Sinodi: rregulla e vetme është të vihesh në dëgjim të Shpirtit Shenjt
R.SH. - Vatikan
Kushdo që do të dëshironte të dinte që tani cilat do të jenë përfundimet e Asamblesë Sinodale ose t'i impononte një axhendë Sinodit, "me synimin për të drejtuar diskutimin dhe për të ndikuar mbi rezultatet e tij", "harron logjikën që rregullon procesin sinodal: jemi të thirrur të përshkojmë një 'rrugë të përbashkët', duke u nisur nga kontributi i të gjithëve". Këtë rithekson Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit në një letër drejtuar ipeshkvijve dioqezanë dhe heparkialë, të angazhuar në fazën kontinentale të Sinodit, nënshkruar nga kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit dhe nga Kardinali Jean Claude Hollerich, Kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe referues i përgjithshëm i Sinodit.
Bashkim, pjesëmarrje, mision
Tema e caktuar nga Papa për Asamblenë e XVI të Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit - nënvizohet - "është e qartë", dhe është "për një kishë sinodale: “bashkim, pjesëmarrje, mision". “Kjo është, pra, e vetmja temë që jemi të thirrur ta thellojmë në secilën nga fazat e procesit” e edhe nëse “presim shumë nga Sinodin 2021-2024”, “nuk është detyrë e Asamblesë të merret me të gjitha çështjet, që kanë të bëjnë me jetën e Kishës”.
Duke dëgjuar njëri-tjetrin
Edhe nëse "në fazën e parë të dëgjimit", që përfshinte besimtarët dhe Kishat e veçanta, kufijtë e temës nuk ishin aq të përcaktuara, "e po aq edhe për shkak të risive të metodës dhe vështirësisë për të kuptuar e për të pohuar se “i gjithë populli shenjt i Zotit merr pjesë në detyrën profetike të Krishtit'" pati pasiguri, "kjo pasiguri u pakësua në hapat e mëtejshme",siç e tregon edhe Dokumenti i Punës për Etapën Kontinentale (DTC), i cili ndonëse nuk përbën axhendën e Asamblesë së ardhshme Sinodale, pasqyron "me besnikëri atë që del nga përmbledhjet e dërguara nga Sinodet/Këshillat e Kishave sui iuris dhe nga Konferencat e Ipeshkvijve, duke na lejuar të shohim fytyrën e një Kishe që po mësohet ta dëgjojë Shpirtin Shenjt, duke dëgjuar njëri-tjetrin", e vetmja rregull që na u dha".
Sinodaliteti është forma e Kishës
Në këtë kuptim, përmes Dokumentit të Punës për Etapën Kontinentale (DTC-së), shpresohet se në Asambletë kontinentale "zëri i Kishave të veçanta do të kumbojë përsëri, e me forcë edhe më të madhe", në një proces që është pjesë e "udhës së gjatë të pritjes së Këshillit", "ku të gjithë thirren të ushtrojnë karizmën e tyre kishtare". “Tashmë në këtë fazë të parë të procesit sinodal”, “mundëm të shohim sesi secili luajti rolin e tij, duke respektuar rolin dhe kontributin e të tjerëve. Është fjala për të vazhduar ecjen në këtë rrugë, jo duke e parë sinodalitetin thjesht si metodë të vetme, por duke e marrë atë si formë e Kishës dhe si stil për realizimin e misionit të përbashkët të ungjillëzimit”.
Grech: ipeshkvijtë, garanci për aftësinë dalluese të popullit të Zotit
Qëllimi i letrës - shpjegon kardinali Mario Grech për Vatican News - është "të falënderojë popullin e Zotit, së bashku me ipeshkvijtë e tij, për punën që po bëjnë, sepse tashmë dhanë një kontribut shumë të rëndësishëm në fazën e parë, edhe duke organizuar këtë Asamble Kontinentale, që nuk është gjë e vogël”. Më pas - shton ai - deshëm të nënvizojmë edhe "kontributin që çdo pjesëtar i popullit të Zotit duhet t'i japë Kishës. Secili, duke respektuar rolin e tij, mund të kontribuojë në këtë fazë të dëgjimit dhe të dallimit".
Sinodi, mbrëmësorja ekumenike e lutjes për unitet në Kishë, më 30 shtator
Ipeshkvijtë - shpjegon më pas kardinali - "kanë një detyrë shumë të rëndësishme, themelore për Kishën, sepse nëse Kisha është konstituivisht sinodale, duhet të themi se ajo është edhe konstituivisht hierarkike kushtetuese dhe shërbimi i ipeshkvit për dioqezën e tij është sa individual, aq edhe me vëllezërit e tij, të bashkuar me Atin e Shenjtë, siç thotë Koncili II i Vatikanit”. “Garantoj se dallueshmëria që bën populli është e saktë”, rithekson ai, dhe është “detyra jonë të lutemi edhe për ta”, sepse në ditët e sotme ata duhet të kryejnë shërbimin e tyre mes shumë vështirësive. "Ne duhet të falënderojmë Zotin që na ka dhënë shërbesën e ipeshkvit në Kishë". Shpresojmë se "gjithmonë nën drejtimin e ipeshkvijve, do të jemi në gjendje të marrim nga takimet kontinentale dokumentet, që më pas do të na shërbejnë për të përgatitur dokumentin Instrumentum laboris për asamblenë sinodale, tetorin e ardhshëm”.