Kërko

Uno scorcio della cattedrale di Vilnius Uno scorcio della cattedrale di Vilnius

Feja e popujve baltikë, në konferencën kushtuar bamirësisë politike

Në një takim të organizuar nga Shoqata Ndërkombëtare e së Drejtës Papnore, folën kardinalit Koch dhe disa anëtarë të trupit diplomatik akredituar në Selinë e Shenjtë. Themeluesi i institucionit, profesor Alfredo Luciani: nuk duhet të ketë Perëndim e Lindje që i kundërvihen njëri-tjetrës! Evropa duhet të jetojë në paqe e marrë përsëri frymë me "dy mushkëritë", sipas urimit të Shën Gjon Palit II

R.SH. / Vatikan

Shoqata Ndërkombëtare e Bamirësisë Politike është organ i së drejtës papnore, i njohur si ent moral nga shteti italian. Detyra e saj është të lidhë Ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë, të nxisë bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe të organizojë takime për studimin e thelluar të problemeve të natyrës ndërkombëtare.

Përballë ngjarjeve të reja të luftës, Evropa kërkon një shtytje të re, duke nisur nga rrënjët e saj shpirtërore dhe kulturore. Gjon Pali II pati pohuar se Evropa duhet të marrë frymë përsëri me "dy mushkëritë", lindore e perëndimore. Prandaj është e rëndësishme që Evropa, me të "dyja mushkëritë", të bëhet sovrane, e bashkuar, demokratike.

Bamirësia Politike nuk mund të mos e pranojë projektin entuziazmues të ndërtimit të një Evrope të paplotë. Një vepër e tillë ka vlera të shumëfishta. Por hapi i parë i krijimit të çdo bashkësie është, mbi të gjitha, krijimi i asaj vetëdije planetare, që sot duhet të marrë formën e një etike politike ndërkulturore. Etikë që, pa zëvendësuar pluralitetin e kulturave dhe të feve, arrin t’i bashkojë kombet mbi disa kritere bazë, që mund t’i drejtojnë zgjedhjet dhe sjelljet politike të qeverive dhe të popujve

Me afrimin e Vitit Jubilar 2025, për të promovuar dhuratën e paqes, Bamirësia Politike ka vendosur të angazhohet në nisma të rëndësishme paqeje. Në të njëjtën kohë shpalli synimin e saj për të krijuar "Grupin e rithemelimit evropian" të ndarë në tri kategori, të cilat, në forma të ndryshme, janë të pranishme: diplomacia, feja, emigrantët. Por reflektimi i përbashkët ka si objekt mbrojtjen e paqes. Është, prandaj, takim mes njerëzve, që janë të bindur se ndërtimi i paqes nuk do të vijë nga forca e armëve, por nga kthesa e  zemrave dhe pranimi i njëri-tjetrit.

Ky "Grup i Rithemelimit Evropian” bën thirrje për përgjegjësi. Përbëhet nga ambasadorë, prijës të bashkësive të krishtera dhe të feve kryesore të botës, e edhe nga përfaqësues të bashkësive të emigrantëve të pranishëm në Romë.

Këta tre subjekte janë, pra, si “ shtegtarët e paqes” në rrugën e tyre drejt Jubileut të Pajtimit në Kishë dhe në shoqëri. Ky shtegtim bëhet rast i frytshëm për Bamirësinë Politike, që të mund të hapë kantiere për zhvillimin e gjithanshëm të diplomatëve dhe të mund ta bëjë fenë shpirt të vlerave të qytetërimit në shumë aspekte: kulturë, angazhim social dhe politik.

Është marrëdhënie e rëndësishme, që krijon mundësitë e njohjes dhe të vlerësimi të anasjelltë me emigrantët, mundësi jashtëzakonisht të dobishme për kapërcimin e paragjykimeve dhe mendjengushtësisë. Përmes veprimtarisë së mirëseardhjes dhe të dialogut, diplomacia, feja dhe imigrimi mund t'i ndihmojnë njerëzit për të krijuar ardhmërinë e re.

Për të arritur këto objektiva, Roma përfaqëson vazhdimisht një pikëmbështetje kryesore. Në gjirin e saj, që nga zanafilla e historisë së Kishës, u mirëpriten si vëllezër bijtë e Lindjes së Afërt e, më vonë, edhe ata të Evropës Lindore. Prej këndej, shprehja: “Kisha e Romës merr frymë me dy mushkëritë”, atë të Lindjes dhe atë të Perëndimit dhe, me idealin e saj të unitetit, përqafon mbarë botën. Vështirë të mohohet kjo vlerë!  

Sfida e madhe mbetet vënia në jetë e premtimit të vjetër të Bashkimit Evropian, për të krijuar kështu një të ardhme begatie, barazie dhe drejtësie për të gjithë qytetarët evropianë. Nën dritën e një Rome shembullore në botë.

Si përfundim, nuk mund të injorohet trashëgimia e pamohueshme e krishterë e këtij kontinenti, e cila ka kontribuar fuqimisht në formimin e Evropës së kombeve dhe Evropës së popujve. Nuk duhet të ekzistojnë më  Lindja dhe Perëndimi Evropian, që i kundërvihen njëra-tjetrit, por një Evropë e vetme, në të cilën kombet e veçanta të integrohen reciprokisht për një bashkëjetesë paqësore, që buron nga ndërgjegjja e popujve të tyre, dhe për këtë arsye është më e vërtetë dhe më e qëndrueshme sesa bashkëjetesa që bazohet vetëm mbi rehatinë, qoftë politike, ekonomike apo diplomatike.

 

24 mars 2023, 12:10