Kërko

 Misioni i prefektit të Dikasterit të Kishave Lindore, Claudio Gugerotti, ndër zonat e dëmtuara nga tërmeti në Siri e Turqi. Misioni i prefektit të Dikasterit të Kishave Lindore, Claudio Gugerotti, ndër zonat e dëmtuara nga tërmeti në Siri e Turqi. 

Gugerotti: izolimi i një populli nuk ndihmon askënd

Prefekti i Dikasterit për Kishat Lindore kujton udhëtimin në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi e Siri dhe fton të bashkëpunohet me R.O.A.C.O (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore) për t’i kanalizuar ndihmat në mënyrë të sigurt. Në veçanti, gjatë dy ditëve të kaluara në Haleb, të shtunën 18 dhe të dielën 19, mundi të takohet me familjet e shumta, që u ndodhën përkohësisht nën strehët e bashkësive fetare të krishtera dhe myslimane, ose në ndërtesa publike, si shkollat

R. SH. - Vatikan

Prefekti i dikasterit të Kishave Lindore, Kryeipeshkvi Claudio Gugerotti, i përfundoi vizitat në Siri e në Turqi, në marrëveshje me Nunciaturat Apostolike të dy vendeve pas tërmetit të tmerrshëm, që i tronditi rëndë të dy vendet. Në veçanti, gjatë dy ditëve të kaluara në Haleb, të shtunën 18 dhe të dielën 19, mundi të takohet me familjet e shumta, që  u ndodhën përkohësisht nën strehët e bashkësive fetare të krishtera dhe myslimane, ose në ndërtesa publike, si shkollat. Ishin çaste të jashtëzakonshme, të jetuara vetëm me nënat, njerëzit me aftësi të kufizuara e të moshuarit.

Përveç realitetit të Halebit - ku u aktivizua një komision urgjent që përfshin të gjitha konfesionet e krishtera të qytetit – u krijuan mundësitë të studiohen edhe ato të bregdetit, të Lattaquie dhe të provincës së Idlibit. Në marrëveshje me Nunciaturën Apostolike, në Damask, veprimtaria e së cilës është e palodhur dhe themelore, do të punohet për mbështetjen e Komisionit Ipeshkvnor në Shërbim të Bamirësisë, me përfshirjen edhe  të bashkëpunëtorëve të kualifikuar.

Më poshtë, intervista me Imzot Claudio Gugerottin:

Shkëlqesi, cila është gjendja juaj shpirtërore pas kthimit nga vizita në Turqi dhe në Siri, ndër dy vendet pothuajse të rrafshuara nga tërmeti?

“Pata përshtypjen se jemi ende në mes të dramës, mbasi nuk është e sigurt se lëkundjet kanë përfunduar. Njerëzit, që janë mësuar gjithnjë me vështirësitë, duan të largohen nga shtëpitë e tyre. Është themelore, përndryshe rrezikojnë jetën! Rikthehen pastaj, por kur përsëritet ndonjë lëkundje e fortë ikin me vrap. Është ky lloj stresi emocional, që i trondit më shumë, i lidhur, pastaj, edhe me situatat e ndryshme të dy vendeve. Në Turqi situata është më e përmbajtur, ndoshta do të kemi më shumë frikë kur të numërojmë të vdekurit, sepse numri që kemi është ai i të vdekurve të gjetur, por pikërisht nën ndërtesat absolutisht të paqëndrueshme, me beton të parregullt, ka dhjetëra e mijëra kufoma. Turqia, që merr ndihmë ndërkombëtare, e centralizon përmes një institucioni qeveritar, që pastaj ndërhyn nga njëra anë për të koordinuar dhe nga ana tjetër, edhe më e vështirë, për të menaxhuar. Ndryshe, situata në Siri. Është vend i shkatërruar. Dymbëdhjetë vjet luftë, e veçanërisht rezultatet e disa aspekteve të sanksioneve, i kanë zhytur njerëzit në mjerim.

Ndihma e Papës për Turqinë dhe Sirinë e goditur nga tërmeti, paraprirë nga thirrja: “Të mos i harrojmë ata që vuajnë”…

“Isha në Siri 25 vjet më parë, por nuk e njoh më, është botë e tretë. Pagat janë pothuajse të papërfillshme, nuk ka punë, ka emigrim të madh, qytetet janë shkatërruar nga bombardimet. Nuk mund ta dalloj ndryshimin e bombardimeve nga tërmeti. Njerëzit janë zbehur, nuk kanë më shpresë. Çka i ndihmon, është vetëm fatalizmi tipik oriental. Janë mësuar të thonë për gjithçka: 'në rregull, s’ke ç’i bën, ndodhi, le të shpresojmë në Zotin'! Myslimanët e të krishterë e thonë me të njëjtën formulë, në arabisht. Situata aktuale e luftës dhe e masave ndëshkimore e bën shumë të vështirë mundësinë për t’i ndihmuar: për të marrë viza duhet shumë kohë, transmetimi i parave është i pamundur, pastaj ka zona që janë nën kontrolle të ndryshme. Ka, pastaj, edhe disa grupe që nuk dëgjojnë askënd tjetër, veç vetvetes! E duhet të them edhe se shumë kombe evropiane kalojnë përmes grupeve disidente në terren, sepse kanë një qëndrim politik më të ngjashëm, por nuk kontrollojnë se ku shkojnë paratë e ndihmave.  Nëse nuk do të ishin disa françeskanë, që kujdesen, me mprehtësinë mendore dhe imagjinatën e pafund, tipike vetëm për orientalët, të gjejnë pak a shumë kanale alternative ligjore, njerëzit do të mbeteshin me dorën e shtrirë, bosh! Unë shkova para së gjithash për të çuar bekimin, afërsinë dhe dashurinë e Atit të Shenjtë, por edhe për t'i ndihmuar konkretisht si dhe për t'u thënë organizatave se çfarë nuk duhet të bëjnë kur duan të dërgojnë ndihma”.

24 shkurt 2023, 15:29