Gallagher: individualizmi dhe utilitarizmi e shpërfytyrojnë demokracinë
R.SH. – Vatikan
Çfarë është demokracia dhe çfarë duhet bërë për ta ruajtur atë? Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, foli për këtë në lectio magistralis "Demokracia sipas urtisë së Papëve, në skenarin aktual ndërkombëtar", në kuadrin e konferencës "Demokracia për të mirën e përbashkët. Çfarë bote duam të ndërtojmë?”, organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore të Universitetit Papnor Gregorian.
“Negative politics”
“Fatkeqësisht, - vërejti imzot Gallagher – sot, duket sikur është e ashtuquajtura ‘negative politics’ (politikë negative), që udhëheq sovranitetin popullor, garantimin e lirisë dhe të barazisë së gjithë qytetarëve”. Ajo shprehet thjesht në kundërshtimin dhe delegjitimimin e propozimeve të tjetrit, çfarëdo qofshin ato, për të arritur synimet personale dhe konsensusin, pa pyetur për bashkimin e unitetin. “Individualizmi dhe utilitarizmi duket sikur janë të vetmet përgjigje ndaj dëshirës për lumturi, duke konsoliduar kështu, strukturat e demokracisë së rreme”. Duke analizuar ndikimin e krishterë në formimin e demokracisë, kryeipeshkvi kujtoi se Charta Caritatis e vitit 1119 mund të konsiderohet manifesti i parë për një bashkëjetesë civile demokratike, pasi nënvizon shërbimin për të krijuar bashkim në gjirin e popullit.
Aty ku shoqëria ecën me nxitim mbizotëron politika e mërive
Imzot Gallagher reflektoi mbi fenomenin e zhvendosjes së njerëzve, i cili mund të krijojë thjesht grumbullime peronash, që ndihen të huaj për njëri-tjetrin e, madje edhe konkurrentë e deri armiqësorë. Denoncoi veçanërisht nxitimin e epokës sonë, për shkak të të cilit bëhen të pamundura ndryshimet e vërteta. Procesi demokratik kërkon kohë, pasi është domosdoshmërisht shumështresor: duhen përfaqësuar e shoshitur argumentet e të gjithëve. Pasojat janë të qarta, sipas imzot Gallagher: "Në politikën moderne, edhe më shumë se në të kaluarën, vendimet e ardhshme nuk merren mbi bazën e forcës së argumentit më të mirë, por mbi bazën e mërive, ndjenjave instiktive, metaforave dhe imazheve sugjestive". Politikanët dhe grupet fitojnë zgjedhjet, sepse janë "cool" (të lezetshëm), jo pse kanë ide, programe apo teza të menduara mirë”.
Urtia e Papëve
Imzot Gallagher vuri në dukje kontributin e Papëve për të krijuar një konceptim të demokracisë, që respekton individët dhe popujt. Filloi që nga Leoni XII, për të kaluar tek Piu XII, i cili vuri në dukje se kriza e totalitarizmave u shkaktua nga përjashtimi i Zotit nga doktrina e praktika e bashkëjetesës shoqërore, duke e shkelur këshu me këmbë karakterin e shenjtë të njeriut, qendër e rendit shoqëror. Reflektimet e këtij Pape, vërejti imzot Gallagher, ndihmuan që doktrina shoqërore e Kishës ta përvetësojë plotësisht demokracinë e që enciklikat shoqërore të mëvonshme të ecin në këtë rrugë. Më pas, ai kujtoi kontributin e Papës Gjoni XXIII, të Papës Gjon Pali II, për të mbërritur tek Papa Françesku, i cili që kur ishte kardinal, në vitin 2011, shkroi për degjenerimin e politikës, për boshllëkun e demokracisë, për krizën e elitave. Nga qëndrimet e Papës së ardhshëm argjentinas, kuptohet menjëherë rëndësia, që ai i jep etikës, e cila është përgjegjësi e të gjithëve, “veçanërisht e qeveritarëve, që duhet të impenjohen për kapërcimin e gjendjeve të papranueshme e të paqëndrueshme”. Papa Françesku propozon që demokracia të ndërtohet duke prekur tema themelore, duke siguruar pjesëmarrjen e të gjithëve dhe duke u kujdesur për perspektivën sociale. Ai thekson nevojën për të mos u kënaqur me një "demokraci me intensitet të ulët", siç tha në Greqi, në vitin 2021, ku nënvizoi se ilaçi për rigjallërimin e demokracisë nuk është kërkimi me çdo kusht i popullaritetit, ose etja për dukje apo shpallja e premtimeve të parealizueshme, por politika e mirë e kuptuar si përgjegjësia më e lartë e qytetarëve për të mirën e përbashkët, arritja e së cilës është “art” më vete.
Demokracia: sistem në zhvillim i diskutimit të lirë
“Demokracia nuk e përjashton aspak opozitën politike, ekonomike, shoqërore, fetare, ideologjike: përkundrazi, ajo jeton prej saj”, shpjegoi më tej imzot Gallagher, i cili nënvizoi se nuk mund të ketë demokraci në një komb, që nuk bashkohet rreth vlerave dhe synimeve të përbashkëta. Por demokracia është gjithnjë në rrezik. Shumica, vërejti kryeipeshkvi, mund të bashkohet edhe rreth një programi për shfarosjen e kundërshtarëve, por a mund të quhet kjo demokraci? Ajo pra, nuk i reziston çdo tensioni, çdo padrejtësie. Duke folur për arkitekturën e demokracisë, imzot Gallagher vuri në pah tre elemente, që duhet të ndërveprojnë, përndryshe sistemi shembet: baza teorike, struktura shoqërore, struktura juridike. “Shteti – theksoi ai - është struktura juridike e gjithë kësaj shoqërie, por nuk e asimilon atë: vetëm e drejton, e koordinon, e integron dhe, kur është e nevojshme, e zëvendëson”.
Tri patologji të demokracive moderne
Pra, janë gjithnjë qytetarët, që e ushtrojnë pushtetin në një demokraci të vërtetë. Ata nuk ia delegojnë atë strukturave shtetërore, të cilat vetëm i përfaqësojnë, si të zgjedhura me votë të lirë. E megjithatë, demokracitë moderne kanë sëmundjet e tyre, si ndarja e konsensusit nga e vërteta, degjenerimi oligarkik apo lobist i demokracisë, si edhe devijimet asistencialiste e burokratike të shtetit social. Konsensusi, përfundoi imzot Gallagher, duhet arritur vetëm mbi bazën e së vërtetës dhe të idealeve të përbashkëta, për të cilat krejt shoqëria duhet të jetë e bindur e t’i ketë bërë të vetat. Duhen promovuar virtytet civile e kjo është detyrë e qeveritarëve, pasi alternativa e demokracisë është tirania.