Ukrainë, Gallagher: ta mbajmë gjallë shpresën për të arritur paqen
R.SH. – Vatikan
Një vit pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, bota mbahet peng, njëlloj si gjatë Luftës I Botërore, kur konflikti përflakej në llogore, me mijëra e mijëra të vdekur. Këtë vuri në dukje Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe me Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, në një intervistë për revistën e jezuitëve “America”.
Biseda merr shkas nga Konferenca Ndërkombëtare për Sigurinë, mbajtur në Mynih, nga 17 deri më 19 shkurt. “Ishte mundësi për të treguar bashkimin dhe përkrahjen për Ukrainën”, pohon prelati. Megjithatë, për shkak se mungonte homologu rus, vëren ai, “nuk u realizua ai shkëmbim idesh, që do të ishte i dobishëm” për udhën e paqes. Përsa i përket akuzave të presidentit rus Vladimir Putin kundër Perëndimit, fajtor, sipas tij, për shkaktimin e konfliktit, imzot Gallagher flet për "interpretim të gabuar të gjeopolitikës së viteve të fundit" nga kreu i Kremlinit: kundërshtimi “i politikave dhe i strategjive ruse” nuk do të thotë, në fakt, se “Perëndimi ishte i vendosur të sillte rënien, ose shkatërrimin e Rusisë”. Prelati flet edhe për llogaritë e gabuara të presidentit Putin lidhur me kohëzgjatjen e luftës, që vijon edhe pas 12 muajsh, duke arritur të kundërtën e asaj, që dëshironte Moska, pasi NATO-ja është fuqizuar përgjatë Finlandës dhe së shpejti, kjo do të ndodhë edhe përgjatë Suedisë dhe Norvegjisë.
Duke komentuar njoftimin e presidentit Putinit se ka ndërmend të pezullojë pjesëmarrjen e Rusisë në Traktatin New Start për armët bërthamore, kryeipeshkvi e quan "lajm të keq", goditje përfundimtare kundër daljes së vazhdueshme nga konventat për armët bërthamore, regjistruar vitet e fundit. Imzot Gallagher shpreson që konflikti aktual të mos kthehet në luftë atomike, megjithëse "kjo s’mund të përjashtohet", prandaj, shkakton "shqetësim të madh". Më pas, kryeipeshkvi kujton se Selia e Shenjtë mbështet "sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës", duke vazhduar dialogun me të dyja palët, nëpërmjet nuncëve apostolikë dhe ambasadorëve të të dyja vendeve në Selinë e Shenjtë. Është ende e gjallë dëshira e Papës Françesku për të shkuar si në Kiev, ashtu edhe në Moskë, por ndërsa ukrainasit vazhdojnë ta ftojnë Atin e Shenjtë, nuk ka "asnjë gjurmë" të ndonjë ftese nga ana e Rusisë. Një nga rolet e Selisë së Shenjtë, përfundon imzot Gallagher, është pikërisht “të mbajë gjallë shpresën" për "një paqe të drejtë", që do të thotë se "rusët duhet të tërhiqen nga territori i Ukrainës".