Kërko

Tërmeti në Turqi e Siri Tërmeti në Turqi e Siri

Tërmeti, Gugerotti në Siri dhe në Turqi për të çuar afërsinë e Papës

Prefekti i Dikasterit vatikanas për Kishat Lindore do të niset nesër, më 17 shkurt, deri të martën më 21, për të vizituar zonat e prekura nga tërmeti shkatërrimtar. Programi përfshin një takim me ipeshkvijtë dhe veprimtarët e Karitasit e të agjencive të tjera, të impenjuara në lehtësimin e vuajtjeve të popullsive turke e siriane

R.SH. – Vatikan

Nga mbrëmja e së premtes 17 e deri të martën 21 shkurt, prefekti i Dikasterit vatikanas për Kishat Lindore, imzot Claudio Gugerotti, do të udhëtojë në Siri e Turqi për një vizitë, gjatë së cilës do të shprehë afërsinë e Papës me popullsinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti. Gjithashtu, do të takohet me ipeshkvijtë dhe punonjësit e Karitasit e të agjencive të tjera, që impenjohen në ndihmë të të vuajturve. Programi - njofton një komunikatë e Dikasterit - është hartuar në marrëveshje me nunciaturat apostolike lokale. Pas mbërritjes në Siri, parashikohet një udhëtim në Haleb, me disa vizita në strukturat, që garantojnë strehimin e viktimave të tërmetit, të administruara nga organizma fetare dhe civile. Në mbrëmje, mesha në famullinë e ritit latin dhe një takim me ipeshkvijtë katolikë e ortodoksë të qytetit, së bashku me disa nga krerët myslimanë.    

Takimi me agjencitë bamirëse

Paraditja e së dielës i kushtohet takimit me disa agjenci bamirësie, që veprojnë në terren: deri tani, është konfirmuar prania e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, AVSI, CNEWA-PM, Catholic Relief Service, Karitasi i Sirisë, Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët, Shoqata “Pro Terra Sancta”, L'Ouvre d'Orient, Marists Blue, si edhe e delegatëve të Komisionit Ipeshkvnor për shërbimin e bamirësisë në Siri, organizëm i themeluar kohët e fundit në vend. Më pas, imzot Gugerotti do të vizitojë një xhami, ku janë strehuar edhe viktima të tërmetit e, në vijim, Liturgjia Hyjnore në katedralen greko-melkite. Pasi të përshëndesë bashkësinë e motrave të Nënë Terezës, delegacioni do të niset për në Damask, ku paraditen e së hënës, 20 shkurt, do të ketë një takim me patriarkët dhe ipeshkvijtë, që banojnë në kryeqytet, katolikë e jokatolikë. Pasdite, grupi do të kthehet në Bejrut dhe prej andej do të vazhdojë me avion për në Stamboll, ku të martën paradite, më 21 shkurt, do të takojë ipeshkvijtë e Turqisë dhe drejtorët e zyrave të Karitasit, përfshirë në ndihmat për viktimat e tërmetit.

Afërsi me të vuajturit

 “Gjesti i afërsisë me të vuajturit - thuhet në notën e Dikasterit - bashkohet me dëshirën për t’i inkurajuar të gjithë ata, që punojnë për t’i bërë ballë emergjencës, si edhe me nevojën për koordinimin më të mirë të nismave e projekteve në muajt e ardhshëm. Vërtet, Dikasteri mbledh periodikisht agjencitë më të rëndësishme humanitare, që bëjnë pjesë në Veprat e Ndihmës për Kishat Lindore (ROACO), sipas fushave të tyre të kompetencës. Gjatë udhëtimit, prefekti do të shoqërohet nga zv.sekretari e sekretari privat, don Flavio Pace dhe nga sekretari i ROACO-s, imzot Kuriakose Cherupuzhatthottathil.

16 shkurt 2023, 17:09