Kërko

 Giornata della Vita Consacrata Giornata della Vita Consacrata

Kardinali Braz de Aviz do të kremtojë Meshën e 2 shkurtit për jetën e kushtuar

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Jetën e Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike Kardinali João Braz de Aviz do të kryesojë, nesër më 2 shkurt , Meshën në bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romës, në mungesë të Papës, i cili është i angazhuar në një udhëtim apostolik në Afrikë

R. SH. - Vatikan

Në festën liturgjike të Paraqitjes së Jezusit në Tempull, më 2 shkurt, çdo vit kremtohet Dita botërore e jetës së shuguruar, dita e jetës rregulltare. Me rastin e kësaj Dite, të gjithë rregulltarët e personat e jetës apostolike do t’i ripërtërijnë kushtet e jetës së tyre rregulltare, për të qenë, sipas porosisë së Krishtit, "drita e botës dhe kripa e tokës", për të punuar për paqe e vëllazëri, duke pranuar ftesën e Papës për të qenë "burra e gratë që e ndriçojë të ardhmen".

Traditat liturgjike të krishtera lindore dhe perëndimore, më 2 shkurt, kremtojnë ditën e dyzetë pas lindjes së Krishtit si një festë të madhe; është festa e hyrjes së tij, e paraqitjes së tij në tempull, siç e gjejmë të rrëfyer në perikopenë ungjillore të Lukës (Lk2, 22-40).

Sivjet rregulltarët e rregulltaret, përmes lutjes së tyre, mbështesin Papën Françesku, i cili, në përisht në përkim me festën liturgjike të Paraqitjes të Jezusit në Tempull dhe me Ditën Botërore të Jetës së Kushtuar, gjendet në Afrikë, në udhëtimin e tij të 40-të apostolik, në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut, vende "ku shumë rregulltarë e rregulltare dhe njerëz të jetës së kushtuar, kryejnë misionin e tyre në kontekste të varfërisë dhe të mënjanimit social”. Përmes një njoftimi për shtyp. Dikasteri i Selisë së Shenjtë që merret me Jetën Rregulltare bën të ditur se, nesër më 2 shkurt, Kardinali João Braz de Aviz do të kryesojë në ora 18.00, në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, Meshën solemne për ditën e festës së rregulltarëve, e cila do të paraprihet, në orën 17.15 nga lutja e Rruzares Shenjte.

Thirrja të kemi dhembshuri dhe përzemërsi

Prefekti i Dikasterit të Vatikanit, së bashku me sekretarin kryeipeshkvin José Rodriguez Carballo, kanë nënshkruar edhe një letër, drejtuar rregulltarëve e rregulltareve të çdo urdhri dhe shkalle të jetës së kushtuar, në të cilën, ndër të tjera, përmendet rrugëtimi sinodal që Kisha ka ndërmarr. Kisha është e thirrur të "zgjerojë rrjetin", domethënë t'i japë forcë të re veprimit misionar. Misioni - shkruajnë krerët e dikasterit të Vatikanit duke cituar fjalët e Papës mbi itinerarin e Sinodit - "na jep mundësinë t'i rikthehemi stilit të Zotit që është dhembshuria, afërsia dhe butësia", që shprehet me fjalë, me prani, me lidhjet e miqësisë”. 

Me Kishën në rrugën e sinodalitetit

Ndaj të gjithë grishemi të ecim me Kishën në rrugën e sinodalitetit, me pasurinë e karizmave e të jetëve tona, pa i fshehur lodhjen, as plagët. Atëhere pjesëmarrja bëhet përgjegjësi: “Nuk mund të mungojmë, nuk mund të mos jemi ndërmjet tjerëve e me të tjerët  në përgjigjen për t’u bërë Kishë sinodale”. Sepse ëndrra misionare realizohet kur arrijmë tek të gjithë, kujdesemi për të gjithë, ndjehemi motra e vëllezër me të gjithë, ecim të gjithë së bashku në jetë e në histori, që është histori e shëlbimit!”

Dita e Jetës së Kushtuar, thuhet akoma në letër, i shtyn njerëzit rregulltarë dhe të kushtuar të pyesin veten se çfarë harmonie kemi me zemrën e Zotit. Dhe përgjigja ndaj kësaj pyetjeje përbën, nënvizon njoftimi, shtyllën kurrizore të këtij vokacioni specifik, që “në çdo pjesë të botës" është i "thirrur të dëshmojë Ungjillin duke u kujdesur për më të brishtët e shoqërisë, për ata njerëz që janë viktima të padrejtësive dhe të pabarazive sociale, duke bërë gjeste solidariteti, duke u angazhuar për ndërtimin e një të ardhmeje në paqe dhe të një bote në të cilët të gjithë njerëzit mund ta pranojnë e respektojnë njëri-tjetrin si vëllezër e motra”.

01 shkurt 2023, 12:21