Czerny: Françesku, mësues i njerëzimit; migrantët, sakramenti i papnisë së tij
R.SH. – Vatikan
"Samaritani i mirë", "vëllazëria", "shtëpia e përbashkët". Pastaj "migrimi", "sakrament" i gjithë papnisë. Kardinali jezuit Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, i përmbledh me këto fjalë-kyçe dhjetë vitet e Papës Françesku, në krye të Kishës universale. Kishë që, me Papën argjentinas, po bëhet "gjithnjë më mikpritëse për të varfrit, për gratë, të shpërngulurit, të flakurit në harresë". Kishë - vijon Kardinali Czerny në bisedën me mediat e Vatikanit - "gjithnjë më e vëmendshme ndaj krijimit, më e gatshme për dialog ndërfetar, më sinodale, më e mëshirshme e më larg kulturës së klerikalizmit".
Hirësi, po i afrohemi dhjetëvjetorit të zgjedhjes së Jorge Mario Bergoglios. Të shumta mesazhet, temat dhe sfidat gjatë kësaj papnie. Si do ta përmblidhnit dekadën e Françeskut në fronin e Shën Pjetrit?
Do ta përmbledh me pak fjalë, si samaritan i mirë, vëllazëri, shtëpi e përbashkët. Nuk janë përparësi abstrakte, por globale: për liderët, besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë, për të gjithë ata që e kanë për zemër jetën dhe të ardhmen e familjes njerëzore.
Sipas jush, si do të vazhdojë papnia në të ardhmen? Domethënë, cilat janë temat dhe sfidat që do të duhet t’i ketë në plan të parë Papa Françesku?
Besoj se, falë edhe reformës së Kuries Romake, nevoja më urgjente është "hapi cilësor" i Kishave vendase. Nuk është program politik apriori, por ftesë për t’i shoqëruar kishat vendase në kryerjen e detyrave të tyre kryesore, në zgjidhjen e problemeve të tyre më të ngutshme”.
Duke parë reformën e kristalizuar në Praedicate Evangelium, Dikasteri për Zhvillimin e Gjithanshëm që ju e kryesoni iu përshtat menjëherë "natyrës misionare" të Kuries së dëshiruar nga Papa, duke e ndryshuar strukturën e saj të brendshme. Si po ju shkojnë punët tani?
Misioni ynë kryesor është përpjekja për të bërë gjithçka për kishat vendase dhe të gjithë ata që duan ta përballojnë sfidën e zhvillimit integral njerëzor. Ne jemi pranë tyre, për të kuptuar sesi mund të ndihmojmë, të inkurajojmë, të nxisim e, madje, edhe të kritikojmë. Thënë me dy fjalë, ta ndihmojmë Kishën të lëshojë shtat e t'i japë përgjigje botës së sotme. Pyetja duhet të jetë: cilat janë shqetësimet kryesore për kishat vendase? Të varfërit, kujdesi për krijimin, shëndetin, (pa)sigurinë, migrimet? Ja, pra, në plan të parë kemi marrëdhëniet reciproke. Për gjithçka!
Ç’ urim do t'i bëni Papës?
Më shumë se urim, është dëshira e fortë që ai ta ketë përsëri hirin dhe të dijë sesa e pafund është mirënjohja jonë, mirënjohja e gjithë botës për këto dhjetë vjet, që na ndryshuan të gjithëve, duke na bërë më të mirë!