Dhimbja e Papës për aksidentin vdekjeprurës të një autobusi në Panama
R. SH - Vatikan
Në një telegram ngushëllimi, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, Papa Françesku shpreh “trishtimin e thellë” për lajmin e aksidentit rrugor që ndodhi dje në Panama. Të paktën 39 persona humbën jetën në bordin e një autobusi, që transportonte emigrantë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, i cili u përplas në një shkëmb. Papa Françesku, thuhet në telegramin drejtuar kardinalit panamez José Luis Lacunza Maestrojuán, "bashkohet me dhimbjen e familjeve e miqve të viktimave dhe lutët për shërimin e të plagosurve".
Dhjetëra të plagosur
E fatkeqësisht mes të plagosurve janë të paktën dhjetë fëmijë, disa prej tyre në gjendje të rëndë. Autobusi në të cilin udhëtonin gjithsej 66 persona ishte marrë me qira nga qeveria panameze për t'u mundësuar emigrantët të arrinin në Kosta Rika dhe më pas të vazhdonin udhëtimin e tyre për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti panamez, Laurentino Cortizo, ka shpreh ngushëllimet e tij dhe "trishtimin e madh". Qeveria, tha ai, "shpreh ngushëllimet e saj të dashurve të atyre që vdiqën në këtë aksident dhe rithekson angazhimin e saj për t'u ofruar ndihmë humanitare dhe kushte dinjitoze" migrantëve. Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez, informoi se në mesin e të vdekurve ka edhe shtetas kubanë, ndërsa autoritetet panameze nuk specifikuan detaje në lidhje me kombësinë e viktimave tjera.
Numri rekord i migrimit
Numri i emigrantëve që drejtohen për në SHBA-së që mbërrijnë në Panama përmes rrugës tokësore është pothuajse dyfishuar brenda një viti, duke arritur një rekord 248.000 në vitin 2022. Më shumë se gjysma e këtyre njerëzve që kalojnë nëpër pyllin Darién janë venezuelianë, shumë janë edhe haitianë, kubanë dhe qytetarë afrikanë ose aziatikë .