Saleziani don Mauro Mantovani është prefekti i ri i Bibliotekës
R.SH. - Vatikan
Prefekti i ri të cilin Papa e ka vendosur në krye të një prej institucioneve më të vjetra të Vatikanit, Bibliotekës Apostolike, një thesar dokumentesh, jo vetëm librash, që mburret me mbi gjashtë shekuj histori, është saleziani don Mauro Mantovani, – të cilin Papa Françesku e ka emëruar sot në vend të Imzot Cesare Pasini. 57 vjeç me origjinë nga Moncalieri, në zonën e Torinos, don Mantovani hyri ndër salezianë në fund të viteve 1980 dhe u shugurua meshtar në vitin 1994. Më vonë kreu doktoraturën në filozofi dhe letërsi në Universidad Pontificia de Salamanca (Spanjë) dhe në 2011 një doktoraturë tjetër në Teologjinë Tomiste në Universitetin Papnor Angelicum në Romë.
Ka dhënë mësim në universitetin e kongregatës së Salezianëve ku, ndër të tjera, ka qenë dekan i Fakultetit Filozofik dhe i Fakultetit të Shkencave të Komunikimit Social përpara se të mbante përfundimisht postin e rektorit. Aktualisht është anëtar i Akademisë Papnore të Shën Tomës së Akuinit dhe i Komitetit Shkencor të Agjencisë së Selisë së Shenjtë për Vlerësimin dhe Promovimin e Cilësisë së Universiteteve dhe Fakulteteve Kishtare (Avepro).
Biblioteka Apostolike e Vatikanit, shkruhet në Praedicate Evangelium, është një instrument i shquar i Kishës për zhvillimin dhe përhapjen e kulturës, në mbështetje të veprimtarisë së Selisë Apostolike. Ajo ka për detyrë, nëpërmjet seksioneve të saj të ndryshme, të mbledhë dhe të ruajë një trashëgimi shumë të pasur të shkencës dhe artit dhe t'ua vërë në dispozicion studiuesve që kërkojnë të vërtetën.