Ratzinger: "Zoti përjashton çdo dhunë"
R.SH. / Vatikan
Data 12 nëntor 2001. Ishim në Pallatin e Kongregatës se Vatikanit për Doktrinën e Fesë për një intervistë me Prefektin e atëhershëm, Kardinalin Joseph Ratzinger, burrin me sy tejet të gjallë, me buzë në gaz, si na kish mësuar gjithmonë, me mënyrën e matur dhe gatishmërinë për të folur pa shumë skema të paracaktuara. Rasti ishte botimi në Itali, dy muaj më parë, i librit-intervistë "Zoti dhe bota. Të jesh i krishterë në mijëvjeçarin e ri", shkruar në bisedë me gazetarin Peter Seewald. Ishte bisedë e pasur me një mori argumentesh, që prekte tema nga më të ndryshmet, duke përfshirë dy fjalë edhe për origjinën e tij modeste në qytetin e vogël, në Bavari, ku na tha se ndihej vërtet në shtëpi të vet.
Dëgjoni intervistën e plotë të arkivit me Joseph Ratzinger
Ndihem njeri i thjeshtë
Intervista nisi me kujtimin e prindërve, që i ushqyen dëshirën për t’i bërë mirë tjetrit. Na e tha këtë me mirësinë e tij proverbiale - të njëjtën mirësi për të cilën Papa Françesku këmbënguli aq shumë në predikimin e Te Deum - duke pranuar se në atë kohë më shumë se kardinal, e ndjente veten "njeri i thjeshtë".
"Zoti është dashuri”, çelësi i papnisë
Përballë shkandujve dhe karrierizmit kishtar, vijoi të bëjë thirrje për kthesë, pendesë e përvujtëri, duke propozuar një Kishë të çliruar nga privilegjet materiale e politike , vërtet të hapur për botën!
Zoti është dashuri, që arrin të pranojë kryqin për ne
Libri-intervistë “Zoti dhe bota” u publikua në Itali pas sulmeve terroriste mbi kullat binjake në Nju Jork. Biseda jonë ishte kështu një mundësi për t'u kthyer te një temë themelore, që ai do të kishte dashur ta përfshinte më mirë në tekst, të cilën e shpjegoi para mikrofonëve tanë. Ishte pikërisht “problemi i shpërdorimit të emrit të Zotit, në emër të një feje të politizuar të nënshtruar ndaj pushtetit, e që bëhet faktor pushteti”. Kardinali më pas shpjegoi se po ta sodisim fytyrën e Krishtit, do të vërejmë se kjo është fytyra e një Zoti që "vuan për ne dhe nuk përdor gjithëpushtetin për të rregulluar me grusht shteti, realitetet e botës, por hyn në zemrën tonë me një dashuri, që e bën të vritet për ne”.
Zoti e përjashton çdo tip dhune
Nëse e shikojmë Krishtin, "kemi vizionin e një Zoti, që e përjashton çdo lloj dhune", thoshte. Fjalë që sot, në Ditën Botërore të Paqes, nuk mund të mos tingëllojnë me aktualitet të jashtëzakonshëm. Premisa të nevojshme për fjalë të tjera, që tingëllojnë tejet profetike, po të vëresh konfliktin, që muajt e fundit po copëton zemrën e Evropës. Prefekti i atëhershëm i Sant’ Uffizio-s, i ftuar për të sqaruar termat e konceptit të "luftës së drejtë", ripohoi atë që përmban Katekizmi i Kishës Katolike dhe shtoi: "Mendoj se tradita e krishterë në këtë pikë jep përgjigje, që duhen përditësuar mbi bazën e mundësive të reja të shkatërrimit, rreziqeve të reja”.
Njeriu ka dëshirë për një jetë të përtejme të ëmbël
"Zoti jo, feja po": një nga parullat për të cilat flitet në librin e shkruar me Seewald, në të cilin Ratzinger shpjegon sesi njeriu nga njëra anë ka dëshirën e natyrshme për të jetuar pambarimin, "jetën e amshuar, që i jep ëmbëlsi”, nga ana tjetër i dorëzohet lehtësisht “një lloj mistike anonime” e cila i krijon mundësi të marrë frymë sadopak lirisht, gjë që kërkon impenjim personal. Pa një përgjigje individuale, nënvizon, njeriu mbetet në atë, që e quajti zgjerim i vetvetes, por që është “punë boshe”, sepse e shtyn të mbyllet “në burgun e vetvetes”.
Nuk mund të luhet me Zotin!
Ratzinger specifikoi rrezikun e krijimit të një Zoti sipas nevojave tona e sipas figurës sonë: "Po Zoti nuk mund të manipulohet sipas ideve apo dëshirave të mia" - kjo ishte diçka që ai e thoshte shpesh, duke pasur parasysh rolin që luante asokohe. Një rol - të mbronte të vërtetën e Krishtit me besnikëri absolute ndaj Shkrimeve, por në mishërimin e kohës së tanishme – çuar përpara gjatë më se njëzet vjetëve (nga 1981 deri në 2005) të cilin ai e konsideroi "detyrë e vështirë edhe sepse koncepti i autoritetit pothuajse nuk ekziston më. Që një autoritet të mund të vendosë diçka, duket tashmë gjë e papajtueshme me lirinë e secilit, për të bërë çka dëshiron e çka ndjen”.
Kisha është themeli mbi të cilin mund të jetohet dhe të vdiset
“Kërkohet thjeshtësimi i vizionit të botës”: Zot i konsideruar si mit, si personalitet i madh njerëzor, Zot mizor...”. Kardinali Ratzinger e dinte fare mirë sa ‘profesion i pakëndshëm’ ishte ai që kish zgjedhur e sa "reagime negative" mund të krijonte. Kushdo që ka për detyrë “të mbrojë identitetin e fesë katolike nga këto rryma, mund të duket si kundërshtar i lirisë së mendimit - vërente – gjë që mund të shikohet si shtypje e mendimit të lirë”. Megjithatë, ai fliste me shumë njerëz, të cilët shprehnin mirënjohjen e tyre, me bindjen "se Kisha Katolike mbetet një forcë që shpreh besimin katolik dhe siguron themelin, mbi të cilin mund të jetosh e të vdesësh. Dhe kjo - shtoi ai – për mua është gjëja më ngushëlluese, më e këndshme". Të shoh kaq shumë njerëz mirënjohës për zërin e Kishës, e cila “pa dhunë” kërkon t'u përgjigjet sfidave të mëdha të kohës sonë.
“Asaj Kishe së cilës, si Papë e më pas si Papë Nderi, i shërbeu si shërbëtor i përvuajtur deri në fund të fundit”.