Kërko

Muzetë e Vatikanit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas Muzetë e Vatikanit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

8 Marsi, arti i Muzeumeve të Vatikanit feston gjeninë femërore

Muzetë e Vatikanit marrin pjesë në kremtimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas me disa vizita të veçanta, me prenotim, për të zbuluar disa figura të jashtëzakonshme femrash që, përmes shenjtërisë së tyre, ndihmuan ndjeshëm në jetën e Kishës

R.SH. - Vatikan

Maria Magdalena, Skolastika, Elena, Katerina e Sienës dhe natyrisht, Virgjëra Mari, gruaja e përsosur... Janë të shumta gratë në Kishën e të gjitha kohërave, të cilat edhe sot e kësaj dite, përmes shenjtërisë së tyre, mbeten modele, që të frymëzojnë. Gjatë shekujve, piktorët u kanë kushtuar  disa nga faqet më domethënëse në historinë e artit.

Gruaja, ajo që e bën botën të bukur

Duke u nisur nga fjalët e Papës Françesku sipas të cilit "gratë janë ato që e bëjnë botën të bukur", Muzetë e Vatikanit po ofrojnë për herë të parë një vizitë kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Gruas: vizitë me prijës, për t’u njohur me gra të jashtëzakonshme, që dhanë ndihmë të jashtëzakonshme në jetën e Kishës.

Michelangelo, Krijimi i Evës, Kapela Sikstine ©Musei Vaticani
Michelangelo, Krijimi i Evës, Kapela Sikstine ©Musei Vaticani

Vizita nis nga Muzeu Pio Cristiano, për të kaluar nëpër pamjet e shumta ikonografike femërore, që popullojnë Pinakotekën e Vatikanit, deri në kulmin teologjik dhe artistik të Kapelës Sikstine. Tre, takimet në kalendar, të hapura për të gjithë: i pari u realizua me sukses të shtunën e kaluar, ndërsa dy datat e ardhshme planifikohen për datat 8 dhe 11 mars. Mund ta rezervoni vizitën në adresën e emailitEducation.musei@scv.va.

Caravaggio, Zbritja nga Kryqi (1602-4), © Muzetë e Vatikanit
Caravaggio, Zbritja nga Kryqi (1602-4), © Muzetë e Vatikanit

Bukuri, t’i thith sytë dhe zemrën

“Gruaja e bën botën të bukur”. Kjo frazë e mrekullueshme e Papës Françesku është e vërtetë” - shpjegon motra Emanuela Edwards, drejtuese e Zyrës së Veprimtarive Arsimore të Muzeve të Vatikanit, për Vatican News: “Bukuria e ndjeshme, si ajo në art, tërheq sytë dhe zemrën. Soditja e shenjtoreve femra në kryeveprat artistike, mund të bëhet mjet për të na frymëzuar t'i imitojmë. Dita Ndërkombëtare e Gruas është mundësi për t’u frymëzuar nga gratë e Kishës, në rrjedhë të kohës”.

Helena dhe Kryqi i vërtetë

Vaj mbi pëlhurë me "Vegimin e Shën Helenës", pikturuar rreth vitit 1580, pra në moshë të pjekur, nga Veronezët, është një nga etapat e vizitës në këto vise të bukurisë! Piktura, në të cilën sodisim nënën e Kostandinit, perandorit të parë të krishterë, ndryshon nga ikonografia tradicionale veneciane, që e paraqet pranë Kryqit. Këtu pikturohet në gjumë, ulur, me kokën e mbështetur në njërën dorë, duke ëndërruar.

Vegimi i Shën Helenës (Sogno di Sant'Elena) nga Paolo Cagliari i njohur si il Veronese © Muzetë e Vatikanit
Vegimi i Shën Helenës (Sogno di Sant'Elena) nga Paolo Cagliari i njohur si il Veronese © Muzetë e Vatikanit

“Artisti - vazhdon motër Emanuela - pikturon një Kryq të mbajtur nga një engjëll, në mënyrë që ta bëjë të dukshme ëndrrën e sovranes. Në moshën 78-vjeçare, Elena shkoi në Tokën Shenjte, në Kalvar ku, pas gërmimeve të kryera, gjeti Kryqin e vërtetë të Zotit. Prandaj këtë grua të fuqishme mund ta përfytyrojmë si “arkeologen e parë të Kishës”.

Katerina, "influencer" e parë e Kishës

Na kthen rreth 150 vjet mbrapa tempera e shkollës fiorentine, që paraqet ndërmjet viteve 1440 dhe 1450, Shën Katerinën duke çliruar Lorenzën e re nga djalli". Vepra larton një figurë veçanërisht domethënëse, për të kuptuar rolin e grave në Kishë. “Katerina” - kujton kryetarja e zyrës së veprimtarive didaktike të Muzeve të Vatikanit, “ushtroi gjithë ndikimin e saj për ta inkurajuar Papën Gregori XI dhe oborrin papnor të ktheheshin në Romë, nga Avignon-i. Grua me virtyte të rralla, jetoi një jetë intensive lutjeje, duke u bërë nënë shpirtërore për shumë njerëz, që i kërkuan ndihmë”.

Shën Katerina e Sienës çliron Lorenzën e re nga djalli – Shkolla Fiorentine, 1440-1450 ©Musei Vaticani
Shën Katerina e Sienës çliron Lorenzën e re nga djalli – Shkolla Fiorentine, 1440-1450 ©Musei Vaticani

Grua e guximshme, pra, që "nuk u tremb as nga kufizimet e veta". Fakti që nuk dinte të shkruajë, për shembull - vëren motra Emanuela - nuk e pengoi  “t’u drejtonte 380 letra, të shkruara nën diktimin e saj, njerëzve me me influencë të kohës. Shën Katerina është shembull i mrekullueshëm për gratë e sotme: me shembullin e saj, ia ndryshoi faqen shoqërisë në të cilën jetoi dhe, si rrjedhim, i përket krahut karizmatik të Kishës e cila, e prirë  nga Shpirti Shenjt, punon për të realizuar vullnetin e Zotit në shoqëri. Mund ta përkufizojmë si të parin influencer të Kishës”.

Michelangelo, Gjyqi i Mbram, Kapela Sistine, © Muzetë e Vatikanit
Michelangelo, Gjyqi i Mbram, Kapela Sistine, © Muzetë e Vatikanit

Maria, model për çdo femër

Turneu përfundon para afreskeve të mrekullueshme të Mikelanxhelos në Kapelën Sikstine: “Nisemi nga Krijimi: nga historia, që na tregon sesi Zoti krijoi burrin dhe gruan, me dinjitet të barabartë. E përfundojmë tek Gjyqi i Mbram” ku takohemi me Marinë, e pikturuar si Eva e re, së bashku me Birin e saj. Virgjëra - shton murgesha - është Vasha e përsosur, e panjollë, që mund t’i frymëzojë fort gratë”.

Federico Barocci, Zoja e Qershive, 1573, ©Muzeu i Vatikanit
Federico Barocci, Zoja e Qershive, 1573, ©Muzeu i Vatikanit

Vizitat me prijës në gjuhën italiane ose angleze, janë në shërbim të gjithë  vizitorëve, nga familjet me fëmijë - deri tek personat me aftësi të kufizuara shqisore, motorike dhe intelektuale. Në fund të këtij “shtegtimi” njeriu bëhet më i vetëdijshëm mbi rolin e historisë së Kishës, në të cilën nuk mungon kontributi i një mori grash. “Janë të shumtë krijimet që flasin me gjuhën e ngjyrave për gjeninë femërore.

Në Gjyqin e Fundit - përfundon motra Emanuela Edwards - ka shumë gra të panjohura që, megjithatë, janë shenjtore. E kjo, sepse e fitojnë shenjtërinë duke dhënë ndihmesën e tyre të jashtëzakonshme në shërbim të familjes, të shoqërisë dhe të Kishës. E sot i kujtojmë të gjitha gratë, të pikturuara e jo, dhe i falënderojmë një për një, për ndihmesën e shquar që dhanë në jetën e botës”. E prej këndej, edhe në artet e bukura. Pa to, nuk do të mund ta bënim as këtë vizitë të paharrueshme, në ditën kur kremtohet pikërisht festa e tyre!

08 mars 2023, 15:34