Kërko

Përurimi i Vitit Juridik të Gjykatës Rota Romana Përurimi i Vitit Juridik të Gjykatës Rota Romana 

Françesku: dashuria për gjithë jetën nuk është utopi, Zoti e ka shtëpinë e vet në familje!

Me rastin e fillimit të Vitit Gjyqësor, Papa Françesku priti në audiencë anëtarët e Gjykatës Rota Romana, duke u propozuar një reflektim kushtuar martesës. Lidhja e bashkëshortëve është dhuratë që vjen nga Zoti e në këtë dhuratë mund të gjindet edhe kuptimi i lidhjes, kur duket kriza.

R. SH. - Vatikan

Ndjehet fort sot, në Kishë dhe në botë, nevoja "për të rizbuluar kuptimin dhe vlerën e bashkimit bashkëshortor të një burri me një grua, mbi të cilin themelohet familja". Me këto fjalë nis fjalimi që Papa Françesku i drejtoi Kolegjit të Prelatëve të Gjykatës së Rotës Romake, të cilët i priti sot në Sallën Klementine së bashku me dekanin e Gjykatës, Imzot Alejandro Arellano Cedillo. Rasti ishte përurimi i Vitit Gjyqësor të Gjykatës, që merret posaçërisht me proceset, të cilat kanë të bëjnë me martesën.

 Dashuria bashkëshortore, mister i madh

Për Kishën, shërbimi ndaj familjes është një nga detyrat themelore. Papa Françesku pohon se Ungjilli "e ndriçon dhe e mbështet atë 'mister të madh' që është dashuria bashkëshortore dhe familjare". Duke kujtuar, më pas, disa fragmente ungjillore, në të cilat Jezusi flet për bashkëshortët si për "një korp të vetëm", u ndalua posaçërisht tek Shën Pali II, që e quan lidhjen martesore "mister i madh", në lidhje me marrëdhëniet ndërmjet Krishtit dhe Kishës. E, më pas, edhe tek Shën Gjon Palin II, i cili na kujton se Krishti, në kremtimin e sakramentit të martesës, i dhuron burrit dhe gruas "një zemër të re" në mënyrë që ata ta "jetojnë dashurinë e plotë dhe përfundimtare të Krishtit". Papa vëren:

“Martesa, sipas Zbulesës së krishterë, nuk është ceremoni as ngjarje shoqërore e as formalitet; nuk është as ideal abstrakt: është një realitet konkret, jo "formë e thjeshtë kënaqësie emocionale, që mund të krijohet në mënyra të ndryshme dhe të modifikohet sipas dëshirës së secilit".

Zoti, autor i martesës                          

Françesku pohoi në vijim se është mirë të pyesim sesi mund të realizohet plotësisht bashkimi besnik dhe i përjetshëm ndërmjet dy bashkëshortëve, duke pasur parasysh ligështinë njerëzore. Përgjigjen e gjejmë gjithnjë në Ungjill, kur Jezusi thotë: "Njeriu nuk duhet ta ndajë, atë që e bashkoi Zoti”. Papa citoi edhe Gaudium et spes që na kujton se: "Vetë Zoti është autori i martesës" dhe vazhdoi:

“Bashkëshortët i japin jetë bashkimit të tyre, me miratim të lirë, por vetëm Shpirti Shenjt ka fuqinë të krijojë nga një burrë dhe një grua, një  ekzistencë të vetme. Për më tepër, ‘Shëlbuesi i njerëzve dhe dhëndrri i Kishës vjen për t’i takuar bashkëshortët e krishterë nëpërmjet sakramentit të martesës’. E gjithë kjo na bën të kuptojmë se çdo martesë e vërtetë, qoftë edhe ajo josakramendore, është dhanti e Zotit për bashkëshortët. Martesa është gjithmonë dhuratë!”.

Shtëpia e Zotit është në familje

Për shumëkënd, besnikëria martesore është utopi, me bindjen se "martesa zgjat për aq kohë, sa zgjat edhe dashuria", thekson Papa. E në vijim pyesin veten për çfarë lloj dashurie po flasim. Shpesh – vëren -  dashuria e bashkëshortëve ngatërrohet me ndjenjat apo me interesin vetjak, ndërsa dashuria martesore - vijoi - “është e pandashme nga vetë martesa, në të cilën dashuria njerëzore, e brishtë dhe e kufizuar, takohet me dashurinë hyjnore, gjithmonë besnike dhe të mëshirshme”. “Por a mund ta gjejmë dashurinë që dëshirojmë?” - pyeti përsëri Papa Françesku - Në zemër të mesazhit të Jezusit – vijoi - është urdhërimi i ri "duajeni njëri-tjetrin!", prandaj ky urdhërim mund të zbatohet edhe për dashurinë bashkëshortore, sepse edhe ajo është dhuratë nga Zoti", e mbështetur në hirin e Zotit. Dashuria ndërmjet burrit dhe gruas - vijoi Papa - ka nevojë vazhdimisht për mirëkuptim dhe falje reciproke, “nuk duhet idealizuar sikur të ekzistonte vetëm aty ku nuk ka probleme”:

“Plani i Zotit, duke qenë se u la në duart tona, realizohet gjithmonë në mënyrë të papërsosur, e megjithatë “prania e Zotit banon në familjen reale dhe konkrete, me të gjitha vuajtjet, betejat, gëzimet dhe hidhërimet e saj të përditshme. (…) Përshpirtshmëria e dashurisë familjare përbëhet nga mijëra gjeste reale dhe konkrete. E Zoti banon pikërisht në këtë shumëllojshmëri dhuratash dhe takimesh, përmes të cilave bashkimi fiton pjekurinë”.

Lidhja e bashkëshortëve është bërthama e martesës

Françesku shqiptoi më pas fjalën lidhje, e cila ndonjëherë ngjall dyshime, për të pohuar më pas se realiteti i martesës duhet të rizbulohet jo si ‘imponim i jashtëm’, ​​por si ‘lidhje dashurie’, si dhuratë nga Zoti e si  ‘burim i lirisë së vërtetë’, për të vazhduar, duke propozuar një fragment nga Nxitja Apostolike “Amoris laetitia”:

“Në këtë kuptim, ‘baritoria paramartesore dhe baritoria martesore duhet të jenë para së gjithash baritori e lidhjes, me elementë që ndihmojnë si për  pjekurinë e dashurisë, ashtu edhe për kapërcimin e çasteve të vështira. Ky kontribut nuk është thjesht bindje doktrinore, as nuk mund të reduktohet në burimet e çmuara shpirtërore, që Kisha i ofron gjithmonë, por duhet të jetë edhe shteg praktik, këshillë e mishëruar mirë, strategji e nxjerrë nga përvoja, udhëzim psikologjik”.

Çiftet në krizë. Të përtërihet vetëdija e dhuratës

Është edhe një aspekt i dytë, që Papa Françesku deshi ta nxjerrë në pah, duke iu drejtuar prelatëve të Rotës Romake: martesa – kujtoi - "është gjë e mirë", "me vlerë të jashtëzakonshme për të gjithë", për Kishën dhe për shoqërinë. Nga pikëpamja e krishterë, ajo përbën rrugën drejt shenjtërisë së bashkëshortëve, “shenjtëri e jetuar në jetën e përditshme”. Por Papa nuk harron vuajtjet dhe plagët e shumë çifteve në krizë, për të cilat është i nevojshëm shoqërimi i bashkësisë së krishterë. Atëhere këshillon:

“Burimi themelor për përballimin dhe kapërcimin e krizave është përtëritja e vetëdijes për dhuratën e marrë në sakramentin e martesës, dhuratë e pakthyeshme, burim hiri, mbi të cilin mund të mbështetemi gjithmonë. Në kompleksitetin e situatave konkrete, të cilat ndonjëherë kërkojnë bashkëpunimin e shkencave njerëzore, kjo dritë mbi martesën është pjesë themelore e udhës së pajtimit”.

Papa përfundoi me një thirrje drejtuar Shpirtit Shenjt për t’i derdhur dhuratat e tij mbi të pranishmit e angazhuar në "shërbimin e së vërtetës së martesës".

27 janar 2023, 13:50