Kreshmët, rrugë kthese dhe sinodaliteti
R. SH. - Vatikan
Kreshmët dhe bukuria lidhen ngushtë nga Françesku në mesazhin kreshmor të këtij viti. Lidhje e rrallë, e nënvizuar nga Papa me episodin e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor. Nga njëra anë, Zoti që rrezaton dritën e Tij na kujton se bukuria rrjedh nga ndryshimi, nga përpjekja për ta rimenduar veten, domethënë si kthim në fe, ndërsa prania e apostujve: Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit na zbulon se bukuria është përvojë kolektive, intime, por jo private, prandaj, në gjuhën kishtare, përvojë sinodale. Këtë nënvizoi kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, gjatë paraqitjes, sot paradite, të mesazhit të Papës në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Kujtoi kardinali Michael Czerny:
Nxitja e Françeskut është ta jetojmë lutjen dhe agjërimin për të përmirësuar botën. Është thirrje për bamirësi dhe për zhvillimin integral njerëzor, në një botë ku duhet të pyesim veten nëse nuk është indiferenca jonë ajo që e bën më të vështirë shtegtimin për ata që e jetojnë jetën si "ngjitje në vise shumë të pjerrta". Detyra e Kishës - kujtoi Kardinali Czerny - është të ndihmojë për zhdukjen e pengesave dhe të ngarkesave, që e frenojnë zhvillimin njerëzor, jetën e begatë, pa luftëra, me paqe të përhershme! Kjo, ëndrra e njerëzimit! Në këtë kuptim, "situata që pasoi pandeminë është ende e pasigurt, e lufta në Ukrainë nuk duket se ka mbaruar" e është vetëm një ndër dhjetëra të tjera, ndoshta ndër të gjitha, ajo që zbulon më qartë se bota e tërë është para rrezikut të shkatërrimit”, nënvizoi kardinali, duke kujtuar gjithashtu se “tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri na kujton katastrofat e shumta natyrore të një krijimi, që duket sikur këlthet, rënkon dhe vuan”.
Ndihmë për Kishën që Vuan pranë viktimave të tërmetit në Siri dhe Turqi
Vëmendjen ndaj atyre që vuajnë nga këto tragjedi e tërhoqi edhe Sandra Sarti, kryetare e Fondacionit Papnor “Ndihmë për Kishën që Vuan”, i cili realizon pesë mijë projekte në rreth 140 vende, pa harruar kurrë se në plan të parë është mbrojtja e lirisë së të krishterëve në të gjithë botën, ku kërcënohen 26 kombe, me 416 milionë njerëz. “Angazhimi i NDKV-së në Turqi dhe Siri ishte i menjëhershëm dhe i begatë - shpjegon Sarti. Sidomos në Siri, falë kontaktit me kishat lokale, tashmë u mblodhën më se gjysmë milioni euro, të destinuara jo vetëm për mallra emergjente, si uji, ushqimi, qumështi dhe materialet e higjienës personale, por edhe për krijimin e një ekipi inxhinierësh, që po u japin vendasve ndihmesën për rindërtimin mbi rrënoja!
Së bashku, drejt majës
Në mesazhin e Papës Françesku për Kreshmën, vërehet një paralelizëm i fortë ndërmjet asketizmit të Taborit dhe ecjes ndër shtigje të thepisura malesh, “një rrugëtim në të përpjetë, që kërkon përpjekje, flijim, përqendrim”, por në fund të befason me panoramën që hapet para sysh dhe ta shpërblen mundimin me mahnitje! E Mali nis e na kujton edhe etjen tonë për Zotin" - përsërit Don Walter Magnoni, kreu i bashkësisë baritore kushtuar Zojës Lourdë, në Lecco, profesor i etikës shoqërore në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, në Milano. Don Magnoni themeloi në bashkësinë e tij edhe shoqërinë "E diela ndër male". Bashkësi besimtarësh që, pas Meshës, "ecin së bashku" deri në majë, ndajnë ushqimet që kanë marrë me vete dhe lexojnë së bashku Predikimin mbi Mal.
Fushata e Dikasterit të Zhvillimit Njerëzor për Kreshmën 2023
“Me Të në mal. Ngjitja e Kreshmëve, udhë solidariteti”- kështu titullohet edhe fushata për Kreshmët 2023 e Dikasterit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Duke filluar nga e Mërkura e përhime dhe për çdo javë, deri për Pashkë, do të paraqitet në faqen e internetit dhe në rrjetet sociale të Dikasterit, një nga shtegtimet simbolike, që nis me një reflektim të marrë nga mesazhi i Papës e përfundon me një ngjitje ndër maja! Duke filluar nga përgatitja për shtegtimin domethënë, nga zgjedhja e gjërave më të domosdoshme që mund të merren me vete në të përpjetat e të tatëpjetat, tek ecja në grup "secili me ritmin e vet", tek rëndësia që ka "aftësia për ta ndihmuar njëri-tjetrin në vështirësi" e deri te mbërritja në maja, ku të hapet para sysh "panorama mahnitëse" dhe shikon me “sytë e shpirtit” Shndërrimin e Krishtit para apostujve, duke e ndjerë edhe veten një prej tyre!