Kërko

Nunci në Sudanin e Jugut: vendi pret mbështetjen e Papës për paqen dhe drejtësinë

Imzot Hubertus Matheus Maria van Megen flet për shpresën e sudanezëve të jugut, që nesër do të takohen me Papën, pas pritjes për një kohë të gjatë. Do të jetë mes tyre, pas takimit me kongolezët, me shpresën se mund të sjellë pak qetësi në këtë vend, në mënyrë që, më në fund, të hyjë në rrugën e zhvillmit dhe të gjithë të mund t’i jetojnë ëndërrat e tyre".

R.SH. / Vatikan

Logoja e vizitës së Françeskut përmbledh dhimbjet dhe shpresat e Sudanit të Jugut, vendit më të ri në botë, të pavarur që nga viti 2011, që do ta mirëpresë Papën nesër, më 3 shkurt, pas vizitës në Republikën Demokratike të Kongos. Sodisim  konturet e hartës së Kombit afrikan, me ngjyrat e flamurit; kryqin, simbol i trashëgimisë së krishterë të vendit, por edhe i vuajtjes së tij, dy duar shtrënguar, treguese të dëshirës së grupeve për pajtim, që të krijojnë një komb të vetëm; pëllumbin me një degë ulliri në sqep, dëshmi e dëshirës për paqe, dhe më pas, frazën nga Ungjilli i Gjonit "Lutem që të gjithë të jenë një gjë e vetme!".

Lufta dhe shkatërrimi

Ky vend i vogël dhe i brishtë, pavarësisht nga pasuria e pamasë mbi të cilën shtrihet, është ndër viset më të varfra në botë që nga fillimi i historisë së tij: i shkatërruar nga dhuna, lufta civile, ndeshjet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, me 400,000 të vdekur në gjashtë vjet konflikti, e tani edhe me ndryshimet klimatike, që sjellin mjerim, shkatërrim, uri dhe  zhvendosjen e miliona njarëzve brenda vendit. Për shkak të ushqimit të keq dhe të pamjaftueshëm, Sudani i Jugut është njëri nga katër vendet me krizën më të madhe në botë.

Takimi në Vatikan

Ishte Papa ai, që i dha një shtysë të fortë procesit të paqes, në prill 2019, duke takuar krerët më të lartë institucionalë të vendit, të cilët kishin nënshkruar një marrëveshje paqeje shtatorin e kaluar: presidentin Salva Kiir dhe nënkryetarët e caktuar, ndërmjet të cilëve, edhe lideri i opozitës, Riek Machar. Françesku u kërkoi atyre të jetonin në paqe e u lau këmbët,  gjest i paharruar nga sudanezët e jugut, të cilët, pas zhgënjimit të vizitës së humbur korrikun e kaluar, e shtynë, për ta lejuar Papën të kryejë terapinë e gjurit. Ndërsa tani e mirëpresin, së bashku me Kryeipeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby dhe moderatorin e Kishës së Skocisë, Iain Greenshields. Populli pret inkurajim të fortë nga Papa, pohon nunci apostolik në vend, Imzot Hubertus Matheus Maria van Megen:

Intervista me Imzot Hubertus Matheus Maria van Megen

Shkëlqesi, Sudani i Jugut më në fund do të mirëpresë Françeskun, çast i shumëpritur nga e gjithë popullata...

“Kur erdhi lajmi se e kishin anuluar vizitën e Papës, në fillim të korrikut, zhgënjimi qe i madh dhe shumë njerëz thanë: "Epo, kush e di nëse Papa do të vijë përsëri". Më pas, kur në fillim të dhjetorit u njoftua se do të bëhet kjo vizitë, u shpreh rishtas mosbesimi, si të donin të thoshin: “Të shohim nëse Ati i Shenjtë do të vijë vërtet, apo jo”. Ndaj ethet e pritjes së Atit të Shenjtë nisën që në fillim të janarit e, tashmë, edhe qeveria, ashtu si të gjithë, e presin me padurim. Një nga ministrat më tha: "Tani të gjithë besojnë vërtet në të, të gjithë po përgatiten, të gjithë shpresojnë që gjithçka të shkojë mirë, sepse është shumë e rëndësishme për ne që Papa të vijë të na inkurajojë". Kjo është me të vërtetë ndjenja e përgjithshme e popullatës, që e pret me gëzim të madh vizitën e Atit të Shenjtë, kryeipeshkvit të Canterbury-t dhe moderatorit të Kishës së Skocisë (Justin Welby dhe Iain Greenshields ed.)”.

Është vizitë, e cila shërben si mbështetje dhe inkurajim për një popull, që   e pret me shumë shpresa praninë e Papës…

“Populli i Sudanit të Jugut ka vuajtur shumë, e jo vetëm kohët e fundit, por prej vitesh. Mund të thuhet se që nga pavarësia e Sudanit nga britanikët, ose pak kohë më pas, pati ndeshjet e para me veriun, me qeverinë e Khartoum-it. Këto përleshje, kjo luftë civile, me një mori vdekjesh, masakrash e mizorish, vazhdoi gjatë gjithë këtyre viteve, me ndonjë ndërprerje të shkurtër aty-këtu, por gjithmonë me fill konflikti, lufte. Pastaj, në vitin 2011, erdhi pavarësia e shumëpritur e Sudanit të Jugut (nga Khartoumi) dhe të gjithë besuan në paqen; më në fund po të vinte. Por jo, pas 2-3 vitesh ia nisëm sërish, këtë herë me ndeshje fisnore, edhe më mizore se ato me veriun. Ky konflikt u qetësua disi, por ka ende përleshje në disa pjesë të vendit. Jo më në të gjithë territorin, por ende me të vdekur dhe të plagosur. Populli është vërtet i lodhur, nuk duron dot më, ka etje  për paqen! Çdo njeri dëshiron ta jetojë jetën në paqe, në drejtësi, t’i rrisë fëmijët në një vend ku kanë për të ngrënë,  ku mund të shkojnë në shkollë. E megjithatë, për shumë njerëz në Sudanin e Jugut, ky nuk është realitet, është thjesht një ëndërr, që nuk mundën ta jetojnë kurrë. Prandaj shpresojmë në ardhjen e Papës, shpresojmë se Françesku do të mund të sjellë pak paqe, pak qetësi në këtë vend, në mënyrë që më në fund të zhvillohet dhe ta jetojë drejtësinë e vërtetë, në të cilën të gjithë jo vetëm mund të ëndërrojnë, por edhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre!”.

Në vitin 2019 Papa u takua, në Vatikan, me prijësit më të lartë institucionalë të Sudanit të Jugut. Të gjithë e mbajnë mend figurën e fortë, me vlerë të lartë simbolike, të Françeskut, që përkulet për të puthur këmbët e liderëve dhe u kërkon të punojnë për të nisur rrugët e paqes… çfarë ndodhi me fjalët e Papës?

“Papa bëri këtë gjest shumë të fortë të puthjes së këmbëve të qeveritarëve, liderëve të Sudanit të Jugut e ata vetë, Presidenti Salva Kiir dhe Zëvendëspresidenti Riek Machar, më rrëfyen: ishin shumë të prekur nga ky gjest, aq shumë, se donin ta siguronin paqen me çdo kusht. Në fund mund të thuhet se që nga ajo ditë, nga 11 prilli 2019, nuk kishte më luftë të hapur, por mbeti në përmasa të vogla, vazhdoi në vende të ndryshme. Unë mendoj se ka njëfarë paaftësie politike për të arritur mirëkuptimin real ndërmjet fraksioneve të ndryshme, domethënë, për të arritur paqen dhe mendoj se Papa, në një farë mënyre, mund të ishte një ndërmjetës, ndoshta jo aq me fjalë, sa me personin e tij si Papë, si Bari i Kishës, duke pasur parasysh gjithashtu se udhëheqësit janë të krishterë, veçanërisht Presidenti Salva Kiir, i cili është katolik. Për të ka shumë rëndësi që Papa të vijë tani dhe ta inkurajojë. Unë besoj se Salva Kiir dëshiron me të vërtetë ta dëgjojë Papën dhe Françesku mund të ketë ndikim të fortë mbi udhëheqësit e Sudanit të Jugut, mund t'i inkurajojë ata dhe ata ta dëgjojnë. Unë besoj fort se ata mund të arrijnë mirëkuptimin e pritur, mbasi e dinë se është Papa, Bariu i Kishës, Vikari i Krishtit, ai që e dëshiron. E dëshiron edhe populli, tani ka presion nga të gjitha anët që liderët të sigurojnë paqen e vërtetë, e cila nisi në Romë, në Vatikan, me atë puthjen e famshme”.

Pikërisht këtu radhitet edhe vlera e rëndësishme dhe e fortë ekumenike e kësaj vizite. Në vend shumica dërrmuese e popullsisë është e i krishterë e Papa do të shoqërohet nga kryeipeshkvi i Canterbury-t dhe nga moderatori i Kishës së Skocisë. Kjo është një vlerë më shumë që radhitet në këtë mesazh të fortë paqeje…

“Pikërisht, e mendoj edhe se ky karakter ekumenik duhet të jetë edhe dëshmi nga ana e Kishës, për të thënë: ne, si Kishë, përpiqemi të jemi një,    përpiqemi, prandaj, të shtrëngojmë duart, përpiqemi të flasim me një zë. Ne e kërkojmë përsëri tani nga ju, udhëheqës, të flisni me një zë, të shtrëngoni duart dhe të punoni së bashku si udhëheqës të këtyre trojeve, si udhëheqës të kishave, për një vend më paqësor dhe më të drejtë. Kjo është diçka që dëgjohet shumë në Sudanin e Jugut. Populli, si dhe udhëheqësit e kishave, qofshin ata katolike, anglikane apo presbiteriane, janë para së gjithash sudanezë të jugut, në kërkim të paqes, e Kishat mund të ndihmojnë për ta arritur këtë paqe. Kishat që shtrëngojnë duart dhe punojnë së bashku për këtë projekt shumë të rëndësishëm paqeje, të bazuar mbi drejtësinë”.

Axhenda e Papës, si në çdo udhëtim, është jashtëzakonisht e ngarkuar. Ndoshta çasti më prekës do të jetë takimi i Françeskut me të shpërngulurit. Sa rëndon kjo vuajtje në vend?

“Ka miliona njerëz të zhvendosur në Sudanin e Jugut, do të thosha se pothuaj çdo familje ka të paktën një pjesëtar, nëse jo të gjithë, të zhvendosur. Shumë sudanezë të Jugut u detyruan të lënë fshatin e tyre, qytetin e tyre, për të shkuar në një vend tjetër, për shkak të luftës, të konfliktit. Për më tepër, kohët e fundit ka pasur shumë përmbytje, shkaku i të cilave nuk është më vetëm konflikti, por janë edhe fatkeqësitë natyrore, ekologjike, që rëndojnë mbi këtë komb. E kështu u mendua se ishte shumë e rëndësishme që Papa të mund t’i takonte këta njerëz, që jetojnë në kampet e shpërnguljes përreth Jubës dhe qyteteve të tjera të mëdha të Sudanit të Jugut. Kështu do ta shohë nga afër vuajtjen e  tyre, e jo më pak, edhe shpresën e tyre. E doemos, forcën e madhe të kontinentit afrikan. Pavarësisht nga mjerimi, në të cilin mund të jetojë njeriu, afrikanët  e kanë njëfarë shprese,  e presin – thënë nën zë -  njëfarë lumturie, buzëqeshin edhe në mjerimin më të thellë, gjë e cila është gati-gati inkurajim edhe për ne perëndimorët, që shpesh jemi të pakënaqur me gjendjen tonë. Duke jetuar me të shpërngulurit, e kuptojmë se sa me fat jemi, në krahasim me këta njerëz që me të vërtetë kanë humbur gjithçka dhe që shpesh duhet të rifillojnë nga e para dy ose tri herë në jetën e tyre, sepse humbasin shtëpitë e tyre, arat e tyre, për fat të keq, shpesh edhe të dashurit e tyre: fëmijë, gra, bashkëshortë, prindër. E megjithatë, duhet ta vazhdojnë jetën disi, ndaj ky më duket takimi ndoshta më i rëndësishëm për Papën, me këta njerëz, për të dëgjuar historitë e tyre, dëshmitë e tyre, për të kuptuar, edhe më thellë, se Krishti është me ta dhe se vuan me ta. Ja, pra, më duket se kjo është shumë e rëndësishme”.

02 shkurt 2023, 11:34