Lufta, që duhet ndalur
R.SH. - Vatikan
Andrea Tornielli
Një vit pas agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, më se 17 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare në vendin e sulmuar, tetë milionë janë refugjatë jashtë tij dhe gjashtë milionë janë zhvendosur brenda tij. Viktimat civile duhet të jenë më se njëzet mijë, ndërsa rreth njëqind mijë, viktimat ushtarake në të dyja frontet. Para kësaj masakre pa kuptim në zemër të Evropës së krishterë, ku luftojnë ushtarë me të njëjtin pagëzim në Krishtin, masakër që po e çon njerëzimin drejt vetëshkatërrimit me hapa gjithnjë e më të shpejtë, nuk mund të mos bëhet pyetja dramatike, që Pasardhësi i Pjetrit ia drejtoi bashkësisë ndërkombëtare dhe secilit prej nesh: "A është bërë gjithçka e mundur për ta ndalur luftën?". Vështirë të përgjigjesh me “po”, para paaftësisë për t’u shprehur dhe para mungesës së krijimtarisë së diplomacive dhe të organizmave ndërkombëtare. Vështirë të përgjigjesh me “po”, para shpejtimit të garës së armatimit dhe retorikës militariste të mendimit të vetëm, që hedh poshtë me forcë çdo dyshim për shkallëzimin e luftës.
Papa Françesku ka bërë thirrje të panumërta, duke e ngritur zërin në përkim me paraardhësit e tij, "Jo luftës!". Është e njëjta "Kurrë më luftë!", që pati kërkuar me përgjërim Shën Pali VI para asamblesë së Kombeve të Bashkuara, më 4 tetor 1965; është po ajo "Kurrë më luftë!" – thirrje, që Shën Gjon Pali II, i sëmurë dhe fatkeqësisht i padëgjuar, e pati bërë në Engjëllin e Tënzot të 16 marsit 2003, për të shmangur pushtimin famëkeq të Irakut, pasojat e të cilit janë ende të dukshme për të gjithë, pasi për vite me radhë, ai vend u shndërrua në laboratorin e çdo terrorizmi fundamentalist.
Thirrja e Papës Françesku u drejtohet “atyre, që kanë autoritet mbi kombet, për t’u impenjuar konkretisht në favor të përfundimit të konfliktit, të arritjes së armëpushimit dhe të fillimit të bisedimeve për paqen”. Sepse ajo, që “ndërtohet mbi rrënoja, nuk do të jetë kurrë fitore e vërtetë”. E, plagët e urrejtjes dhe të pakënaqësisë, shkaktuar nga barbaria e luftës, do të mbeten të hapura sigurisht më gjatë se koha e nevojshme për rindërtimin e Ukrainës.
Para gjithë kësaj, përkushtimi i atyre që ndihmojnë viktimat dhe presin të shpërngulurit, duke dëshmuar rrugën e vëllazërimit, të paqes e jo atë të dhunës, është shenjë konkrete shprese. Ka një shoqëri civile, që ecën, lutet, punon dhe i kërkon Zotit paqen, si ajo që do të marrshojë sonte nga Peruxhia në Asizi. Një shoqëri civile, zëri i së cilës meriton më shumë hapësirë. Ka njerëz, besimtarë e jo, që i kërkojnë agresorit Vladimir Putin të ndalet dhe i nxisin të gjitha qeveritë – duke filluar nga ato të vendeve më të fuqishme – të vënë bast për paqen dhe jo për pashmangshmërinë e një konflikti shkatërrimtar, që është gjithnjë e më tepër i destinuar të ndikojë në të ardhmen e Evropës dhe të gjithë njerëzimit. A po bëjmë ç’është e mundur për ta ndalur këtë luftë?