Kërko

Imzot Gallagher në Rrëshen: martirët, gurrë frymëzimi në jetën e përditshme

Imzot Gallagher kujtoi martirët e Kishës në Shqipëri, gurrë frymëzimi në jetën e përditshme E dimë mirë - kujtoi - se të jetosh kështu ndonjëherë duhet të paguash një haraç tejet të lartë, atë të jetës, siç e dëshmojnë ndërmjet tjerash, 38 martirët e Shqipërisë, mes të cilëve është e Lumja Marie Tuci, rishtarja e re stigmatine, bijë e trojeve mirditore. Jeta e saj e shkurtër, por plot besim dhe guxim, është inkurajim dhe shenjë shprese për të gjithë ne e veçanërisht për të rinjtë

R.SH. / Vatikan

Vazhdon vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher në Shqipëri, shenjë e kujdesit atëror të Papës Françesku për Kishën dhe popullin shqiptar. 

Sot kryeipeshkvi Imzot Paul Richard Gallagher vizitoi Mirditën, vend që historikisht ka qenë gjithnjë i lidhur ngushtë me Selinë e Shenjtë. Një turmë e madhe besimtarësh e qytetarësh, e  prirë  nga Imzot Gjergj Meta, e priti imzot Paul Gallagher në Katedralen e qytetit të Rreshenit, ku kremtoi Meshën në bashkëkremtim me ipeshkvin e kësaj Kishe dioqezane imzot Gjergj Metën dhe në praninë e të gjithë ipeshkvijve tjerë të Kishës Katolike në Shqipëri, e mbajti edhe homelinë, ku preku çshtjet pmë të mprehta të jetës së besimtarëve katolikë.

Pas takimit me ipeshkvin e Rrëshenit Dom Gjergj Meta, Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet u vlerësua në mënyrë simbolike me dhurimin e stemës së qytetit nga Kryebashkiaku Ndrec Dedaj.

Martirët gurrë frymëzimi në jetën e përditshme

Në homelinë e Meshës, fjalët e para të Imzot Paul Richard Gallagher ishin: “Jam shumë i lumtur që mund të kremtoj Meshën Shenjte në këtë Katedrale. Sot kremtojmë të dielën e katërt të Kreshmëve, e cila në kalendarin liturgjik quhet e Diela Laetare – e Diela e Gëzimit! Kjo shprehje vjen nga fillimi i hyrjes në Meshën e sotme: "Lætare Jerusalem: et conventum facite omnes qui diligitis eam: gaudete cum lætitia, qui in tristitia fuistis: ut exsultetis, et satiemini ab uberibus consolationis", Jeruzalem dhe të gjithë ju që e doni, mblidhuni. Gëzohuni dhe galdoni, ju që ishit në pikëllim; mbushuni me të mirat e ngushëllimit".

Ftesa për gëzim, në ditën e gëzimit

Në vijim Prelati i lartë kujtoi se sot Kisha e pezullon atmosferën e Kreshmëve dhe përshkroi harenë e ditës. Këngët e Meshës flasin vetëm për gëzim dhe ngushëllim. Veshjet liturgjike vjollcë zëvendësohen me ato rozë. E arsyeja është dashuria e madhe e Zotit për njerëzimin:

“Edhe kur gjendja duket e pashpresë, Zoti ndërhyn, duke i dhuruar njeriut shpëtim dhe gëzim. Zoti nuk qëndron mënjanë, por hyn në historinë e njerëzimit, “përzihet” në jetën tonë, hyn, për ta gjallëruar me hirin e tij dhe për ta shpëtuar”.

Më pas imzot Gallagher kujtoi Atin e Shenjtë Françeskun që, gjatë lutjes së Engjëllit të dielën Laetare 2018, pohoi:

“Mund të ndodhë që të na pushtojë ankthi, ankthi për të nesërmen, frika e sëmundjes dhe e vdekjes, por kjo nuk duhet të na trembë. Është mirë t’i njohësh kufijtë, dobësitë! Duhet t'i njohim pa u dëshpëruar, por duke ia ofruar Zotit! E Ai na ndihmon në rrugën e shërimit, na merr për dore dhe nuk na lë kurrë vetëm, kurrë! Zoti është me ne dhe për këtë “gëzohemi”, “gëzojmë” sot: “Gëzohu Jeruzalem”, thotë ai, sepse Zoti është me ne”[1].

Ne të krishterët kemi një marrëdhënie të veçantë me Perëndinë, e krijuar falë sakramentit të Pagëzimit – vijoi Prelati i Lartë - Ungjijtë e të dielës së tretë, të katërt dhe të pestë të kohës së Kreshmëve na bëjnë t’i thellojmë shenjat e pagëzimit: të ujit, të dritës, të jetës.

Drita dhe errësira - ballë për ballë

Drita dhe errësira janë ballë për ballë në fragmentin e sotëm të Ungjillit – kujtoi më pas Imzot Gallagher - Një njeri i prekur nga verbëria e pandreqshme,  shikohet nga shoqëria  si personifikim simbolik i gjendjes së mëkatit, në të cilin gjendet njeriu ende i pa "ndriçuar" nga Krishti: “Vetëm takimi me Krishtin - Drita e botës, Drita "që ndriçon çdo njeri" (Gjn 1:9) – ia heq velin nga sytë, e përtërin njeriun, ia rikthen dinjitetin e plotë, e lejon të shohë shkëlqimin e gjërave dhe të shijojë përsëri aromën e re të jetës”.

Rrëfimi i Ungjillit për "të verbërit e lindur" – vijoi Prelati i lartë - është interpretuar gjithmonë në këndvështrimin e pagëzimit. Pagëzimi është pishina jonë e Siloamit, kalimi nga errësira në dritë, çasti i ndriçimit. Që në kohët apostolike i pagëzuari quhej "i shndritur", titull që shprehte gjendjen e tij të re. Të bashkohesh me Krishtin-Dritë do të thotë të fitosh aftësinë për të parë me sy të rinj realitetin e Zotit, misterin e njeriut dhe të historisë:  

“I pagëzuari hyn në zonën ndriçuese të Krishtit-Dritë, që e nxit atë, siç shkroi Papa Gjon Pali II në Nxitjen Apostolike Catechesi tradendae, "ta shohë historinë si Ai vetë, ta gjykojë jetën si Ai, të zgjedhë dhe të dojë si Ai, e ta jetojë në Të bashkimin me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë”[2].

Shën Pali na këshillon kështu në leximin e dytë, marrë nga letra drejtuar Efesianëve: "Ishit në errësirë, tani jeni dritë në Zotin, prandaj silluni si bij të dritës, duke u përpjekur të kuptoni atë që i pëlqen Zotit". E përmbledh në këtë shprehje - "Ishe në errësirë, tani je në dritën e Zotit" - rrugën e pagëzimit, rrugën që e bën të penduarin të jetë krijesë e re në dritën e Jezusit.

Të zgjedhur nga Zoti në një mënyrë absolutisht të lirë, të pagëzuarit marrin shenjtërimin mbretëror të Shpirtit, i cili përshkon gjithë qenien e tyre, siç dëgjuam në leximin e parë nga Libri i parë i Samuelit dhe u jep dritën e fesë. Dhuratë që shndërrohet sakaq në detyrë për ta bërë të dukshme në jetën tonë risinë e dhuruar nga pagëzimi:

“Nëpërmjet pagëzimit thirremi të jemi dritë në Zotin, të jemi burim drite, të prodhojmë ato fryte që Shën Pali i  quan "mirësi, drejtësi dhe e vërtetë".

Mirësia dhe konflikti, ballë për ballë

Në një botë ku dhuna, konflikti, rivaliteti dhe gënjeshtra duket se kanë përparësinë, prania e të krishterëve i kundërvihet forcës së kundërt duke u bërë akuzë kundër këtyre veprave të vdekjes. Mirësia është jetë dashurie, pranimi, gatishmërie, faljeje. Drejtësia - ndershmëri dhe pranim i vullnetit të Zotit. E vërteta - respektim i Ungjillit dhe kritereve të tij, mundësi për të qenë të lirë nga gënjeshtra e mëkatit dhe skllavëria e tij:

“Janë këto që ne si të krishterë mund t'ua ofrojmë shoqërive tona, edhe kësaj shoqërie shqiptare. Jemi të ftuar çdo ditë të kujtojmë pagëzimin dhe të sigurohemi që familjet tona dhe komunitetet tona të krishtera janë vërtet vende ku ka dritë dhe ku edukohemi në fe e në vlerat e saj”.

Megjithatë, ne duhet të dimë se qëllimi për të qenë dritë nuk realizohet kurrë plotësisht, sepse gjithmonë ka zona plot me  hije, të papërshkueshme nga drita. Por nuk duhet të na lëshojë kurrë zemra dekurajohemi, përkundrazi, duhet të gëzohemi sepse Zoti është me ne, duke mos harruar t'u përgjigjemi sfidave të kohës sonë me qëndrim të përvuajtur dhe me dialog të ndjekur nga gjeste dashamirësie dhe mirëkuptimi të madh ndaj të gjithëve.

Flijimi i Martirëve frymëzon ditët tona

Së fundi Imzot Gallagher kujtoi martirët e Kishës katolike të Shqipërisë, gurrë frymëzimi në jetën e përditshme të besimtarëve katolikë shqiptarë e jo vetëm. E dimë mirë - kujtoi imzot Gallagher - se të jetosh kështu ndonjëherë duhet të paguash një haraç tejet të lartë, atë të jetës, siç e dëshmojnë ndërmjet tjerash, 38 martirët e Kishës katolike të Shqipërisë, të kohës së komunizmit, mes të cilëve është vetëm një grua, e Lumja Marie Tuci, rishtarja e re stigmatine, bijë e  trojeve mirditore. Jeta e saj e shkurtër, por plot besim dhe guxim, është inkurajim dhe shenjë shprese për të gjithë ne e veçanërisht për të rinjtë. Amen!

Shtegtimi i Imzotit Gallagher vijon…

Sot në orën 16.00, gjithnjë në ambientet e selisë dioqezane të Rrëshenit Imzot Paul Gallagher takohet zyrtarisht me ipeshkvijtë e Kishës katolike të Shqipërisë. Në mbrëmje kthimi në Tiranë.

Në kryeqytetin e Shqipërisë vizita e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, Imzot Gallagher nesër, më 20 mars, në orën 9.00, ka në porgram vizitën në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, takimin me krerët fetarë të vendit e, më pas, do të shkojë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për t’u takuar, në orën 11.00, me kryetaren e tij, Lindita Nikolla. Gjithashtu të hënën më 20 mars, nga ora 11.40 deri në orën 12.30, imzot Gallagher do të vizitojë Universitetin Katolik të Zojës së Këshillit të Mirë, ku do të paraqitet edhe rektori i ri Leonardo Palumbi nga Bashkësia e Shën Egjidit. Pasdite, në orën 16.00, vizita në Kishën Katedrale katolike, në atë ortodokse dhe në Xhaminë e qendrës së kryeqytetit shqiptar. Imzot Gallagher kthehet në Vatikan, të martën paradite, 21 mars.

Vizita e një personaliteti kaq të lartë të Selisë së Shenjtë në Shqipëri, është rast i jashtëzakonshëm jo vetëm për të vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera e historike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, por edhe  çast i lum për të prekur nga afër kujdesin atëror të Papës Françesku për Kishën dhe popullin Shqiptar.

 

19 mars 2023, 14:55