Arti dhe “përshëndetja”, që ndryshuan historinë
R.SH. / Vatikan
Nëntë muaj pas Krishtlindjes, Kisha përkujton sot lajmin që i solli Engjëlli i Zotit Virgjërës Mari. Ngjarje me të cilën nis misteri i shëlbimit e frymëzimi i artit në çdo epokë. Një brendi shtëpiake, jeta e përditshme e një Vashe të tronditur nga vërshimi i Zotit në histori. Lajmin e madh e sjell një engjëll: “Të falem Mari, Hirplote, Zoti është me ty”. Ai flet e Virgjëra ul sytë e bie në gjunjë. Këto, karakteristikat e përbashkëta të skenave të panumërta të “Lajmërimit të Marisë”, pikturuar nga një mori artistësh në rrjedhë kohe. Ngjarja ungjillore, e rrëfyer me mjeshtri të veçantë nga Luka Ungjilltar, është ndër më të njohurat në historinë e njerëzimit e të artit të tij!
Misteri e mahnitja
Skenën e Ungjillit e gjejmë të lartuar në art që në shekujt e parë të krishterimit, duke nisur nga mozaikët e lashtë të Shën Marisë së Madhe, në Romë, krijuar rreth viteve 400. Me të nisin misteri dhe mahnitja që përshkojnë galerinë e veprave të artit, kushtuar vizitës së engjëllit Gabriel deri në ditët e sotme. Nëpër botën mbarë.
Këtë mister, gjithnjë të gjallë në arte, si në jetë, na e kujton Sandro Barbagallo:
Viti 1483: Filippino Lippi merr nga Bashkia e San Gimignano porosinë për dy portrete të rrumbullakta. Në të parin pikturon engjëllin, në të dytin, Marinë e cila, e gjunjëzuar, merr lajmin e madh. "Koha shtanget" - vëren Sandro Barbagallo, kurator i Departamentit të Koleksioneve Historike të Muzeumeve të Vatikanit dhe autor i librit "Lajmi në Art", botuar nga Edizioni Musei Vaticani. "Filippino paraqet kalimin, që nisi me Lajmërimin, nga koha e mëparshme, e lidhur me mëkatin, në kohën re, lidhur me shëlbimin".
E amshuar, koha që ndalohet!
Pas shpinës së Engjëllit në pikturë dallohet një shtyllë mermeri pa bazë e kapitele, pa fillim e pa fund: përfaqëson kohën e amshuar të Zotit. Për herë të parë në pikturë pas shpatullave të Zojës shihet një orë: mat kohën njerëzore që ngeci për një çast ". Lavjerrësi është në ndalesë: tani e tutje koha e historisë do të matet në një mënyrë të re.
Fra Angelico, Shpallja, 1430-1432, Museo del Prado, Madrid
Eva e re
Maria është Eva e re. Në Muzeun Dioqezan të Kortonës, Fra Angelico e pikturoi Marinë të ulur nën një portik, me ofice në gjunjë. Në sfond mund të soditet një kopsht: është Kopshti i Edenit. Një engjëll i dëbon prindërit e parë, Adamin dhe Evën, pas mëkatit të znafillës. Përmes përgjigjes së Marisë: “u bëftë vullndesa jote!” për njerëzimin "nis procesi i shëlbimit”. Krahasimi i fjalëve të shqiptuara nga Gabrieli dhe përgjigjja e Marisë të tërheqin menjëherë vëmendjen: 'Ja shërbëtorja e Zotit. U bëftë mbi mua sipas fjalës sate’. “Fjalët e para kuptohen nga kushdo që e shijon pikturën, ndërsa të dytat – shpjegon Barbagallo – janë misterioze, sepse i drejtohen Atij, që është në qiell”.
Një kumt gjithnjë aktual
E ngritur në art nga piktorë e skulptorë të çdo epoke, faqja ungjillore u ofron atyre që i sodisin veprat e frymëzuara prej saj, mundësinë të vërejnë "ndryshimin e shijes për realizimin e skenës ndër shekuj". Skena zhvillohet gjithnjë brenda mureve të shtëpisë së Marisë, ose në kopshtin e saj, në ambientet e një familjeje të pasur, të cilat piktorët i realizojnë sipas shijes së kohës. Arti flamand, për shembull, përdor hollësi të panumërta. Piktori Jean Hey, për shembull, vë mbi shtratin e Marisë ikonën e Moisiut, që paralajmëron ardhjen e Shëlbuesit. Lorenzo Lotto e realizon atmosferën shtëpijake duke pikturuar në këtë skenë një maçok të frikësuar nga ndërhyrja hyjnore. Emocion ky, i pasqyruar edhe në gjestin e Marisë e cila, në pikturën e realizuar me vaj në pëlhurë e të ruajtur në Muzeun Qytetar të Recanatit, befasohet aq, sa i ndërpret uratët e ngrihet nga gjunjëzimi. Mesazhi është i qartë: që nga çasti kur Zoti hyn në jetën normale të përditshme të kësaj gruaje të re, gjithçka ndryshon: Maria bëhet Tabernakull i gjallë”.
Takimi i hyjnores me njeriun
Takim i hyjnores me njeriun, i pamundur për t'u treguar, sepse i pashprehshëm, pasqyrohet nga artistët përmes simbolit të një pëllumbi ose një rrezeje drite: është Shpirti Shenjt që e prek Virgjërën Mari, të shqetësuar nga vegimi i papritur. Disa shtojnë një element tjetër. Sandro Barbagallo na çon në Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku sodisim një triptik, pikturuar nga Giovanni dal Ponte nga gjysma e shekullit të pesëmbëdhjetë. Në qendër, skena e Ungjillit. “Piktori e bën të dukshëm çastin e mishërimit të Jezusit, duke pikturuar në qiell figurën e Atit të Amshuar, i cili i tregon rrugën, duke e bekuar, e edhe të një Fëmije, që rrok kryqin për të shkuar tek Maria”.
Katër "njoftimet"
Ka shumë hollësi që lidhen me përkthimin pikturik të kësaj faqeje të Ungjillit, shpesh të shpërfillura edhe nga studiuesit e artit. Autori i librit i shpalos përmes anekdotave dhe kurioziteteve, ndër të cilat bie në sy fakti se Lajmërimit të Marisë i paraprijnë, me kalimin e kohës, tre “lajmërime” të tjera. Më i njohuri paraqet Zakarinë, i cili heshti sepse kishte dyshuar në fjalët e engjëllit, që e pati lajmëruar se gruaja e tij e moshuar Elizabeta, do ta bënte atë baba të 'pararendësit', Gjon Pagëzuesit. Dy njoftimet e tjera lidhen me prindërit e Nënës së Zotit: Joakimi e Anna. Dy bashkëshortët e moshuar që "grinden, mbasi me ta tallen priftërinjtë e tempullit, të cilët i gjykojnë të padenjë, sepse nuk kishin fëmijë". Në kapelën Scrovegni, Giotto pikturon çastin e pajtimit të tyre: të dy sapo janë vizituar nga engjëlli, që u jep lajmin se do të bëhen prindër: është skena e famshme e puthjes së dlirë dhe thellësisht njerëzore: dy bashkëshortët e moshuar e kuptojnë "ngjarjen e madhe", që do të ndodhë në jetën e tyre.
Kelku i idhtë
Më në fund - kujton Barbagallo - historitë e ungjijve apokrifë, të shkruar shekuj pas ardhjes së Krishtit, lidhen me skenën e Lajmërimit. Tregojnë episodin në të cilin Maria dhe Jozefi, të akuzuar nga priftërinjtë për një martesë të papastër, detyrohen të pinë një përzierje barishtesh të hidhura. Kalojnë, kështu, provën e ‘kupës së hidhur’, duke u treguar akuzuesve se kanë thënë të vërtetën dhe se zënia e Virgjërës është e mbinatyrshme. Skena është e pranishme në afresket e mrekullueshme të Castelseprio-s, realizuar para vitit njëmijë: një faqe pikture që dëshmon sesi arti u përpoq vazhdimisht t’i pasurojë ungjijtë kanonikë, duke e paraqitur me realizëm më të madh humanizmin e Familjes Shenjte.