Ukraina, Selia e Shenjtë gati për një nismë paqeje: por duhen bisedimet
R. SH. - Vatikan
"Selia e Shenjtë duhet të jetë e gatshme, duhet të jetë gati “për t'i vënë në dispozicion të të gjithëve shërbimet e saj të mira, siç kërkon Papa, por "tani për tani ambiciet e palëve ndërluftuese nuk përkojnë me nismën e madhe të paqes". "Shpresojmë se do ta arrijmë këtë pikë në të ardhmen e afërt" - pohoi imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, në një bisedë me gazetarët gjatë konferencës titulluar "Lufta në Ukrainë dhe profecia për paqen'”, organizuar nga Lëvizja “Bashkim e Çlirim”, mbajtur dje pasdite pranë Universitetit Papnor Urbanian. Palët flasin gjithnjë “për rolin e Selisë së Shenjtë”, por për të siguruar një paqe të drejtë duhen negociatat! E duhet kujtuar edhe se, me sa duket, palët nuk janë ende gati, apo se flasin një gjuhë, që nuk mund t’i pranojë propozimet e të tjerëve. Jemi ende në një situatë konflikti, lufte dhe kjo është gjuha që flitet sot!”.
Duhet krijuar kultura e re e paqes
Kryeipeshkvi përsëriti se Selia e Shenjtë është gati "të bisedojë, të diskutojë, të takojë njerëz në Vatikan, të presë vizita nga ambasadorët", por se tani për tani nuk ka shumë për të pritur, "mbasi klima e konfliktit nuk është shumë e përshtatshme". Papa - përsëriti imzot Gallagher - "flet vazhdimisht për luftën" dhe për atë që duhet bërë. E çka duhet bërë është "të krijohet kultura e re e paqes si dhe strukturat që mund ta promovojnë atë në Evropë".
Situatë e rëndë për Ukrainën, Evropën, botën
Një Evropë - nënvizoi ai - e cila ndoshta u mësua paksa të mos përfshihej në këto ngjarje: “Gjithmonë kemi menduar se lufta është e pamundur në Evropë, tani mësuam se jemi qenie të varfëra njerëzore, si gjithë të tjerët”. “Nuk ka asnjë pjesë të botës, ku nuk ka ndikuar kjo luftë” prandaj institucionet dhe grupet e njerëzve ftohen të mendojnë jashtë skemave, për të gjetur një zgjidhje. "Asgjë nuk duhet të përjashtohet", sepse "situata është kaq serioze, jo vetëm për Ukrainën në veçanti dhe për të gjithë Evropën, por edhe për mbarë botën". E për më tepër “ne duhet të vazhdojmë të lutemi, sepse ndoshta vetëm ndihma hyjnore do të na shpëtojë nga kjo situatë”.
Papa Françesku tani për tani nuk do të shkojë në Kiev
Në këtë fazë - pohoi sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, Françesku nuk do të shkojë në Kiev. “Papa e ka gjithnjë parasysh ftesën, por mendoj se dëshiron ta bëjë këtë vizitë në çastin më të përshtatshëm, që me sa duket, tani për tani nuk është”, siç e dëshmoi edhe çka ndodhi gjatë Krishtlindjes ortodokse “kur qe e pamundur t’i bindje njerëzit për vlerën e armëpushimit". Përsa i përket marrëdhënieve me Rusinë, Imzot Gallagher ritheksoi se ka kontakte vetëm me ambasadën pranë Selisë së Shenjtë dhe jo me personalitete apo grupe të tjera kundër luftës. “Populli i Rusisë besoj se mbështet politikën e qeverisë së tij. Pastaj nëse është i mirëinformuar apo jo, kjo është çështje tjetër…”, komentoi. “Ka nga ata që për arsye të ndryshme nuk e pranojnë këtë politikë, të rinj që u larguan për në Gjeorgji pas mobilizimit, ka edhe nga ata që u burgosën për shkak të opinioneve të tyre”, por në Rusi, në këtë çast, “nuk duket se ka lëvizje masive”.
E drejta për një mbrojtje të drejtë proporcionale
Në ditët e fundit në Ukrainë mbërritën armët e reja aleate. "Kemi thënë gjithnjë se Ukraina duhet të ketë mbrojtje të drejtë", që "duhet të jetë mbrojtje proporcionale.“Armatimet kanë një kosto të jashtëzakonshme”, por “ajo që ne nuk duam dhe mendoj se askush nuk e dëshiron, është se kjo mund të shërbejë si arsye për përshkallëzimin e konfliktit”. Ndërsa duam që të jetë arsye për të rikthyer paqen dhe për t’i ndihmuar të gjitha palët ta kuptojnë seriozitetin e situatës”, sepse, siç pohoi Ipeshkvi gjatë fjalimit të tij të mëparshëm në konferencë, “ne nuk duhet të biem në rrezikun e varësisë dhe indiferencës përballë vdekjeve të shumta të civilëve dhe rrënimit të mjediseve urbane dhe natyrore”.
Gara e armatimeve
Në fjalën e tij, Imzot Gallagher kujtoi se ishte i shqetësuar për përshpejtimin e riarmatimit, që shihet qartë. Në vitin 2021, për herë të parë shpenzimet ushtarake botërore kaluan dy trilion dollarë, vlerë dyfish më e madhe se ajo e vitit 2000 dhe dukshëm më e lartë se ajo e Luftës së Ftohtë. 2.2% e pasurisë botërore shpenzohet për përgatitje ushtarake e kjo, pa marrë parasysh se ekonomia e planetit është tkurrur me 3.1%. "Bëhet fjalë për burime" - tha Imzot Gallagher - "të cilat u hiqen në mënyrë të pashmangshme investimeve, që synojnë promovimin e punës, kujdesin mjekësor, luftën kundër urisë, zhvillimin", e u shtohen "kërcënimeve për sigurinë e shekullit të 21-të, siç është varfëria, problematika e mjedisit, terrorizmi, konfliktet asimetrike, apo fenomene të tilla si pandemia dhe mbingrohja globale”.
Tarquinius: Kisha është zëri i vetëm autoritar për paqen
"Do të mjaftonte 10% e asaj që përdoret për t'u armatosur, për t'i dhënë fund urisë në botë" - përsëriti drejtori i gazetës “Avvenire” Marco Tarquinio në një fjalim tjetër, duke përsëritur sesi gjatë pandemisë, bota shpenzoi për armët të njëjtën sasi parash, që shpenzohet për shëndetësi dhe shumë më tepër sesa u caktua për arsim. Gjatë këtij dimri të tmerrshëm konflikti, Tarquinius përsëriti se Kisha është i vetmi zë "i lartë, i fortë dhe bindës" që flet për paqen, në një botë ku të gjitha luftërat, që nga viti 1945, përfunduan me tensione edhe më të mëdha dhe ku, përveç Ukrainës, janë edhe 160 konflikte të tjera të hapura, si në Siri e në Jemen.
Prosperi: Duket e pamundur të flasim për paqen, por nuk duhet ta humbasim shpresën
Në këtë kuptim, duket gjithnjë e më e nevojshme ta shoqërojmë Papën "në profecinë për paqen", siç deklaroi ai më 15 tetorin e kaluar, kur priti në audiencë anëtarët e Lëvizjes Katolike “Bashkim e Çlirim” dhe kur pohoi se trembej nga "një botë gjithnjë më e dhunshme dhe më luftarake”. “Sot duket e pamundur të flitet për paqen” - nënvizoi sërish Davide Prosperi, kryetar i Lëvizjes “Bashkim dhe Çlirim” - por duhet të punojmë duke pasur parasysh atë që tashmë ka ndodhur posaçërisht në Evropë. Duhet një kërkim i palodhur për paqen - përsëriti ai – si ai që e frymëzoi Lëvizjen Bashkim dhe Çlirim për nisiativa të tilla, si projekte për të mirëpritur refugjatët në familje, ndihmë arsimore dhe psikosociale për fëmijët e mbetur në Ukrainë ose projekti ndërkombëtar "spitalet e hapura" në Siri. Detyra jonë si të krishterë - shtoi Prosperi - është që në punën tonë të përditshme të dëshmojmë se ndërton vetëm shpresa”, sepse, siç na mësoi Atë Giussani, “shpresa është siguri për të ardhmen, falë realitetit të pranishëm, që është Krishti”.