Kërko

Podcast kushtuar Benediktit XVI, dhjetë vjet pas dorëheqjes

Nga 11 shkurti, në faqen e internetit Vaticannews.va, mund të ndiqen tre episodet e podcastit "Il pastore Benedetto" – “Bariu Benedikt”: “nga ditët e fundit të papnisë dhe "rrufeja në qiell të kthjelltë" e dorëheqjes, në dhjetë vitet e jetuara nga Papa i Nderit e deri në historinë e ditëve të fundit, të ankthshme të vdekjes…. Më pas, zërat e Papëve, audio arkivash dhe intervista të pabotuara për të rishfletuar një faqe në historinë e Kishës.

R. SH. - Vatikan

 “O Atë, në duart e tua po e lëshojmë shpirtin e Tij”. Me këto fjalë, më 5 janarin e kaluar, Papa Françesku ia besoi Zotit shpirtin e paraardhësit, Benediktit XVI, i cili ndërroi jetë më 31 dhjetor, në Manastirin Mater ecclesiae, në Vatikan, ku pati jetuar për dhjetë vjet si Papë Nderi, pas dorëheqjes më 11 shkurt 2013.

Dorëheqje, që ia shpalli botës në latinisht, në Sallën e Koncistorit,  përballë Kolegjit të Kardinajve, me vetëdijen e "rëndësisë" së kumtit dhe "me liri të plotë", duke e motivuar se "për shkak të moshës së shtyrë". "ingravescente aetate” -  forcat e tij nuk ishin më "të përshtatshme për ta ushtruar shërbimin Papnor”.      

Dhjetë vjet pas kësaj ngjarjeje të papritur, e cila nuk kishte bërë vaki për gjashtë shekuj në historinë e Kishës, rreth një muaj e gjysmë pas vdekjes së Benediktit XVI, redaksia e Radio Vatikanit - Vatican News vendosi ta tregojë historinë e Tij përmes një podcast-i, titulluar "Bariu Benedikt". Tre episode të cilat, përmes audios arkivore dhe intervistave të pabotuara, përshkruajnë ditët e fundit të Joseph Ratzinger, vdekjen dhe funeralin e tij, të kremtuar nga Papa, dhjetë vitet e kaluara si Papë Nderi "i fshehur  bote", "në gardhin e Pjetrit" dhe pastaj ditët e dorëheqjes: nga Deklarata e 11 shkurtit - deri në fluturimin me helikopter për në Castelgandolfo më 28 shkurt, e deri në ditën e fundit, kur ia dorëzoi shpirtin Zotit.

Në tre podcastet, mund të ndiqen dëshmi dhe komente nga kardinajtë Marcello Semeraro dhe Gianfranco Ravasi, Kryeipeshkvi Georg Gänswein, At Federico Lombardi, Andrea Tornielli, Andrea Monda, Elio Guerriero dhe Don Roberto Regoli. Por gjithashtu edhe audio arkivore me zërat e Papës Françesku dhe Papës Benedikti si dhe komentet e korrespondentëve të Vatikanit Valentina Alazraki, John Allen dhe Giovanna Chirri,  mbledhur në atë kohë, në Sallën e Shtypit të Vatikanit,  e edhe reflektimet e Kryeipeshkvit Rino Fisichella, një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të Benediktit XVI.

Mund të rijetohet kështu, “rrufeja në qiell të kthjelltë”  e dorëheqjes, siç e përkufizoi kardinali Angelo Sodano,  e të dëgjohen përsëri fjalët e qarta, të thella dhe prekëse me të cilat Papa Benedikti e motivoi ngjarjen dhe  trandi botën, gjatë audiencës së tij të fundit, tejet prekëse. Krijohet kështu, edhe mundësia për të pastruar edhe një herë fantazmat: nga hamendjet imagjinare për shkaqet, deri tek invaliditeti i supozuar. Sendërgjime, që nuk janë tjetër, veçse "fyerje për inteligjencën e jashtëzakonshme të këtij teologu të shkëlqyer", siç e shpjegon Andrea Tornielli në podcast dhe "dhunë kundër tij", siç shton Kryeipeshkvi Gänswein.

Mbledhja e fotogrameve të takimeve dhe përqafimeve të shumta të Papës Françesku dhe Papës së Nderit Benedikti, ndërmjet viteve 2013 dhe 2023, ndihmon për të kuptuar se si Shtëpia e Shën Martës dhe Manastiri Mater ecclesiae nuk qenë kurrë larg njëri-tjetrit. Deklaratat e Papës në një intervistë të fundit - "me vdekjen e Benediktit XVI humba një atë " - jehojnë në një sërë shprehjesh të ndërsjellta nderimi dhe dashurie si dhe në deklaratën e Papës Ratzinger të qershorit 2016: "Ati i Shenjtë, mirësia jote, është vendi ku jetoj”.

Ridëgjimi i shprehjeve të mirënjohjes, asnjëherë të rastit a të rrethanave, me të cilat Papa e kujtoi paraardhësin e tij pas vdekjes  - "Njeri fisnik dhe i sjellshëm"; "mësues i katekizmit", "mendjemprehtë dhe bujar" - do të thotë të vlerësohet bashkimi dhe vazhdimësia ndërmjet Françeskut dhe Benediktit.

10 shkurt 2023, 17:14