Papa: Zoti është aty ku ka dashuri konkrete
R.SH – Vatikan
“Aty ku dashuria bëhet konkrete, afërsi, butësi, dhembshuri, aty është Zoti”, kështu pohon Papa Françesku në një tweet, sot 6 shkurt 2023, botuar në faqen @Pontifex.
Dashuria e krishterë është konkrete, nuk është dashuri “soft”. Ky, pohimi i Papës Françesku gjatë Meshës së 11 nëntorit 2016, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Papa kujtoi me atë rast se edhe se po të nisim e të teorizojmë për dashurinë, do të arrijmë në shndërrimin e asaj që vërtet deshi Zoti me mishërimin e Fjalës së Tij Hyjnore, do të arrijmë tek një Zot pa Krisht, tek një Krisht pa Kishë e tek një Kishë pa popull. E ky është procesi i shpulpimit të Kishës:
“Ta lusim Zotin, që ecja jonë në dashuri të mos na bëjë kurrë, kurrë, njerëz abstraktë. E të urojmë që dashuria të jetë konkrete, me vepra mëshire, që ta prekë aty Korpin e Krishtit, të Krishtit të mishëruar. Prandaj Lorenci diakon pati thënë: ‘Të varfërit janë thesari i Kishës’. E pse? Sepse janë Korpi i munduar i Krishtit. Ta kërkojmë hirin për të mos shkuar përtej e për të mos hyrë në këtë proces, që ndoshta e josh dhe e shtyn shumëkënd për ta intelektualizuar, për ta ideologjizuar këtë dashuri, duke e shpulpuar Kishën, duke shpulpuar dashurinë e krishterë. E të mos arrijmë në spektaklin e një Zoti pa Krisht, të një Krishti pa Kishë e të një Kishe pa popull”.
“Urdhërimi i Jezusit për të dashur nuk është thjesht normë”, pati nënvizuar Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot më 10 maj 2015, duke shpjeguar se “norma mbetet gjithnjë diçka abstrakte, diçka jashtë jetës”. Duhet, prandaj, ta dallojmë normën nga jeta: ligji i dashurisë, nënvizoi Papa, u shkrua një herë e përgjithmonë në zemrën e njeriut.
Duke u nisur nga rrëfimi i Darkës së Mbrame, Papa Françesku kujtoi fjalët e Jezusit: “Askush nuk ka dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”. E edhe urdhërimin e ri: “Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë ju”. Në këtë mënyrë Jezusi na tregon udhën, që duhet ndjekur, udhën e dashurisë. E shtoi: “Kjo na kujton se Ai na do, edhe pse nuk e meritojmë dashurinë e Tij. Kështu na do Jezusi”.
Dashuria është udhë konkrete, udhë, që na nxit të dalim nga vetvetja, për të shkuar drejt të tjerëve. Jezusi na tregoi se dashuria e Hyjit vihet në jetë në dashurinë për të afërmin. Dy dashuri, së bashku. Faqet e Ungjillit janë plot me këtë dashuri: të rritur e të mitur, të ditur e të paditur, të pasur e të varfër, të drejtë e mëkatarë kanë gjetur e gjejnë gjithnjë vend në Zemrën e Krishtit.
Ta duam, prandaj, mirë njëri tjetrin, edhe pse jo gjithnjë kuptohemi. Jo gjithnjë merremi vesh. Por pikërisht këtu duket dashuria e krishterë. Dashuri, që nuk mungon edhe kur mendojmë ndryshe, edhe kur kemi karaktere të ndryshme. Kjo është dashuria më e madhe, që i kapërcen ndryshimet. Është dashuria, që na e mësoi Jezusi.
E Papa Françesku tha se “dashuria duhet dëshmuar me gjeste të vogla, ditë për ditë, gjeste afërsie me një të moshuar, me një fëmijë, me një të sëmurë, me një të vetmuar, një të stërmunduar nga jeta, një të pastrehë, të papunë, emigrant, refugjat… falë forcës së kësaj fjale të Krishtit, secili nga ne mund të bëhet i afërm i vëllait a i motrës, që takon. Gjeste pranie, afërsie. Në këto gjeste duket dashuria, që na e mësoi Krishti”.