Kërko

Il "Titulus Crucis" custodito nella Basilica di Santa Croce in Gerusalemme Il "Titulus Crucis" custodito nella Basilica di Santa Croce in Gerusalemme

"Titulus Crucis": nga Kalvari, në Romë, historia e relikes së Mundimeve të Krishtit

“Titulus Crucis” është një tabelë prej druri, me mbishkrimin: hebraisht, greqisht e latinisht: “Iesus Nazarenus Rex Iudaeorum”- "Jezus Nazareni, Mbret i Judenjve", dhe me inicialet "I.N.RI.". Është rrotulla e varur mbi kryq, sipas urdhërit të Pilatit, i cili donte kështu të saktësonte arsyen e dënimit sipas normave të së drejtës romake, domethënë, akuzën kundër Jezusit që e kishte shpallur veten mbret i hebrenjve. Mbishkrime të tilla ishin tejet të rralla, vetëm për disa të dënuar “të posaçëm"

R.SH.  / Vatikan

Ndër dëshmitë më të njohura të flijimit të Jezu Krishtit, është rrotulla e vendosur mbi kryq, me mbishkrimin "Jezusi i Nazaretit, mbret i Judenjve". Disa studiues i kanë përqendruar kërkimet e tyre tek pllaka prej druri, e cila ruhet në Bazilikën romake “Santa Croce in Gerusalemme”, duke hamendësuar se është pikërisht ajo, që Pali e pati mbërthyer mbi kryqin e Jezsuit, dy mijë vjet më parë.

Historia e relikes së famshme të Mundimeve

Helena, nëna e Kostandinit, sipas historianit të shekullit të pestë Euzebi i Çezaresë, në veprën De vita Costantini, shkoi ndërmjet viteve 326-328 në Tokën Shenjte ku shkeli mbi gjurmët e Krishtit, duke vizituar vendet ku  ishte munduar e ngjallur Zoti. U rikthye në Romë duke sjellë me vete relike të ndryshme dhe dheun e Jeruzalemit, që u shpërnda në kopshtin e Pallatit Sessorian, seli e perandoreshës. Mbi të ajo ndërtoi një kapelë për të mbajtur reliket, që kishte sjellë me vete: ndërmjet tyre, fragmente të kryqit, disa gozhda dhe Titulus Crucis - mbishkrimi i Kryqit. Kjo Kapelë është bërthama e parë e Bazilikës së Sh’na Kryqit të Jeruzalemit. Ishte pikërisht ky emër që ngjalli dëshirën e themelueses për të rindërtuar një kopje të zvogëluar të vendit të shenjtë në Romë: një Jeruzalem të vogël, me toponimin Hierusalem.

"Jezusi i Nazaretit, Mbret i Judenjve"

“Titulus Crucis” është një tabelë prej druri arre, me mbishkrimin prej tre  rreshtash, në tri gjuhë, me drejtim nga e djathta në të majtë: hebraisht, greqisht dhe latinisht: “Iesus Nazarenus Rex Iudaeorum”- "Jezus Nazareni, Mbret i Judenjve", e edhe me inicialet "I.N.RI.". Është rrotulla e varur mbi kryq, sipas urdhërit të Pilatit, i cili donte kështu të saktësonte arsyen e dënimit sipas normave të së drejtës romake, domethënë, akuzën kundër Jezusit që e kishte shpallur veten mbret i hebrenjve. Mbishkrime të tilla ishin tejet të rralla, vetëm për disa të dënuar “të posaçëm”. Për më tepër, të trija gjuhët përdoreshin vetëm në mbishkrime solemne. Kjo shenjë së bashku me kurorën e ferrave dhe bastunin si skeptër, ishte veprim shumë poshtërues kundër Krishtit, veçanërisht për shkak se dënimin e jepte një qytetar romak, personalitet i lartë, kundër një hebreu të nënshtruar. Tallje e egër! Të gjithë Ungjijtë e kujtojnë këtë ngjarje (Mk 15,26; Lk 23,38; Mt 27,37; Gjn 19,19-20) duke theksuar rëndësinë simbolike të titullit, por edhe, me sa duket, dëshirën për të nënvizuar vërtetësinë e tij historike.

Objekt i lashtë nderimi

Pa u ndaluar tek vërtetimi i njëzëshëm i Ungjijve, arrijmë në fund të shekullit IV tek dëshmia e parë e titullit. Është “Peregrinatio Aetheriae”, që njihet edhe si Itinerarium Egeriae  ("Itinerari i Egjerisë"), tekst latin i fillimit të shekullit V, në të cilin  një grua, e quajtur Egjeria a Eteria, përshkruan shtegtimin e saj në Tokën Shenjte. Egeria, në Itinerariumin e saj, pretendon se e pa tabelën, së bashku me Kryqin, të ekspozuar për adhurimin e shtegtarëve, gjatë shtegtimit në Tokën e Shenjtë, në vitin 383 (Itinerarium Egeriae 37,1): «...e na sollën një kuti argjendi të praruar, në të cilën ruhej druri i shenjtë i kryqit. U hap dhe u nxor si druri i kryqit, ashtu edhe titulli a tabela, që u vendosen mbi tryezë».

Në vitin 570, Antoninus nga Piacenza flet përsëri për të, duke shtuar edhe një tekst, të ngjashëm me atë të Mateut në Ungjijtë (Itinerarium, Corpus Christianorum, S. Latina, 175, 130). Kjo mund të na nxisë të mendojmë se relikja mbërriti në Romë pas udhëtimit të Helenës. Gjë që nuk është e çuditshme, pasi Kryqi lidhet pazgjidhshmërisht me perandoreshën në burime si Legenda Aurea (Legjenda e Artë) ashtu edhe në art, për shembull, në afresket e Piero della Francesca, në Arezzo.

Një hollësi e rëndësishme, që dëshmon për vëmendjen e veçantë kushtuar relikes, është zbulimi "fizik" i saj, më 1 shkurt 1492. Ajo u mbyll brenda një kutie plumbi me tri vulat e kardinalit Gerardo Caccianemici - Papa i ardhshëm Lucius II (1144 -1145) dhe u muros në një kamare, në majë të harkut triumfal të bazilikës. U vendos aty në kohën kur u ndërtua transeti i bazilikës. Pse ishte aty? Pozicioni, maja e harkut të triumfit, të kujton menjëherë vlerën e saj thellësisht simbolike: në qendër të bazilikës, në pikën më të lartë të arkitekturës së saj!

Debat mbi vërtetësinë

Debati mbi vërtetësinë e tabelës, me teza të kundërta, vijon: nga njëra anë mohohet origjinaliteti i gjetjes, përmes rezultateve të analizës së radiokarbonit, kryer në vitin 2002, gjë që do ta bënte tabletin të datohej më vonë, ndërmjet shekujve 10 dhe 12. Teza e dytë e konsideron të vërtetë ose të paktën, kopje besnike të epokës bashkëkohore të vdekjes së Zotit, mbi bazën e disa dëshmive, siç janë shkronjat paleografike, që përdoreshin në shekullin I pas Krishtit.

Varrim mbretëror

Ndër studiuesit kryesor në favor të vërtetësisë së titullit është Maria Luisa Rigato, profesoreshë në Universitetin Gregorian, e cila e ripohoi vërtetësinë mbi bazë të analizës paleografike të shkronjave, të cilat përkojnë përsosurisht me ato që përdoreshin në shekullin I. Studiuesja parashtron gjithashtu një hipotezë vërtet sugjestive, por të besueshme: “Titulli ishte vendosur në varrin e Jezusit”. Gjë që e vërtetojnë të dhënat, sipas të cilave guri që mbylli varrin ishte i madh, domethënë edhe vetë varri ishte i madh, tip dhome. Trupi i Jezusit u vajos me vajra të çmuara. U mbështoll me sindonën a qefinin, pëlhurë e çmuar që sigurisht nuk përdoret për të vdekurit e zakonshëm. Ishte, pra, varrim mbretëror që, sipas Rigato, vërteton plotësisht se rrotulla qe pikërisht ajo, që Pilati e mbërtheu mbi kryq.

Kapela e Relikeve

Deri në vitin 1930 Reliket u mbajtën në kapelën nëntokësore të Shën Elenës, e cila iu nënshtrua shumë restaurimeve dhe rinovimeve me ndihmën e artistëve të mëdhenj si Baldassarre Peruzzi, Giuliano da Sangallo, Pomarancio dhe Rubens. Kapela konsiderohej e shenjtë si Sanctorum e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran. Dheu i Kalvarit, sjellë nga Perandoresha, qe shtruar pikërisht përballë kishës. Më vonë, për disa shkaqe, ndërmjet të cilave lagështia e ambientit, reliket u zhvendosën në një vend tjetër. Kapela e tanishme, e shkëputur nga sakrestia, në fund të rreshtit të majtë, u projektua nga Florestano Di Fausto. E përuruar në vitin 1930 dhe e përfunduar në vitin 1952, krijon shtegun e etapave të mundimeve, që kulmon përpara tre fragmenteve të Kryqit: titulus, një gozhdë, një pjesë e kurorës me gjemba, si dhe relike të tjera të vogla. shtuar në kohët e mëvonshme.

28 shkurt 2023, 10:43