Kërko

Francesco, il Papa della misericordia Francesco, il Papa della misericordia
Editorial

Ad multos annos Atë i Shenjtë!

Përshëndetja fillestare e Papës Françesku, më 13 mars 2013, përmbante disa tipare të spikatura të papnisë: nënvizimin se ishte Ipeshkvi i Romës, Kishë "që është në krye të të gjitha Kishave në dashuri”; centralitetin e popullit besimtar të Zotit, të cilit Bariu i ri i Kishës i kërkoi bekimin përpara se ai vetë ta jepte; lutja për "vëllazërim të madh" në botën e përçarë nga padrejtësitë, dhuna dhe luftërat. Editoriali i Andrea Tornielli-t dhe Andrea Monda-s për 10-vjetorin e papnisë së Françeskut

R.SH. - Vatikan

Mbrëmjen e 13 marsit 2013, Jorge Mario Bergoglio u duk për herë të parë në lozhën qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, i veshur me të bardha. Së bashku me homazhet e përzemërta për paraardhësin e tij – tashmë Papë nderi - përshëndetja e tij fillestare përmbante disa tipare të spikatura të papnisë: nënvizimin se ishte Ipeshkvi i Romës, Kishë "që është në krye të të gjitha Kishave në dashuri”; centralitetin e popullit besimtar të Zotit, të cilit Bariu i ri i Kishës i kërkoi bekimin përpara se ai vetë ta jepte; lutja për "vëllazërim të madh" në botën e përçarë nga padrejtësitë, dhuna dhe luftërat.

Në ditët në vijim, Papa shpjegoi kuptimin e emrit, që deshi të përdorë, duke e lidhur atë me ëndrrën për "një Kishë të varfër dhe për të varfërit": shën Françesku i Asizit - pohoi ai - është "njeriu i varfërisë, njeriu i paqes, njeriu që e do dhe kujdeset për krijimin e Zotit”. Disa muaj më vonë, në nëntor të po atij viti, Papa bëri publike nxitjen “Evangelii gaudium”, hartën e vërtetë të udhës së papnisë, duke u kërkuar të krishterëve ta dëshmojnë në jetë gëzimin e Ungjillit, për të çuar kudo, sidomos ndër ata, që vuajnë më shumë, afërsinë dhe butësinë e një Zoti, që fal, mirëpret, përqafon.

Dhjetë vite më vonë pyetëm veten si ta festonim këtë përvjetor në mediat e Vatikanit dhe nga biseda ndërmjet nesh doli në pah ideja se nuk duhet të flasim ne edhe aq për Papën Françesku, por duhet t’i lemë vend gjithçkaje kanë sjellë dëshmia dhe Magjisteri i tij, duke e ndihmuar Kishën të zhvillohet. Prandaj, vendosëm t’ua japim fjalën dëshmitarëve, në situatat më të ndryshme në botë. Atyre, që çdo ditë, shohin fytyrën e Nazareasit në të vuajturit, të flakurit, të largëtit. Atyre, që tregojnë histori të vogla, por të mëdha, të cilat dokumentojnë forcën pa dhunë të dashurisë dhe mrekullinë e faljes aty ku mbizotëron urrejtja, ose indiferenca. Secili prej tyre përshkroi kumbimin në jetën e përditshme të njërës prej temave kryesore të papnisë, duke krijuar një mozaik, që ringjall shpresën. Shpresë e mundshme, pavarësisht nga shenjat e zymta, që fatkeqësisht nuk mungojnë, e para prej të cilave është rreziku gjithnjë e më konkret për vetëshkatërrimin e njerëzimit.

T’u japim zë dëshmitarëve na u duk mënyra më e përshtatshme për t'u sintonizuar me njerëzit e Hyjit, që e duan Françeskun dhe vazhdojnë të luten për të. Ai popull ndjek Papën dhe, së bashku me të, i drejtohet Jezu Krishtit me fjalët e shën Pjetrit, duke pasur parasysh burimin e shpresës dhe të shëlbimit: “Ti je Krishti, Biri i Zotit të gjallë”.

Ad multos annos Atë i Shenjtë!

13 mars 2023, 08:01