Kryeipeshkvi Imzot Pennacchio, president i ri i Akademisë Kishtare Papnore
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku emëroi presidentin e ri të Akademisë Kishtare Papnore. Është Imzot Salvatore Pennacchio, kryeipeshkëv titullar i Montemarano-s, deri tani nunc apostolik në Poloni. Dy ditë më parë, më 23 janar, Papa pranoi dorëheqjen nga detyra e presidentit të Akademisë, paraqitur nga Imzot Jozef Marino, i cili shfrytëzoi mundësinë e ofruar nga neni 20 i Rregullores për Përfaqësitë Papnore, që i autorizon nuncët të kërkojnë daljen në pension me plotësimin e moshës 70-vjeçare. E pikërisht më 23 janar që Imzot Marino, i lindur në 1953 në Birmingham (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), mbushi 70 vjeç.
Akademia Kishtare Papnore kujdeset për përgatitjen e meshtarëve, që do të kryejnë shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë pranë nunciaturave të ndryshme ose pranë Sekretarisë së Shtetit.
Imzot Pennacchio, që nga viti 1976 meshtar për dioqezën e Aversës, pasi ndoqi Akademinë Kishtare Papnore dhe mori doktoratën në filozofi, hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë më 15 prill 1979, duke shërbyer në nunciaturat apostolike në Panama, Australi, Turqi, Egjipt, Jugosllavi dhe Irlandë.
Më 28 nëntor 1998 u emërua kryeipeshkëv titullar i Montemarano-s dhe nunc i Ruandës nga Gjon Pali II. Më 20 shtator 2003 ishte nunc në Kamboxhia, Singapor dhe Tajlandë si dhe delegat apostolik në Brunei, Laos, Malajzi dhe Burma. Të gjitha këto poste i la më 8 maj 2010, datë në të cilën Benedikti XVI e emëroi nunc në Indi dhe më pas, nga viti 2010, në Nepal. Françesku, në vitin 2016, e emëroi përfaqësuesin e tij në Poloni. Detyrë që e kreu deri më sot.