Kërko

Cantalamessa: të ndjekësh Shpirtin Shenjt do të thotë të përtërish të renë

Historia dhe jeta e Kishës nuk u ndalën me Vatikanin II: “Mjerë ne po të bënim me të”, çka që u provua të bëhej me Koncilin e Trentit, domethënë “vija e fundit e caku i palëvizshëm”. Këtë theksoi Kardinali Cantalamessa gjatë predikimit të parë të Kreshmëve, me temë "Ipsa novitas innovanda est", mbajtur sot në Sallën Pali VI. “Nëse jeta e Kishës do të mbetej në vend do të ndodhte si me lumin që, kur has një pengesë, shndërrohet pa dyshim në moçal"

R.SH. / Vatikan

Kardinali Cantalamessa mbajti sot, në Sallën e Palit VI, predikimin e parë të Kreshmëve për Kurien Romake: kur bëhet në Shpirtin Shenjt, "kompromisi nuk është dorëzim, apo zbritje në llogari, që i bëhet së vërtetës, por bamirësi dhe bindje ndaj situatave".

Historia dhe jeta e Kishës nuk u ndalën me Koncilin II të Vatikanit: “Mjerë ne po të bënim me të”, çka u provua të bëhej me Koncilin e Trentit, domethënë “vija e fundit e caku i palëvizshëm”. Këtë theksoi Kardinali Raniero Cantalamessa gjatë predikimit të parë të Kreshmëve, me temë "Ipsa novitas innovanda est: Të përtërihet e reja", mbajtur sot, e premte, 3 mars, në Sallën Pali VI.

Nëse jeta e Kishës do të mbetej në vend - vuri në dukje predikatari i Shtëpisë Papnore - "do të ndodhte si me lumin që, kur has një pengesë, shndërrohet pa dyshim në moçal". Në lidhje me këtë, kardinali kapuçin kujtoi mendimin e Origjenit i cili, në shekullin e tretë, pati vërejtur se nuk mjafton «të përtërihemi vetëm një herë; duhet ta ripërtërijmë të njëjtën risi”.

Të njëjtën vijë ndoqi edhe doktori i ri i kishës, Shën Ireneu, i cili shkroi: e vërteta e zbuluar është si  “liker i çmuar, që ruhet në një vazo me vlerë. Nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt, ai përtërihet vazhdimisht duke e  përtërirë edhe enën, që e përmban”. E “Ena” që e përmban të vërtetën e zbuluar - shpjegoi në vijim kardinali - “është tradita e gjallë e Kishës”. "Pija e çmuar" është "para së gjithash Shkrimi Shenjt, por Shkrimi i lexuar në Kishë, që është përkufizimi më i saktë i traditës". Në të vërtetë, Shpirti Shenjt është "i ri për vetë natyrën e tij".

Duhet kujtuar se shoqëria "nuk u ndal në kohën e Vatikanit II, por pësoi një përshpejtim marramendës". Ndryshimet që dikur “bëheshin gjatë një apo dy shekujsh, sot ndodhin në një dekadë”. Kjo nevojë për risim të vazhdueshëm “nuk është gjë tjetër, veçse nevojë për konvertim të vazhdueshëm, të shtrirë nga një besimtar i vetëm, në të gjithë Kishën në komponentin e saj njerëzor dhe historik”. Ecclesia semper reformanda.

Problemi i vërtetë «nuk ka të bëjë me risinë; ka të bëjë më shumë me mënyrën  si duhet përballuar”. E kjo, sepse çdo risi, çdo ndryshim gjendet «në udhëkryq; mund të marrë dy rrugë të kundërta: atë të botës, ose atë të Zotit: "rrugën e vdekjes, ose rrugën e jetës". Tani, ekziston "një mjet i pagabueshëm për të marrë çdo herë rrugën e jetës dhe të dritës: Shpirti Shenjt".

Kardinali theksoi se qëllimi i reflektimeve të tij të Kreshmëve është pikërisht  të inkurajojë për ta vënë Shpirtin Shenjt në zemër të gjithë jetës së Kishës e, veçanërisht, në këtë çast, në zemër të veprave sinodale. Konkretisht, qëllimi i këtij predikimi të parë është të përmbledhë mësimin që vjen nga Kisha e sapolindur. Veprat e Apostujve flasin për një bashkësi e cila «hap pas hapi udhëhiqet nga Shpirti i Zotit. Është Shpirti i Zotit ai që merret jo vetëm me vendimet e mëdha, por edhe me gjërat e vogla”.

Natyrisht, nuk është rrugë e drejtë dhe e qetë, ajo e Kishës së sapolindur. "Kriza e parë e madhe - kujton Cantalamessa - lidhet me pranimin e johebrenjve". E vendimi që marrin apostujt në Jeruzalem për të mirëpritur paganët në bashkësi "zgjidhet me fjalët e para, të jashtëzakonshme: "Përfunduam, pra, që Shpirti Shenjt dhe ne të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përmbi ato që janë të nevojshme (Veprat e Apostujve, 15:28)".  

Nuk është fjala për të bërë "arkeologjinë e Kishës, por për ta nxjerrë në dritë, gjithmonë të re, paradigmën e çdo zgjedhjeje kishtare". Sepse nuk është e vështirë "të shihet analogjia ndërmjet hapjes që u bë asokohe ndaj johebrenjve, me atë që imponohet sot ndaj laikëve, veçanërisht grave, si dhe kategorive të tjera të njerëzve".

Në këtë kuptim, shembulli i kishës apostolike “nuk na ndriçon vetëm parimet frymëzuese, pra doktrinën, por edhe praktikën kishtare”, duke “na kujtuar se jo çdo gjë zgjidhet me vendimet e marra në një sinod, e aq më pak, me një dekret”; ka nevojë për “zbatimin e këtyre vendimeve në praktikë, për të ashtuquajturën “pritje” të dogmave”. E për këtë na duhet “kohë, durim, dialog, tolerancë; ndonjëherë edhe kompromis”: për më tepër, kur bëhet në Shpirtin Shenjt, “kompromisi nuk është dorëzim, e as zbritje çmimi, që i bëhet së vërtetës: është bamirësi dhe bindje ndaj situatave”.

Në të gjitha ngjarjet e përmendura nga kardinali, Pjetri "duket qartë si ndërmjetës ndërmjet Jakobit dhe Palit, domethënë ndërmjet shqetësimit  të vazhdimësinë dhe atij të risisë". Në këtë ndërmjetësim “jemi dëshmitarë të një incidenti, që mund të na ndihmojë edhe sot”. Ndodh që Pali "në Antioki e qorton Pjetrin për hipokrizi, sepse nuk u ul në tryezë me paganë të kthyer në fenë e Krishtit". Sipas predikatarit, “konservatorët” e asaj kohe fajësuan Pjetrin se “u shty shumë larg, duke shkuar te Korneli pagan”; ndërsa Pali "e qorton se nuk ka shkuar aq larg sa duhet".

Megjithatë, Pjetri nuk bëri fare "mëkat hipokrizie". Ndodh që, në një rast tjetër, “vetë Pali do të bëjë pikërisht, çka pati bërë Pjetri në Antioki": në Listra ai rrethpreu shokun e tij Timoteun "për shkak të judenjve që ishin në ato krahina (Veprat 16:3), - shkruhet - pra për të mos fyer askënd”. Ndërkaq korintasve u shkruan se "u bë 'jude me judenjtë, për të fituar  judenjtë' (1 Kor 9:20)".

Roli i ndërmjetësit që Pjetri ushtroi ndërmjet "prirjeve të kundërta të Jakobit dhe Palit" vazhdon edhe sot "në pasardhësit e tij". Sigurisht që jo - e kjo "është gjë e mirë për Kishën" - "në një mënyrë uniforme në secilin prej tyre, por sipas karizmës së secilit, që Shpirti Shenjt – e nënkuptohet edhe kardinajtë nën të - e kanë parë më të nevojshme në një çast të caktuar në historinë e Kishës”.

Përballë ngjarjeve dhe “realiteteve politike, shoqërore dhe kishtare, ne – pranoi predikatari - jemi gati të radhitemi me njërin krah dhe ta demonizojmë kundërshtarin, të dëshirojmë fitoren e interesave tona mbi ato të kundërshtarëve”. Nëse shpërthen një luftë - vërejti - "të gjithë i luten Zotit t'u japë fitoren ushtrive të veta e t'i asgjësojë ato të armikut". Jo “se është e ndaluar të kesh preferenca në fushën politike, sociale, teologjike e kështu me radhë, apo se është e mundur të mos i kesh ato”; megjithatë, kurrë nuk duhet "kërkuar që Zoti të mbajë anën tonë kundër kundërshtarit". As “të pyesim ata, që na qeverisin”.

Këtë vit - kujton Cantalamessa - ne po festojmë njëqindvjetorin e katërt të vdekjes së Shën Françeskut të Sales, i cili jetoi në një epokë të trazuar nga polemika të hidhura. Në këtë kuptim, ne të gjithë duhet të bëhemi "salezianë": "Përçmues dhe tolerantë, më pak të vendosur në siguritë tona personale, të vetëdijshëm se sa e sa herë na u desh të pranojmë mendimin e gabuar për një njeri a një situatë, e sa herë edhe ne vetë na u desh t’u përshtatemi situatave”.

03 mars 2023, 15:42