuar një udhë të gjatë dhe të mundimshme.
Jezusi kalon dhe sheh një të verbër, një të varfër, e nuk shkon më tej, por ndalohet, duke iu afruar dhe duke e prekur butësisht. Pastaj e urdhëron: "Shko dhe laju në pishinën e Sìloe". “Ai shkoi, u la e, kur u kthye, shikonte” (v. 7). Shërimi nuk është fryt i ndonjë magjie, përkundrazi, është shumë më i thjeshtë. Mjafton t'i bindemi fjalës së Jezusit...
Në këtë mënyrë do të shërohemi nga verbëria jonë dhe do të kujtohemi edhe për ata, që na rrethojnë. Kështu do të bëhemi të aftë t’i shtrijmë duart tona për të prekur me dashuri ata që janë vetëm, ata që kanë nevojë, ata që kërkojnë miqësi. Me fjalë të tjera, ne do ta lejojmë Jezusin të veprojë Vetë, nëpërmjet nesh. Ashtu siç bëri dhe na mëson të bëjmë bija e popullit shqiptar, Shën Nënë Tereza e Kalkutës, “nëna e të varfërve ndër më të varfërit në botë”[3], siç e quante Gjon Pali II...
..Sa herë në të kaluarën u detyruat ta mbroni me forcë identitetin tuaj si bij të dritës, doemthënë, të pagëzimit. Por kjo detyrë është ende aktuale për secilin prej nesh edhe sot: të mbrojmë identitetin tonë si të pagëzuar dhe të jetojmë si të pagëzuar. Megjithatë, të mbrosh identitetin nuk do të thotë të shpërfillësh apo të shkelësh ata që besojnë ndryshe ose nuk besojnë fare. Vendi juaj ka këtë “karakteristikë të lumtur”, siç e quajti Papa Françesku, i cili vizitoi Shqipërinë gati 9 vjet më parë.
Duke iu kujtuar bashkëjetesën dhe bashkëpunimin paqësor ndërmjet njerëzve me feve të ndryshme, ai theksoi: “Atmosfera e respektit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve është një pasuri e çmuar për vendin dhe fiton një rëndësi të veçantë në kohën tonë në të cilën, nga grupet ekstremiste, kuptimi i vërtetë fetar keqinterpretohet dhe dallimet midis rrëfimeve të ndryshme shtrembërohen dhe shfrytëzohen, duke u bërë faktorë të rrezikshëm ndeshjeje e dhune, në vend që të jenë rast për dialog të hapur dhe respektues dhe reflektim të përbashkët mbi atë që do të thotë të besosh në Zotin dhe të ndjekësh ligjin e tij” [4].
Të dashur vëllezër dhe motra! Ne duhet të shikojmë të ardhmen, pa e harruar të kaluarën, sepse kjo "duket se është tendenca e sotme: t’i kthesh shpejt faqen, duke harruar atë që ka qenë, të shikojmë përpara"[5], siç na paralajmëroi Papa sllav. Jemi të ftuar të shikojmë drejt së ardhmes, duke ndërtuar shoqërinë tonë, sepse ndërtimi i një shoqërie demokratike është proces që kërkon vigjilencë të përditshme dhe bashkëpunim të kujdesshëm nga të gjithë[6], pa harruar altarët e së kaluarës.
Siç e dini, më 26 prill 1992, në këtë vend, Nunci i atëhershëm Apostolik, Imzot Ivan Dias, ia besoi Shqipërinë Zojës së Këshillit të Mirë, aq të dashur për popullin shqiptar. Një vit më pas, Papa Gjon Pali II e përtëriu atë akt besimi bijnor, që shtegtimi i Shqipërisë të vazhdojë gjithmonë nën mbrojtjen e veçantë të Marisë. Sot, pas tridhjetë vjetësh, në përfundim të këtij reflektimi, dua të përsëris fjalët e Tij:
“Zoja e Këshillit të mirë! Ty po ta drejtojmë lutjen e këtij populli, që prej shumë kohësh të do dhe të nderon.
Ty sot Shqipëria t’i drejton shpresat dhe mundimet e veta, dëshirat dhe nevojat e veta, lotët e shumtë të derdhur dhe etjen për një të ardhme më të mirë.
Drejtoje e Nënë, vështrimin tënd mbi këtë popull, pranoji mendimet bujare, shoqëroje në ecjen e tij drejt një të ardhme me drejtësi, solidaritet dhe paqe[7]. Amen.
____________________________________
[1] Papa Gjon Pali II, Shugurimi i katër ipeshkvijve shqiptarë në Katedralen e Shkodrës, më 25 prill 1993, fq. 5
[2] Idem, f. 1.
[3] Papa Gjon Pali II, Mesazh kombit shqiptar, Tiranë, 25 prill 1993, fq. 6
[4] Papa Françesku, Takimi me Autoritetet, Tiranë, 21 shtator 2014.
[5] Papa Gjon Pali II, Mesazh kombit shqiptar, 25 prill 1993, fq. 2.
[6] Shih Papa Gjon Pali II, Mesazh kombit shqiptar, 25 prill 1993, fq. 5.
[7] Papa Gjon Pali II, Regina Coeli, Shkodër, 25 prill 1993. Fq. 2