Papa, të luftohet kundër varfërisë, pabarazisë dhe atyre që mohojnë të drejtat
R.SH. / Vatikan
"#Drejtësia Sociale kërkon që ne t’i luftojmë shkaqet e varfërisë, të pabarazisë, të mungesës së punës, tokës dhe strehimit; t’u kundërvihemi atyre që mohojnë të drejtat sociale dhe të punës; dhe të jemi kundër kulturës që çon në përdorimin e të tjerëve duke i privuar nga dinjiteti tyre”. Kështu pohon Papa Françesku në një postim në Twitter, me rastin e Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale.
Ditën Botërore e Drejtësisë Sociale ka për qëllim t’i nxisë përpjekjet për t’i dhënë përgjigje urgjente problemit të vështirë të varfërisë, që nuk është thjeshtë fatalitet, e as fenomen i cili varet vetëm nga faktorë teknikë ose ekonomikë. Shkandulli i varfërisë tregon se sistemet e sotme të bashkëjetesës njerëzore, janë të papërshtatshme për realizimin e së mirës së përbashkët. Atëherë përgjigja duhet kërkuar para së gjithash tek kthesa e zemrës së njeriut në rrugën e Zotit të dashurisë.
E kur flasim për varfëri, duhet të kemi mirë parasysh se nuk bëhet fjalë vetëm për varfërinë materiale, por edhe, e në radhë të parë, për varfërinë njerëzore, morale e shpirtërore. Mungesa e parë që vërehet në shoqëri është se çdo njeri lind e rritet brenda një sistemi, në të cilin disa janë të privilegjuar e disa të tjerë, të dënuar të vuajnë, të paguajnë, të punojnë, të dërsijnë, për të siguruar privilegjet e të tjerëve. Prandaj ata që duhet të ndryshojnë, nuk janë të varfërit, por njerëzit e rangut strukturor të të pasurve e prandaj edhe siguria nuk mund të vendoset vetëm me armë, por kryesisht duke vënë të gjitha aftësitë njerëzore në shërbim të jetës e të nevojave të përditshme të njeriut.