Kërko

2023.01.23 SINODO - VEGLIA PREGHIERA ECUMENICA - SALA STAMPA 2023.01.23 SINODO - VEGLIA PREGHIERA ECUMENICA - SALA STAMPA

Sinodi, mbrëmësorja ekumenike, më 30 shtator: lutje për unitet në Kishë

U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, nisma "Së bashku - Mbledhja e Popullit të Zotit" në kuadrin e Asamblesë sinodale të tetorit. E hapur për të gjithë, posaçërisht për të rinjtë, do të zhvillohet në Sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, në praninë e Papës Françesku dhe të përfaqësuesve të kishave të ndryshme dhe do të gjallërohet nga Bashkësia Tezésë. Hollerich: “Nuk më trembin tensionet në Kishë; duke dëgjuar Shpirtin Shenjt, do të jemi në gjendje të jetojmë një pranverë të re”

R.SH. / Vatikan

"Nuk më shqetësojnë mendimet e ndryshme brenda Kishës, janë absolutisht normale. Sinodi për natyrën e vet, nuk është përçarës. Duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin për të dalluar çka dëshiron Zoti për popullin e tij. Prandaj jam i bindur se ne mund të përparojnë mirë së bashku”. Kështu mendon Kardinali Jean-Claude Hollerich S.J., Relator i Përgjithshëm i Asamblesë së Zakonshme XVI të Sinodit të Ipeshkvijve, me rastin e së cilës, më 30 shtatorin e ardhshëm, do të ketë lutje në stil ekumenik në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë, në prani të Papës Françesku dhe të përfaqësuesve të kishave të ndryshme.

Nisma, e hapur për të gjithë, e promovuar dhe e gjallëruar nga Bashkësia e Tezésë, titullohet "Së bashku - Mbledhja e Popullit të Zotit" dhe organizohet nga Dioqeza e Romës, në bashkëpunim me Sekretariatin e Përgjithshëm të Sinodit, Dikasterin për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, Dikasterin për Laikët, Familjen dhe Jetën, si si dhe rreth pesëdhjetë shoqata kishtare dhe ekumenike. U paraqit sot në mëngjes në Sallën e shtypit të Vatikanit.

Lutje së bashku, si vëllezër dhe motra në Krishtin

Sinodaliteti në vetvete nuk është diçka e re. Është vazhdimësi e përvojës së filluar nga vetë apostujt. Tani, risia është lutja së bashku, të vetëdijshëm se të gjithë jemi pagëzuar në Krishtin. Ky është koncepti kyç që doli në paraqitjen e vigjiljes ekumenike, në të cilën do të marrin pjesë të rinj të moshës 18 deri në 35 vjeç nga vende të ndryshme evropiane dhe nga të gjitha traditat e krishtera, të ftuar, për të kaluar bashkërisht disa çaste, në javën e fundit të shtatorit. Mikpritja do të bëhet nga famullitë dhe bashkësitë e Romës. Për këto brezni të reja katolikësh është ngjarje e menduar edhe për t'u jetuar në vazhdimësi me Ditën Botërore të Rinisë, në Lisbonë. Pas natës së lutjes, ipeshkvijtë dhe pjesëmarrësit në Sinod, do të jetojnë tri ditë ushtrimesh shpirtërore pranë kryeqytetit, të udhëhequr nga teologu Timothy Radcliffe.

Fra Alois: ndalesë, për të kremtuar unitetin dhe për të kërkuar paqen

Eprori i Bashkësisë së Tezésë, fra Alois, propozoi që në tetor 2023, të ketë një kohe pushimi, frymëmarrjeje, heshtjeje për t'iu kushtuar kremtimit të atij "uniteti ende të pakryer, por të njëmendtë" në Krishtin. Edhe kur çështjet teologjike mbeten të pazgjidhura - kujtoi ai - ne jemi të bashkuar dhe këtë duhet ta shikojnë të gjithë: kështu zbulojmë edhe se mund të bëhemi veprimtarë të paqes. Papa ishte entuziast për këtë, përsëriti sot rregulltari, sepse me sa duket ishte koha për këtë ide, shtoi ai. Ta tregosh unitetin, nëpërmjet ekumenizmit shpirtëror, është parakusht për të kërkuar paqen në botë. Alois nënvizoi rëndësinë e ritheksimin e dhuratës së Pagëzimit, që na lidh së bashku: "Në një klimë polarizimi shoqëror - kujtoi - ne duam të vëmë në qendër lutjen në Krishtin, që është uniteti ynë". Çka  ka më për zemër Zoti - saktësoi - janë të rinjtë e shumtë ende të çorientuar, në kërkim të rrugës shpirtërore: për ta duhet të kujdesemi, e jo vetëm për të tjerët, që tashmë janë të lidhur me fenë.

Të hapen dyert për ekumenizmin e veprimit

Kriza ekologjike dhe vaji i të varfërve: dy përparësi për t'u pasur gjithnjë para sysh! Ky këshilli i Vëllait Alois, e edhe i Kryeipeshkvit Ian Ernst, Përfaqësues Personal i Kryeipeshkvit të Canterbury-t pranë Selisë së Shenjtë dhe drejtor i Qendrës Anglikane në Romë. Ishte e tija ftesa për t’i hapur dyert për ekumenizmin e veprimit. "Ne duhet të jemi mbartës të nevojave të thella të popullit të Zotit, të dëgjojmë zërin e atyre që normalisht nuk dëgjohen. Sinodi duhet të promovojë përfshirjen dhe të mos mendojë vetëm për strukturat, por të vendosë në qendër vetë marrëdhëniet ", theksoi ai. Në këtë kuptim, Vigjilja do të jetë një lloj 'prove' për të vërtetuar se sa të aftë jemi të lutemi për njëri-tjetrin dhe të marrim mbi vete përgjegjësinë për vështirësitë e njëri-tjetrit. Sepse të ndash bashkë Fjalën e Zotit nuk është diçka abstrakte, por diçka që të forcon në jetën  e përditshme.

Sinodi ka nevojë për frymë përvujtërie dhe sinqeriteti

Pastori Christian Krieger, Kryetar i Konferencës së Kishave Evropiane dhe i Federatës Protestante Franceze kujtoi se: "Sinodi ka karakter formues, sepse është i aftë të na transformojë" duke i inkurajuar në vijim Kishat e Reformuara Italiane të marrin pjesë në takim. Ndërmjet folësve ishte edhe Khajag Barsamian, Përfaqësues i Kishës Apostolike armene pranë Selisë së Shenjtë, sipas të cilit duhet të jetë themelore që të gjithë të kërkojnë dhe të kenë frymë përvujtërie dhe sinqeriteti: "Sepse përvujtëria nuk është  formë ligështie dhe uniteti realizohet pikërisht kur asnjeri nuk është më i lartë se tjetri”.

Hollerich: tensionet pozitive në Kishë shërbejnë për ta mbajtur atë në këmbë

Sinodaliteti i gjallë në Kishë e çon Kishën drejt një pranvere të re, të një pikënisjeje të re. Për këtë është i bindur kardinali Hollerich, i cili këmbënguli shumë në faktin se "nuk ka plane të paracaktuara", se duhet të  të dëgjohet zëri i Shpirtit Shenjt. Eshtë takimi, i kuptuar si metodë bazë, ai që frymëzon zgjedhjet, shemb muret e davarit tensionet: "Kur takimi është i vërtetë,  bëhet shkollë  humanizmi. Ne e ndërtojmë identitetin tonë të krishterë në dialog. Procesi i shkëmbimit të ndërsjelltë të mendimeve na afron". Kur lexohen përmbledhjet e Konferencave të veçanta të Ipeshkvijve - vuri në dukje  kardinali jezuit  - del në pah një unitet i madh, në kundërshtim me atë që duan të theksojnë shpeshherë kundërshtarët e Kishës. Për të pasur një çadër, duhet tendosje, përndryshe çadra bie. Tendosjet 'pozitive' janë të mira. Ne nuk i duam negativet dhe shkatërrueset, ndërsa pozitivet janë të nevojshme", përfundoi.

23 janar 2023, 20:41