Misioni i Selisë së Shenjtë në OKB nënshkroi një memorandum kundër trafikimit
R. SH. - Vatikan
Përfaqësuesit e Grupit Shën Marta (shoqatë bamirëse, që nxit aleancat ndërmjet zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe Kishës Katolike në mbarë botën për të çrrënjosur trafikimin e qenieve njerëzore dhe skllavërinë moderne) dhe të Hetimeve për Sigurimin e Brendshëm të SHBA-ve u mblodhën, më 15 shkurt, në Misionin e Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, ku nënshkruan një marrëveshje partneriteti, vendimtare për parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. I pranishëm, kardinali Vincent Nichols, Kryetar i Grupit të Shën Martës, së bashku me Steve Francis, drejtor ekzekutiv i përkohshëm i Departamentit të Sigurisë së Brendshme (HSI), njësi e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përgjegjëse për dënimin e krimeve, që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore.
Lufta kundër trafikimit kërkon bashkëpunim në çdo sektor
“Me fitime kriminale, që i kalojnë 150 miliardë dollarë në vit, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore kërkon udhëheqje morale dhe bashkëpunim në të gjithë sektorët. Arritja e atyre pikave të bashkëpunimit, të cilat do të çojnë në konfiskimin e atyre, që Papa Françesku i quan gjithmonë 'paratë e gjakut' dhe në mundësinë për t’i ndihmuar viktimat e kësaj shuplake të shoqërisë - theksoi Steve Francis - varet nga partneritetet e bazuara në mirëbesim. E pikërisht kjo marrëdhënie besimi, e krijuar vitet e fundit ndërmjet Grupit të Shën Martës dhe HSI (të Sigurisë Kombëtare), na çoi në këtë marrëveshje". Ai vazhdoi duke saktësuar se marrëveshja "ofron modelin e punës së bashku, gjë që mund të sjellë ndryshime të dukshme në luftën kundër këtij krimi të shëmtuar, të shërojë plagën e trafikimit të qenieve njerëzore dhe të inkurajojë botën në përpjekjen për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.
Qëllimi është ndërgjegjësimi për fenomenin dhe parandalimi
Francis rikujtoi se nënshkrimi i memorandumit nënvizon objektivin e përbashkët të HSI dhe Grupit të Shën Martës për ta çrrënjosur trafikimin e qenieve njerëzore në mbarë botën. "Dëshmon edhe se forcat e rendit dhe bashkësia fetare, duke punuar së bashku, mund të ndihmojnë për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore, të sigurojnë drejtësinë dhe t’ua lehtësojnë jetën të mbijetuarve."
Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, pohoi se “trafikimi i qenieve njerëzore është krim dhe cenim i dinjitetit të viktimave, i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore”. Trafikimi nuk ka kufij, e as një shkak të vetëm. Lufta kundër këtij fenomeni - theksoi Prelati - duhet të bëjë hapa të sigurta shumëdimensionale dhe të koordinuara. Misioni i Selisë së Shenjtë - përfundoi - ka kënaqësinë të mirëpresë këtë ceremoni të rëndësishme nënshkrimi, që shënon njohjen formale të bashkëpunimit të kahmotshëm, përmes të cilit i ndihmon, e do të vazhdojë t’i ndihmojë, një mori viktimash të trafikimit.