Kërko

Imzot Caccia: tregu i punës ka nevojë për një etikë të re të së mirës së përbashkët

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara Imzot Caccia bën thirrje për rishikimin e politikave të punësimit, të cilat duhet të "promovojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe ekonomik". Vetëm kështu, gratë dhe burrat mund të vihen vërtet në shërbim të shoqërive

R.SH. – Vatikan

Diskriminimi i personave jo në rininë e parë dhe i të moshuarve, papunësia e të rinjve, trajtimi i pabarabartë për gratë, puna e fëmijëve: këto janë pasojat e krizës serioze të punësimit, që po përjeton bota. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, kryeipeshkvi Imzot Gabriele Caccia, vuri në dukje pikërisht këto problematika në Nju Jork, gjatë seancës së 61-të të Komisionit për Zhvillimin Shoqëror, me titull "Të arrihet punësimi i plotë e produktiv dhe puna e denjë për të gjithë si mënyrë për të kapërcyer pabarazitë, për të shpejtuar rimëkëmbjen nga pandemia Covid-19 dhe zbatimin e plotë të Agjendës 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm”. Kriza në botën e punës, shpjegoi përfaqësuesi i Vatikanit, vjen pjesërisht "për shkak të ndryshimeve themelore dhe strukturore, që rrjedhin nga ekonomia globale në rritje, nga pandemia e Covid-19 dhe nga paqëndrueshmëria ciklike financiare", gjë që ka krijuar mendësinë se " puna nuk është për njeriun, por njeriu është për punën”. Kështu, bota e punës ka përfshirë në vetvete kulturën “përdor e hidh”.

Më në rrezik, të moshuarit, të rinjtë dhe gratë

Për më të moshuarit ka një diskriminim të padrejtë, pasi supozohet se “kanë më pak aftësi për të mësuar dhe për të prodhuar në krahasim me grupmoshat e tjera". Nga ana tjetër, në disa raste, pensionistët detyrohen ta vazhdojnë punën, pasi pensioni u del i vogël. Kudo në botë, gjendja e të rinjve është dramatike, pasi jo vetëm nuk kanë punë, por shpesh kanë punë të pasigurta, me të ardhura të ulta. Edhe gratë penalizohen në punë, sidomos për shkak të shtatzanisë. Imzot Caccia theksoi se asnjë grua "nuk duhet detyruar kurrë të zgjedhë ndërmjet familjes dhe punës". Më tej, ai denoncoi shfrytëzimin e fëmijëve, që detyrohen të punojnë se nuk kanë mjete të tjera jetese për vete e për familjen; vuri në dukje mënyrat e reja për të ulur koston e punës, përfaqësuar nga "pagat e papërshtatshme, orari i zgjatur dhe kontratat e pasigurta”.

Njeriu në qendër të politikave të punës

Sipas prelatit, duhet rimenduar “baza e vërtetë e vlerës dhe e dinjitetit të punës”, përmes politikave, që "promovojnë zhvillimin e gjithanshëm njerëzor dhe ekonomik", duke vënë në qendër njeriun dhe dinjitetin njerëzor. Thelbësor, “investimi në politikat e mbrojtjes sociale, që ndihmojnë familjen”.

14 shkurt 2023, 16:53