Kërko

2018.02.14 Papa Francesco Basilica di Santa Sabina all'Aventino 2018.02.14 Papa Francesco Basilica di Santa Sabina all'Aventino

Papa do të kryesojë, në Aventin, të Mërkurën e Përhime

Edhe sivjet Papa Françesku do të kryesojë, më 22 shkurt, në ora 17.00, kremtimin e së Mërkurës së Përhime, me procesionin tradicional që shënon fillimin e kohës liturgjike të Krezhmëve. Riti do të mbahet në Kishën e Shën Anselmit në Aventin, në Romë e do të pasohet nga procesioni pendestar drejt Bazilikës romake të Shën Sabinës, gjithnjë në Aventin, ku do të kremtohet edhe Mesha

R.SH. / Vatikan

Të Mërkurën e Përhime, më 22 shkurt, besimtarët katolikë do të hyjnë në Kohën e Krezhmëve, periudhë e përgatitjes shpirtërore për pritjen e Ringjalljes së Krishtit, të festës së Pashkëve. Atë ditë, Papa Françesku do të kryesojë ritet liturgjike të së Mërkurës së Përhime, me procesionin tradicional që shënon fillimin e kohës liturgjike të Krezhmëve. Riti do të mbahet në Kishën e Shën Anselmit në Aventin, në Romë e do të pasohet nga procesioni pendestar drejt Bazilikës romake të Shën Sabinës, gjithnjë në Aventin, ku do të kremtohet edhe Mesha.

Siç njofton Salla vatikanase e Shtypit, kremtimi do të zhvillohet në formën e “Stacioneve romake”, duke nisur nga ora 17.00, në Kishën e Shën Anselmit, në Aventin, me liturgjinë “stacionale”. Në procesionin e mëpasëm drejt Bazilikës së Shën Sabinës, së bashku me Papën Françesku, do të marrin pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjërit benediktinë të Shën Anselmit dhe etërit domenikanë të Shën Sabinës, të ndjekur nga besimtarët.

Në  përfundim të procesionit pendestar, po në Bazilikën e Shën Sabinës, do të kremtohet Mesha Shenjte me bekimin e hirit dhe me ritin e përhimjes, gjatë të cilit do të dëgjohen fjalët e njohura “Kthehuni dhe besojini Ungjillit” (Mk 1,15). Gjatë ritit, edhe vetë Papa Françesku do të përhihet si besimtar i thjeshtë.

“Stacionet” krezhmore, që përmenden më sipër, janë traditë e lashtë e Kishës, që njihet nga shekulli V. “Stacioni” është para së gjithash vigjëlim, i shoqëruar nga agjërimi, me të cilin përgatitemi shpirtërisht të jetojmë një ngjarje të rëndësishme. Kisha përdor këtu terminologjinë ushtarake, prandaj “stacioni” na çon tek përfytyrimi i rojes, që vigjëlon mbi kampin ushtarak. Kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me Krezhmët, gjatë të cilave, besimtarët duhet të vigjëlojnë, të kenë kujdes e të bëjnë vepra bamirëse, të pendohen e të agjërojnë. Këto vepra çojnë drejt kthimit rrënjësor të zemrave.

Konkretisht, “stacioni” është një takim me bashkësinë e krishterë, e cila mblidhet në të ashtuquajturit “tituli”, pra, në famulli të lashta, ose në shenjtërore, ku janë varrosur martirët. Është takimi i besimtarëve me ipeshkvin, pjesë e së cilës është edhe procesioni nga një Kishë e afërt tek Kisha stacionare, ose tek një nga Bazilikat e mëdha, ku ruhet kujtimi i martirit.

09 shkurt 2023, 16:21