Tri mjete të dobishme për të jetuar Kreshmët: lutja, lëmosha e agjërimi
R.SH. / Vatikan
Sot, me të Mërkurën e Përhime nis udha e Kreshmëve prej dyzetë ditësh që do të na shpjerë te tre ditëshi i Pashkës , kur do të kujtojmë mundimin, vdekjen e Ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit, që përbën thelbin e zemrës së shpëtimit tonë. Lutje, gjeste pendese e vepra dashurie vëllazërore. Kështu, në kohën e Kreshmëve, forcohet lidhja jonë me Zotin.
Kreshmët na përgatisin për këtë çast të rëndësishëm të tërë viti liturgjik të Kishës e të jetës sonë shpirtërore, prandaj janë një kohë domethënëse, që shënon një kthesë rrënjësore që mund të favorizojë te secili prej nesh shndërrimin e madh, apo kthimin në Udhën e Zotit, do të thotë në Udhën e Jetës.
Secili prej nesh, pra, ka nevojë të ndreqet apo të përmirësohet dhe Kreshmët na ndihmojnë për të dalë nga zakonet e vjetra dhe nga praktikat që na bëjnë të plogësht ndaj të keqes që na zë në grackë. Në kohën e Kreshmëve Kisha na drejton dy ftesa mjaft të rëndësishme: të jemi më shumë të vetëdijshëm ndaj veprës shëlbuese e shpërblyese të Jezu Krishtit dhe të jetojmë më me përkushtim pagëzimin që kemi marrë në Pagëzim. Prandaj Kisha i fton besimtarët ta shfrytëzojnë këtë kohë të shenjtë për t’u kthyer në rrugën e Zotit.
Kreshmët sipas këndvështrimit të Shën Palit Apostull
Premtimi i Hyjit është i qartë: nëse populli do ta dëgjojë ftesën për t’u kthyer, Zoti do të ketë mëshirë e miqtë e tij do të mbushen me favore të panumërta. Hapi i parë drejt udhës së Zotit është Pagëzimi, por kjo nuk mjafton. Duke kujtuar Shën Palin Apostull, duhet sqaruar se shenjti, i cili më parë ishte persekutues i të krishterëve, e kupton më vonë se kthimi në rrugën e Damaskut dhe gjithçka në të është vepër e Hirit Hyjnor, por nuk harron se çdo person duhet të marrë pjesë lirisht në jetën e re, që e ka fituar me anë të Pagëzimit. Për këtë, duhet të lirohet vazhdimisht nga mëkatet, siç shkruan apostulli Pal në Letrën drejtuar Romakëve. Ky është një program i vërtetë për Kreshmët.
Tri mjete të dobishme: lutja, lëmosha e agjërimi
Nga njëra anë, pohohet fitorja e Jezu Krishtit mbi mëkatin, arritur një herë e përgjithmonë me vdekjen e Ngjalljen e Tij; nga ana tjetër, shtyhemi të mos i ofrojmë mëkatit gjymtyrët, pra, të mos i japim në jetën tonë të përditshme, nëse mund të themi kështu, hapësirë shpagimi mëkatit. Por si mund ta realizojmë thirrjen e Pagëzimit, si mund të dalim fitimtarë në luftën ndërmjet korpit e shpirtit, ndërmjet së mirës e së keqes, luftë që shënon ekzistencën tonë? Në Ungjillin e sotëm nga Mateu (6,1-6.16-18) Zoti na jep tri mjete të dobishme: lutjen, lëmoshën e agjërimin.
T’ia hapim zemrën Fjalës së Zotit
Pra duhet nënvizuar se sa të rëndësishme kanë qenë këto tri mjete për Shën Palin Apostull e sa duhet të jenë për çdo besimtar në përgatitjen për Pashkët. Që këtu, detyra për të mos jetuar vetëm me bukë, duke perifrazuar fjalët e Jezu Krishtit në shkretëtirë, në të parin nga tri tundimet.Ja pra, thirrja e të krishterëve: të ringjallur në Krishtin, ata kanë kaluar përmes vdekjes e tashmë jeta e tyre është e fshehur me Krishtin në Zotin. Për ta jetuar këtë ekzistencë “të re” në Zotin është e domosdoshme të ushqehen me Fjalën e Zotit.
E përsëri shembulli i Shën Palit, për të cilin mendimi, veprimi, lutja, teologjia, predikimi ishin të gjitha, fryt i Fjalës së Hyjit. E ndërsa përgatitemi për t’u përhitur në shenjë kthimi e pendese, t’ia hapim zemrën veprimit rigjallërues të Fjalës së Zotit. Kreshmët, të karakterizuara nga dëgjimi më i shpeshtë i kësaj Fjale, nga lutja më intensive, nga një mënyrë jetese më e rreptë e pendestare, të na shtyjnë drejt kthimit e dashurisë së sinqertë për vëllezërit, sidomos për të varfrit e nevojtarët. Koha e Kreshmëve është çast i përshtatshëm për ta përtërirë e për ta forcuar gjithnjë më shumë lidhjen tonë me Zotin, përmes lutjes së përditshme, gjesteve të pendesës, veprave të dashurisë vëllazërore.