Kërko

Internimi i hebrenjve  gjatë luftës botërore Internimi i hebrenjve gjatë luftës botërore 

Selia e Shenjtë: Holokausti duhet kujtuar, që të mos përsëritet

Nuk duhen harruar mizoritë e kryera nga nazistët në dëm të miliona hebrenjve, të cilëve iu mohua çdo dinjitet njerëzor. Këtë rikujtoi vëzhguesi i Vatikanit pranë OSBE-së, në prag të 27 janarit, Ditës së Kujtimit. Imzot Urbańczyk ripohoi dënimin e padiskutueshëm të të gjitha formave të antisemitizmit dhe rëndësinë e përfshirjes së breznive të reja në luftën kundër urrejtjes dhe indiferencës.

R. SH. - Vatikan

Më 27 janar kremtohet Dita e Kujtimit të tmerreve naziste! E mendimi  rikthehet në vitin 1945 kur, në fund të Luftës II Botërore, bota zbuloi një nga faqet më të zeza të historisë së vet. Atë ditë, 78 vjet më parë, ushtria sovjetike hyri në kampin e shfarosjes të Aushvicit dhe preku me dorë tmerrin e tërbimit nazist me të gjithë brutalitetin e tij rrëqethës. Gati-gati të pabesueshëm. Të tmerrshëm edhe në ëndrrat më të frikshme!  

Detyrën e përkujtimit e theksoi sot vendosmërisht imzot Janus S. Urbańczyk, gjatë fjalimit të mbajtur në takimin e Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE-së), me seli në Vjenë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Kujtesës. Duhet kujtuar  - theksoi - “nëse dëshirojmë që dinjiteti njerëzor të mos shkelet kurrë më".

Ditë, që të kujton krime të tmerrshme kundër njerëzimit

Në veçanti në këtë ditë - pohoi -  kujtojmë “mizoritë e papërshkrueshme të Holokaustit, dëbimin e planifikuar, asgjësimin dhe shfarosjen e popullit hebre. Kujtojmë mijëra e mijëra njerëz të vrarë nga makina brutale e persekutimit nazist, viktima të krimeve më të tmerrshme kundër njerëzimit të stërmunduar, të shpërfillur, të trajtuar si t’i mungonte çdo dinjitet e si të mos ishte bashkësi njerëzore”.

Të kujtojmë, që mizori të tilla të mos harrohen e as të mohohen

Papa Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme, duke folur për Ditën e Përkujtimit, nënvizoi:

“Nuk mund të harrohet shfarosja e miliona njerëzve, e hebrenjve dhe e njerëzve të besimeve të tjera, nuk mund  as të harrohet dhe as të mohohet. E nuk mund të ketë angazhim të vazhdueshëm për ndërtimin e vëllazërisë së bashku, pa i zhdukur më parë rrënjët e urrejtjes dhe të dhunës që nxitën tmerrin e Holokaustit- shfarosjes së njerëzve”.

E, duke kujtuar këto fjalë, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë, përsëriti se "këto mizori nuk duhet të harrohen, nëse duam të ndërtojmë një ardhmëri në të cilën dinjiteti njerëzor nuk do të shkelet  kurrë më", por do të bëhet gjithnjë më i fortë në dënimin e çdo përpjekjeje për t’i ringjallur".

Duhet luftuar kundër indiferencës, që paralizon

Ka shumë rëndësi t'u transmetohet të rinjve kujtesa e së kaluarës e të përfshihen "në luftën kundër urrejtjes dhe diskriminimit". Siç vërejti edhe  Papa, Kryeipeshkvi Urbanczyk nënvizoi se nuk mjafton mospranimi i së keqes. “E mira e përbashkët duhet ndërtuar së bashku". E kjo nuk është detyrë e lehtë, mbasi në gjirin e shoqërive të sotme ka ende njerëz, që vazhdojnë t’i ushqejnë urrejtjet, dhunën dhe përbuzjen e kahmotshme për dinjitetin njerëzor. Prandaj është e nevojshme vigjilenca e përhershme, duke kujtuar se e keqja për t’u luftuar nuk është vetëm urrejtja, por mbi të gjitha "indiferenca, që të paralizon". Për këtë arsye, sipas Vëzhguesit të Përhershëm, njëheresh me viktimat, është mirë të kujtohen edhe ata, që u përpoqën t'i mbrojnë, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre dhe t’i kundërshtojnë "mizoritë që i rrethonin".

Dënim i çdo forme të antisemitizmit

Deklarata e Kryeipeshkvit Urbanczyk përfundon duke ripohuar se Selia e Shenjtë “i dënon pa asnjë ngurrim format e vjetra dhe të reja të antisemitizmit", ndërsa vlerëson lart kujtimin e viktimave si dhe “edukimin me vetëdijen se të gjithë kemi dinjitet të barabartë" dhe se duhet të angazhohemi të gjithë njëlloj "për paqen, respektin reciprok, mbrojtjen e jetës dhe të lirisë fetare".

27 janar 2023, 11:51