Kardinali Grech Kishave të Oqeanisë: sinodaliteti duhet të orientojë në mision
R.SH. / Vatikan
Që Kisha të jetë në këtë fazë historike mozaik teserash, të bashkuara nga emëruesi i përbashkët i sinodalitetit, mund të kuptohet nga gjeografia dhe nga ndërthurja e emërimeve të këtyre ditëve. Në Pragë do të mblidhet, këtë javë, Asambleja Kontinentale Evropiane e, në të njëjtat ditë, në Suva, ishujt Fixhi sot e deri të premten e ardhshme do të vijojnë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ipeshkvijve të Federatës së Konferencave Ipeshkvnore Katolike të Oqeanisë (FCBCO). Tema e saj kryesore do të jetë ajo sinodale.
Guximi për të ndryshuar opinionin
Pikërisht këtij takimi – në të cilin mblidhen së bashku ipeshkvijtë e Australisë, Zelandës së Re, Papua Guinesë së Re, Ishujve Solomon dhe zonave të tjera të Paqësorit - kardinali Mario Grech i drejtohet me një mesazh video për të riafirmuar "qëndrimin thellësisht sinodal" me të cilin duhet jetuar ballafaqimi, atë të "dialogut, e vetmja rrugë gjatë së cilës mund të rritemi si Kishë". Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve saktëson stilin e këtij dialogu me fjalë të sinqerta, me kusht që të “shoqërohet nga dëgjimi i përvuajtur”. Kjo - vijon Prelati - “ka rëndësi të vijojë gjatë gjithë Sinodit, e edhe gjatë Asambleve kontinentale. “Mos kini frikë të flisni - bën thirrje - As mos kini frikë të dëgjoni, të bëni përpjekje për t’i mirëpritur dhe për t’i kuptuar të tjerët. E, mos kini frikë as të ndryshoni mendjen, mbi bazën e asaj që dëgjoni."
Duke përsëritur se "sinodaliteti funksionon, kur orientohet drejt shërbimit të misionit", kardinali Grech përfundoi me argumentimin se ky "ushtrim kishtar i aftësisë dalluese" - sa më shumë të jetë në gjendje për të dëgjuar zërin e Shpirtit Shenjt e për të kuptuar për çka po i fton Kishat e çdo kontinenti, aq më nxitëse do të jetë Asambleja Sinodale tetorin e ardhshëm”
Czerny: indigjenët na mësojnë prej shekujsh mbrojtjen e krijimit
Në orën 16:00 me orën lokale të Fixhit, Kardinali Czerny - i cili kryesoi Meshën e hapjes në mëngjes, me një predikim të përqendruar tek thirrja e krishterë për të qenë kripa dhe drita e botës – hapi edhe punimet e Asamblesë së ipeshkvijve të Oqeanisë. Preku dy tema kryesore: atë të ndryshimit të klimës dhe të sinodalitetit. Duke shtjelluar të parën, kardinali mori shkas nga Laudato si' dhe nga koncepti kyç që i jep emrin Dikasterit të drejtuar prej tij, "zhvillimi integral njerëzor". Nëse toka e harlisur e Fixhit, që mirëpret takimin ipeshkvnor, është shembull i një dheu të bekuar nga Zoti, kjo pasuri speciesh dhe burimesh, nënvizoi ai, tregon anën e kundërt të medaljes, atë të shfrytëzimit të padrejtë”, i cili të kujton plagë të tjera si pirateria, ndotja detare, erozioni i bregdetit dhe mbi të gjitha “ikje e dëshpëruar” e migrantëve klimatikë. E në vijim, kreu i dikasterit, në vazhdën e mësimit të Papës Françesku, i nxiti barinjtë t’i "denoncojnë" të gjitha rrethanat, në të cilat kërcënohet jeta dhe natyra dhe të kumtojnë "këndvështrimin e mbrojtjes së Krijimit, që na e mësojmë - nënvizoi - "vëllezërit dhe motrat tona autoktone", të cilët u kujdesen për Krijimin "në shekuj".
Sinodi, forcë që shëron plagët dhe nxit vegimet
Ky angazhim i denoncimit dhe i kumtimit - vazhdon kardinali Czerny – kërkon, megjithatë, një fazë reflektimi e dallueshmërie të përshtatshme për procesin sinodal, aspekt, ky, i nënvizuar mirë, kujton ai - në letrën dërguar javën e kaluar nga kardinajtë Grech dhe Hollerich. Sinodalitet do të thotë "ndryshim", shpjegoi kardinali Czerny, "kthesë baritore dhe misionare" e gjithë Kishës, që "nënkupton përtëritjen e mendësive, të qëndrimeve, praktikave dhe strukturave", sepse pikërisht këtë pret sot "Zoti nga Kisha".
Qëllimi i Sinodit, përfundoi Hirësia e Tij, "është të mbjellë ëndrra, të nxisë profeci dhe vizione, ta bëjë të lulëzojë shpresën, të frymëzojë besimin, të shërojë plagët, të endë marrëdhënie, të zgjojë një agim shprese".