Papa studentëve të universiteteve kongoleze: jetoni për dashuri
R.SH. / Vatikan
Sot paradite, pak pas orës 11:00, siç ishte programuar, pasi u kthye në Nunciaturën Apostolike në Kinshasa, pas takimit në stadiumin e Martirëve të Kinshasës, me të rinjtë kongolezë, Papa Françesku priti në audiencë Kryeministrin e Republikës Demokratike të Kongos, SH.T. Jean-Michel Sama Lukonde, së bashku me familjen, me të cilën pati një bisedë.
Në fund të audiencës, gjithnjë pranë Nunciaturës Apostolike në Kinshasa, Papa Françesku u takua me 38 studentë nga universitetet katolike kongoleze, të shoqëruar nga At Toussaint Kafarhire Murhula, S.J.
Për një të ardhme me dashuri
Të rinjtë, nga vende të ndryshme të Kongos, përfaqësonin ata që patën mundësi të bisedonin me Papën më 1 nëntorin e kaluar me rastin e takimit sinodal "BUILDING BRIDGES ACROSS AFRICA", mbajtur online dhe promovuar së bashku me Komisionin Papnor për Amerikën Latine.
Të rinjtë kënduan një këngë të kompozuar nga Eprori Provincial u jezuitëve, i cili ishte edhe i pranishëm në takim, me fjalët e predikimit të Papës Françeskut të 23 nëntorit 2017, gjatë lutjes për paqe në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, që u mbajt në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa u drejtoi disa fjalë të rinjve dhe u tregoi atyre sfidën që ata po përjetojnë në këtë kohë të jetës, atë të "vendimit për dashurinë, të shpenzimit të jetës personale për dashurinë", sepse "kur dashuria është në qendër, të gjitha vendimet janë të frytshme”.
Dhunanë nëlindje të Kongos dhe shpresa për të ardhmen
Krahas ftesës për të shpenzuar “jetën për dashuri”, një tjetër temë bisede ishte ajo që Papa e vendosi në bazë të pohimeve të tij, në këtë etapë të parë të udhëtimit apostolik në Afrikë, veçanërisht pasditen e djeshme, përkatësisht dhuna në lindje të Kongos ku vetëm dje, përsëri në Nuciaturcën e Kinshasës, Ati i Shenjtë u takua me të mbijetuarit nga dhuna e shfrytëzimi që ndan me Papën, në një rrëfim të rrënqethës dhe prekës, tmerret dhe brutalitetet që kanë pësuar, së bashku me një dëshirë e vullnet të zjarrtë për të parë tokën e tyre të rilindur si të pajtuar. Në fund, para mbylljes së takimit, Papa i përshëndeti pjesëmarrësit individualisht.