Kërko

La Conferenza sui rapporti tra cattolici ed ebrei all'Angelicum, 2 marzo 2023 La Conferenza sui rapporti tra cattolici ed ebrei all'Angelicum, 2 marzo 2023

Dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet hebrenjve e katolikëve pas Koncili II të Vatikanit

Në Universitetit Papnor të etërve domenikanë ‘Angelicum’ në Romë u mbajt takimi me titull "Katolikët dhe hebrenjtë pas Koncilit të Dytë të Vatikanit: vlerësimi për të ardhmen" me pjesëmarrjen e profesorëve Ben-Johanan dhe D'Costa

R. SH. - Vatikan

Sfidat me të cilat përballen hebrenjtë dhe katolikët në dialogun dhe bashkëpunimin pas Koncilit të Dytë të Vatikanit ishin në qendër të konferencës me titull "Katolikët dhe hebrenjtë pas Koncilit të Dytë të Vatikanit: vlerësimi për të ardhmen" që u mbajt dje, më 1 mars, në Universitetin Papanor Angelicum të Romës. Konferenca është pjesë e një kuvendi më të madh mbi marrëdhëniet katoliko-hebraike, organizuar nga Universiteti Papnor i Shën Tomës (Angelicum) në Romë, Instituti për Studime Ekumenike dhe Qendra Gjon Pali II për Dialogun Ndërfetar.

Dialog më i madh midis hebrenjve dhe katolikëve

Në takimin e djeshëm folën profesor Gavin D'Costa nga Universiteti Papnor i Shën Tomës Akvinas në Romë (Angelicum) dhe profesoresha Karma Ben-Johanan nga Unversiteti i Jerusalemit, e cila pyeti se pse katolikët e Japonisë, të Indisë, Pakistanit, të cilët nuk kanë takuar kurrë hebrenj, duhet të kujdesen kaq shumë për historinë hebraiko-kristiane. "Sepse Jezusi ishte hebre – u përgjigj ajo -. Sepse Bibla hebraike është pjesë e kanunit katolik dhe sepse Pali Apostull dhe magjisterin i Kishës pohojnë në mënyrë të qartë se besëlidhja ndërmjet Hyjit dhe hebrenjve është përfundimtare dhe e parevokueshme". 

Studiuesja, duke folur me Vatican News - Radio Vatican, më pas nënvizoi rëndësinë e hapjes së një dialogu me njerëzit që deri më tani nuk kanë dashur të përfshihen në këtë fushë. Dhe e vetmja mënyrë për të zhvilluar një dialog të vërtetë hebraiko-të krishterë dhe jo vetëm "biseda të vogla ndërmjet përfaqësuesve" do të ishte përfshirja e të gjithë komunitetit hebraik dhe e gjithë komunitetit katolik, tha Ben-Johanan. “Shpresoj të shoh më shumë dialog në fusha e vende ku marrëdhëniet hebraiko-kristiane nuk janë aq të rëndësishme, siç janë vendet evropiane ku ka vetëm pak komunitete hebraike, por edhe në Izrael, ku dialogu hebraiko-krishterë është shumë më pak i rëndësishëm sesa, për shembull, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani apo në Itali”, tha profesoresha Karma Ben-Johanan.

Qasja e Gjon Palit II

Duke u ndalur te kontributi i Papës Shën Gjon Palit II në fushën e  dialogutkatoliko-hebraik, profesoresha Ben-Johanan pohoi se një nga gjërat më magjepsëse në lidhje me qasjen "tepër të pasur dhe të gjerë" të Wojtyles ndaj hebraizmit është se Papa polak "hyri në botën hebraike, hyri në mbretëritë dhe zonat liturgjike hebraike. Ai hyri në një sinagogë, shkoi te Muri i Vajtimit. Gjon Pali II e bëri bisedën dhe dialogun të arsyeshëm e të kuptueshëm edhe për hebrenjtë që nuk e njohin teologjinë katolike".

Perspektiva katolike

Nga këndvështrimi katolik, profesor Gavin D'Costa u përqendrua mbi dokumentin e Selisë së Shenjtë të vitit 2015 "Dhuratat dhe thirrja e Zotit janë të parevokueshme (Rom 11,29)" e nënvizoi se edhe "hebraizmi rabinik është gjithashtu një besëlidhje autentike me Zotin". Në të njëjtën kohë, ripohoi D'Costa se "Kisha Katolike mëson se Jezu Krishti është shpëtimtari i të gjithë njerëzve". D'Costa, duke folur me Vatican News - Vatican Radio për të ardhmen e dialogut katoliko-hebraik, tha se para së gjithash do të thotë të sigurohesh të kesh marrëdhënie të mira me llojet e ndryshme të hebrenjve. "Kështu jemi në gjendje të zbulojmë se çfarë është hebraizmi, si funksionon dhe çfarë është në aspektin e dallimit nga hebraizmi biblik. Judaizmi rabinik ka një traditë të tërë gojore dhe një mënyrë interpretimi të tekstit nga e cila edhe ne mund të mësojmë shumë". Së fundi, tha profesor D'Costa se do të ishte mirë ta lexonim Biblën së bashku. Dhe, si shembull, ai përmendi kurset e Amy Jill Levine, një studiuese hebreje që studion dhe jep mësim Besëlidhjen e Re të Biblës.

 

03 mars 2023, 12:50