Shoah: Papa, nuk duhet mohuar, të zhdukën rrënjët e urrejtjes dhe dhunës
R.SH. / Vatikan
"Kujtesa e shfarosjes së miliona njerëzve hebrenj dhe të feve të tjera nuk mund të harrohet dhe as të mohohet. Nuk mund të ketë vëllazëri pa i zhdukur më parë rrënjët e urrejtjes dhe të dhunës që nxitën tmerrin e Holokaustit. #DitaeKujtimittëHolokaustit". Kështu shkruan Papa Françesku në një tweet në faqen @Pontifex me rastin e Ditës së përkujtimit të Holokaustit.
Nuk duhet harruar kjo mizori e tmerrshme
Tmerri i një faqeje të zezë historike: duke pasur parasysh se sot kremtohet Dita e Kujtesës, ashtu si gjatë udhëtimit të tij papnor në Poloni më 2016, u kujtuar në audiencën e përgjithshme të 26 janarit 2022, kur Papa i kujtoi botës shfarosjen e miliona hebrenjve dhe të njerëzve me kombësi e fe të ndryshme dhe bëri thirrje për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor.
“Nuk duhet të përsëritet më kjo mizori e papërshkrueshme”. Papa Françesku i ndau qartë rrokjet, sikur të donte ta nguliste mirë në mendjen dhe në zemrën, sidomos të brezave të rinj, dhimbjen për të gjitha viktimat e Shoah-ut. E bëri këtë gjatë audiencës së përgjithshme të 26 janarit 2022, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës, të përvjetorit tç çlirimit të kampit Aushvic-Birkenau, simbol i asaj shfarosjeje, që përgjysmoi jetët e miliona njerëzve dhe familjeve. E duke pasur parasysh edhe gjendjen aktuale, me shenjat e kthimit të racizmit dhe të antisemitizmit, Ati i Shenjtë e ngriti zërin në thirrjen: “Është e nevojshme ta kujtojmë shfarosjen e miliona hebrenjve dhe të njerëzve me kombësi e fe të ndryshme. Nuk duhet të përsëritet më kjo mizori e papërshkrueshme”.
Thirrja për edukatorët e familjet
Papa iu drejtua të gjithëve, por në veçanti “edukatorëve dhe familjeve, që t’i ndërgjegjësojnë brezat e rinj për tmerrin e kësaj faqeje të zezë në histori”. Një paralajmërim për ta mbajtur gjallë kujtesën e këtij tmerri edhe në të ardhmen, në mënyrë që të mos zbehet kur të zhduken dëshmitarët e fundit. “Mos e harroni kurrë – kërkoi me atë rast Françesku – që të ndërtojmë një të ardhme, në të cilën dinjiteti njerëzor të mos shkelet më kurrë”.
Përqafimi i Lidies, e mbijetuar nga Aushvici
Thirrja u bë përqafim në fund të audiencës së 26 janarit 2022, kur Papa Françesku - i ulur në karrige në fund të shkallëve të Sallës Pali VI në Vatikan- përshëndeti Lidia Maksymowicz, një polake me origjinë bjelloruse, e internuar në kampin e përqendrimit Aushvic-Birkenau, në moshën 3-vjeçare, së bashku me të ëmën. Pati humbur por u gjet në moshën madhore në Rusi.
Papa e takoi për herë të dytë këtë dëshmitare të gjallë të mizorive në kampet e përqendrimit, sidomos të eksperimenteve të doktor Josef Mengele. Më 26 maj 2021, në fund të audiencës së përgjithshme në oborrin e Shën Damazit, në Vatikan, gruaja e pati përshëndetur Atin e Shenjtë, i cili, duke i habitur të gjithë, u përkul për t’i puthur numrin e shkruar në krahun e saj, që edhe pas 77 vitesh, i kujtonte akoma tmerrin e jetuar: 70072. “Puthja e Papës më dha forcë e më pajtoi me botën”, pohoi atëherë Maksymowicz në një intervistë për Vatican News, menjëherë pas audiencës. Edhe dje, Françesku e ledhatoi tatuazhin në krahun e Lidies, që i dha Atit të Shenjtë disa dhurata, përfshirë librin mbi jetën e saj “Vajza që nuk dinte të urrente”, si edhe një fotografi nga takimi me shën Gjon Palin II, për të cilin ka devocion të veçantë.
“Tragjedi e jashtëzakonshme”
Me rastin e Ditës së Kujtimit, Papa e kujtoi tragjedinë e jashtëzakonshme të Shoah-ut në shumë raste, duke thënë: “Indiferenca nuk është e pranueshme, ndërsa kujtesa është detyrë”. Ai i ftoi besimtarët të luten “duke thënë secili në zemër të vet: kurrë më”.
Heshtje në terrin njerëzor të Aushvicit
Pikërisht ajo “kurrë më”, në një heshtje, që fliste më shumë se çdo fjalë, doli në pah qartë nga gjestet e Papës dhe nga hapat e tij të dhimbshme në kampin e Aushvic-Birkenaut, gjatë shtegtimit në Poloni, në vitin 2016. Nga goja e Atit të Shenjtë Bergoglio me atë rast nuk doli asnjë fjalë, por folën për të lutjet para murit të ekzekutimeve e në qelinë ku kaloi çastet e fundit të jetës Shën Maksimilian Kolbe, përqafimet me të mbijetuarit dhe ecja kokulur ndërmjet memorialeve prej mermeri. E lutjen, që ndiente në shpirt, e la të shkruar në spanjisht në Librin e Nderit të kampit të shfarosjes:
O Zot, ki mëshirë për popullin tënd. O Zot, na fal për këtë mizori kaq të madhe!”