Kërko

Mesha për Ukrainën, kryesuar nga imzot Paul Richard Gallagher Mesha për Ukrainën, kryesuar nga imzot Paul Richard Gallagher

Gallagher: një vit lufte rrënqethëse në Ukrainë, por Zoti është me ne gjithnjë

Dje pasdite, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare dhe Eksarku Apostolik për besimtarët katolikë ukrainas të ritit bizantin me banim në Itali kremtuan një meshë për vendin e shkatërruar nga një vit konflikti me Rusinë, duke shprehur dhimbjen e thellë për gjendjen, por edhe duke nxitur të interpretohen ngjarjet e historisë në dritën e Fjalës së Zotit

R.SH. – Vatikan

“Jo pa shqetësim, kremtojmë një meshë për paqen e popullit ukrainas”, ndërsa afrohet ngjarja e trishtë e një vjetorit të luftës. Me këto fjalë, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, kremtoi dje pasdite në Romë, meshën e parë ndër shumë të tjera, promovuar nga ambasada e Ukrainës në Selinë e Shenjtë. Bazilika madhështore e Shën Andreut della Valle ishte korniza e kësaj meshe, kremtuar së bashku me Eksarkun Apostolik për besimtarët katolikë ukrainas të ritit bizantin me banim në Itali.

Përpjekjet diplomatike nuk janë në gjendje ta thyejnë spiralen e dhunës

Ngjarjet, për të cilat jemi dëshmitarë, vërejti imzot Gallagher gjatë homelisë, “dukeshin të pamundura dhe është e tmerrshme që kjo po ndodh në shekullin e 21-të, me vuajtje të paimagjinueshme. Lajmet e luftës, që mbërrijnë nga fronti janë gjithnjë e më shqetësuese, as përpjekjet diplomatike duket se nuk janë në gjendje ta thyejnë spiralen e dhunës”.

Të mësojmë nga Zoti si të falim

Megjithatë, imzot Gallagher ftoi të ndiqet logjika e Zotit: “Më i madhi nuk është ai që i detyron të tjerët ta shërbejnë, por ai, që bëhet i vogël dhe e respekton lirinë e tjetrit, nuk e shtyp atë, madje, e kupton se qëndrimi i kundërt është fryerje për vetë Hyjin”.

Zoti, shtoi imzot Gallagher, “na kujton se liria jonë është dhuratë e madhe e Tij. Vërtet, Ai i Lumi, duke na ofruar të mirën, nuk na e imponon kurrë e na lejon ta zgjedhim vetë. Duke bërë të mira, nuk na kursehet e keqja, por kështu, jemi të sigurt se Zoti është me ne, duke mësuar prej Tij si të falim, jo ditën e Pashkëve, por kur jemi në kryq”.

Na jep o Zot, dhuratën e dashurisë

Në fund të homelisë, Sekretari vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet kërkoi lutje që Zoti “t’ua ndryshojë zemrat” të gjithëve, që bota të ecë përsëri në shtigjet e paqes", duke ia besuar "ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, Ukrainën dhe popullin e saj të dashur” me "Lutjen" e poetit Taras Shevchenko: "Dikoje forcën tënde mbi mendjet dhe duart, që derdhin djersën për këtë tokë. Na jep o Zot, pikërisht në këtë tokë, dhuratën e dashurisë, atë parajsë të këndshme dhe asgjë më tepër”.

22 shkurt 2023, 12:19