Kërko

Imzot Frisina: muzika kishtare është pjesë përbërëse e liturgjisë

Drejtori i korit të Dioqezës së Romës flet për broshurën numër 14 të serisë 'Quaderni del Concilio' (Fletoret e Koncilit), porositur nga Dikasteri i Ungjillëzimit për Jubileun 2025, sipas porosisë së Papës Françesku. “Koncili II i Vatikanit na kujton se kënga është çast i lutjes së përbashkët të besimtarëve”- thekson.

R. SH. - Vatikan

Seria 'Quaderni del Concilio' e porositur nga Dikasteri për Ungjillëzimin, me porosinë e Papës Françesku, në funksion të Jubileut 2025, vijon të ngjallë interes. "Ide gjeniale " - e quajti në Telepace drejtori i Korit të Dioqezës së Romës, Imzot Marco Frisina, duke shpjeguar se nisma editoriale, e botuar nga  Shtëpia botuese Shalom,  na nxit ta përfundojmë udhën konciliare, që deri tani vetëm është skicuar, edhe pse kanë kaluar gjashtëdhjetë vjet.

Muzika në liturgji

“Më kërkuan të komentoja kapitullin e gjashtë të kushtetutës ‘Sacrosantum Concilium’” - shpjegon imzot Frisina - duke kujtuar, në vijim, se e gjithë reforma e muzikës liturgjike nisi nga shprehja e Shën Piut X, që e pati quajtur muzikën ‘lavdia e Zotit dhe shenjtërimi i vëllezërve’. Shprehje sa e lashtë, aq edhe sintetike, që flet qartë për rolin e muzikës në lutje, sipas Koncilit. “Kisha - vëren mjeshtri - është shumë kërkuese në këtë drejtim, megjithëse kjo hapësirë ​​ndonjëherë i lihet improvizimit; herë të tjera bëhet më shumë shfaqje, se lutje; e akoma, herë të tjera shndërrohet në një lloj vitrine”.

Muzika ndërton ura

Muzika ka aftësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar ura, në atë që Papa e quan shumë shpesh 'Kishë në dalje”. Por - duke ndjekur fjalët e imzot Frisinës - çka ka më shumë rëndësi këtu, është të kuptojmë se "muzika shërben për t’u hapur besimtarëve zemrat dhe për t’i bërë të rrahin veç për Zotin në lutjen e përbashkët”. Me fjalë të tjera, ka në bazë kanonet e posaçme, të bazuara mbi fjalën e Zotit, mbi besimin dhe mbi konceptin e pjesëmarrjes, tipike për Koncilin. Imzot Frisina përsërit se ka një përmasë vertikale dhe një, horizontale: "Ka lavdërimin e Zotit, që duhet të arrijë në nivelin më të lartë të ekzekutimit, por është edhe çasti i shenjtërimit të vëllezërve, në të cilin takohemi, duke u lutur me të tjerët në një shtegtim të përbashkët”. Me pak fjalë, në kishë nuk këndohet as nuk luhet 'vetëm'. Dhe broshura në fjalë nënvizon arsyet për këtë, duke dhënë informacion të vlefshëm jo vetëm për besimtarët, por edhe për gazetarët dhe operatorët mediatikë të përfshirë në transmetimin e festimeve. "Muzika kishtare është  pjesë integrale e liturgjisë" - thekson Mjeshtri - e jo shtesë e saj, thjesht për ta bërë atë më festive, më të gëzueshme për besimtarët, për të zgjidhur problemin e çdo "mërzie" të shkaktuar nga përsëritja rituale. Nëse muzika është pjesë përbërëse e liturgjisë, do të thotë se ajo vetë është liturgji, se nuk është stoli që i shtohet ritit, por që jep ndihmesën e vet për ta jetuar Misterin e shëlbimit. Pyetja që duhet t'i bëjmë vetes është se përse, gati 60 vjet pas Koncilit, ne ende e konsiderojmë muzikën si pjesë plotësuese të liturgjisë, si shtesë që, si pasojë, "meriton" pak vëmendje.

Harmoni themelore

Shenjtëria e muzikës varet nga marrëdhënia e saj me kremtimin liturgjik, pra, këngët, meloditë, çdo fjalë e kënduar duhet të bëhet element integral dhe autentik i kremtimit. Harmonia ndërmjet gjuhëve të ndryshme liturgjike ka rëndësi themelore: muzika, fjala, gjesti duhet të mbështesin njëra-tjetrin, duke ngjallur të njëjtat mendime dhe ndjenja në shpirtin e atyre që e ndigjojnë e edhe e këndojnë! Muzika duhet t'u përmbahet teksteve, të jetë në harmoni me kohën dhe çastin liturgjik, të korrespondojë me gjestet liturgjike. “Çastet e ndryshme liturgjike, kërkojnë shprehjen e tyre muzikore, për të nxjerrë në pah natyrën e duhur të ritit, duke shpallur mrekullitë e Zotit, duke i lartuar shpirtrat herë me himne lavdërimi, herë tjetër, përgjërimi, e herë trishtimi për përvojën e dhimbjes njerëzore”. (Gjon Pali II, Kirografi për njëqindvjetorin e Motu Proprio "Midis solicitudes" mbi muzikën e shenjtë (22 nëntor 2003, n. 5).

Shën Agostini e muzika kishtare

Edhe Shën Augustini e deshi shumë muzikën. Gjuha e muzikës – vijon të na kujtojë - na flet me durim, është pedagogji që e kuptojmë pak nga pak e që duhet ta lëmë të veprojë brenda nesh. Atëherë do të mund të rrjedhin ata lot, që na pastrojnë shpirtin! Prej këndej, thirrja psalmike: “Këndojini, këndojini Zotit!”. Thirrje që, siç na kujton shën Agostini, të prek deri në lot e të ndihmon t’i lash pikërisht me lot, të gjitha mëkatet, duke ndjerë fare pranë dorën e Zotit, larg nga tundimi për të provuar vetëm kënaqësinë estetike, në vend që të jetosh për ca çaste në prag të portës së Parajsës! Kush këndon, lutet dy herë - na kujton Shenjti - porosia e të cilit vjen nga thellësitë e kohës, për t’u kujtuar muzikantëve se Jubileu i ri ka nevojë edhe për tinguj të ri e këngë të reja!

31 mars 2023, 16:07