Imzot Gallagher shkon për vizitë në Shqipëri
R.SH. – Vatikan
Duke filluar nga dita e nesërme, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, do të shkojë për vizitë në Shqipëri. Njoftimi jepet nga Sekretaria e Shtetit të Selisë së Shenjtë përmes një tweet-i.
Imzot Gallagher, që do të qëndrojë në Shqipëri nga 18 deri më 20 mars, është ftuar nga kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës katolike, imzot Angelo Massafra dhe nga ministrja për Evropën dhe për Punët e Jashtme të Shqipëri, Olta Xhaçka.
Programi i vizitës parashikon së pari takimin me ministren, nesër paradite, në Tiranë, së bashku me një deklaratë për shtyp e pastaj, zhvendosjen për në Shkodër, ku imzot Gallagher do të kremtojë Meshën në orën 17.00, në Kishën Katedrale të Shën Shtjefnit dhe më pas, rreth orës 18.30, do të vizitojë Muzeun e Martirëve. Të dielën, 19 mars, ai do të shkojë në Rrëshen, ku në orën 10.30 do të pritet në sheshin “Marie Tuci” para Kishën Katedrale “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës”, që më 9 nëntor 2022 kremtoi 20-vjetorin e kushtimit. Në orën 11.00, imzot Gallagher do të kryesojë Meshën e do të drekojë me ipeshkvijtë dhe me klerin e pranishëm, ndërsa në orën 16.00, do të takohet zyrtarisht me ipeshkvijtë e Shqipërisë. Në mbrëmje kthimi në Tiranë.
Të hënën, më 20 mars, në orën 9.00, në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare do të takohet me krerët fetarë të vendit e, më pas, do të shkojë në Kuvendin e Republikës për t’u takuar, në orën 11.00, me kryetaren e tij, Lindita Nikolla. Gjithashtu, nga ora 11.40 deri në orën 12.30, ai do të vizitojë Universitetin Katolik të Zojës së Këshillit të Mirë, ku do të paraqitet edhe rektori i ri Leonardo Palumbi nga Bashkësia e Shën Egjidit. Pasdite, në orën 16.00, vizita në Katedralen katolike, në atë ortodokse e në Xhaminë e qendrës së kryeqytetit shqiptar. Imzot Gallagher kthehet në Vatikan, të martën paradite, 21 mars.