Kërko

Atë Luigi Sabbarese Atë Luigi Sabbarese 

Atë Luigi Sabbarese emërohet referues për mbrojtjen e të miturve në Vatikan

Kardinali Gambetti emëron referues për mbrojtjen e të miturve në Vatikan, Atë Luigi Sabbarese-n, 60 vjeç, nga Salerno, qysh nga viti i kaluar, edhe vikar gjyqësor i Gjykatës Kishtare të Qytetit të Vatikanit.

R. SH. - Vatikan

Kardinali Mauro Gambetti, vikar i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për qytetin e Vatikanit, më 29 dhjetorin e kaluar emëroi atin skalabrinian Luigi Sabbarese, referues për mbrojtjen e të miturve në Vatikan.

Kjo detyrë - njofton për shtyp Vikariati - u caktua për zbatimin e Motu Proprio-s të Atit të Shenjtë "Për mbrojtjen e të miturve dhe personave të pambrojtur", të 26 marsit 2019 e, në veçanti, të "Udhëzimeve për mbrojtjen e të miturve dhe të pambrojturve” në Vikariatin e Qytetit të Vatikanit.

Referuesi për mbrojtjen e të miturve - vijon deklarata - ka për detyrë të koordinojë dhe të verifikojë zbatimin e Udhëzimeve, "në mënyrë që brenda Vikariatit, bashkësia të respektojë dhe të ndërgjegjësohet gjithnjë për të drejtat dhe nevojat e të miturve, që të parandalohet çdo formë dhune apo abuzimi, veçanërisht falë veprimtarive të formimit të veprimtarëve baritorë”. Përveç kësaj, referuesi, duke shfrytëzuar mbështetjen profesionale të Shërbimit të Shoqërimit, drejtuar nga Drejtoria e Shëndetit dhe Higjienës së Guvernatoratit dhe nga Zyra e Punës e Selisë Apostolike, nëse është e nevojshme, "do të ketë kujdes të veçantë për t’i  mirëpritur dhe për t’i shoqëruar ata, që pretendojnë se kanë qenë viktima të shfrytëzimit, shpërdorimit seksual ose keqtrajtimit, si dhe anëtarët e familjes së tyre”.

Jetëshkrimi i Atit Sabbarese

At Sabbarese, i lindur në Salerno më 7 dhjetor 1962, u shugurua meshtar më 5 gusht 1989. Aktualisht kryen këto detyra: vikar gjyqësor i Gjykatës Kishtare të Qytetit të Vatikanit (i emëruar nga Papa shtatorin e kaluar), prokuror i përgjithshëm i Kongregatës Skalabriniane; dekan i Fakultetit të së Drejtës Kanonike në Universitetin Papnor Urbanian; këshilltar në Dikasteret për Ungjillëzimin dhe për Kishat Lindore, sekretar ligjor i Gjykatës së Lartë të Segnaturës Apostolike.

08 shkurt 2023, 16:30