Kërko

Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare , kryeipeshkvi Gallagher Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare , kryeipeshkvi Gallagher  

Kryeipeshkvi Gallagher: të mendosh të pamendueshmen për paqen në Ukrainë

Sekretari i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare përsëriti, në një konferencë të organizuar në Romë nga rrjeti i kryetarëve të UNESCO-s, kërkesën për të mos u dorëzuar përballë konflikteve të gjata dhe kërkoi një reformë nga organizatat ndërkombëtare. Diplomacia e Vatikanit ka edhe vlerën e mëshirës, shpjegoi, dhe duhet "t’i ndotë duart" për të mirën e njeriut.

R. SH. - Vatikan

Nuk mund të dorëzohemi para faktit se lufta në Ukrainë do të vazhdojë për një kohë të gjatë e, edhe pse tani për tani nuk duket se ka bazë për  bisedime të mundshme, duhet mbajtur gjallë ideali i paqes dhe ideja se kjo luftë do të përfundojë, edhe nëse nuk do të arrihet fundi, që përfytyrojnë  Zelensky a Putin. Ne duam  paqe të drejtë, por paqja duhet të vijë. E për ta bërë këtë, nëse është e nevojshme, duhet "menduar e pamendueshmja". Kështu u shpreh Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, në konferencën “Armët e diplomacisë. Dialogu ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Evropës përballë luftës”, organizuar nga rrjeti i katedrave italiane të UNESCO-s ReCui, mbajtur në Palazzo Altemps, në Romë.

Vlera e mëshirës

Diplomacia e Selisë së Shenjtë - kujtoi profesor Alberto Melloni - titullar i katedrës së UNESCO-s për pluralizmin fetar dhe paqen, në krahasim me aktorët e tjerë, ka epërsinë e veprimit pa mendime të dyta materiale.  Veçantia e saj, shtoi Kryeipeshkvi Gallagher, është se ka një vlerë më shumë, atë të mëshirës, ​​e vetmja vlerë e aftë për të copëtuar zinxhirët e urrejtjes dhe të hakmarrjes. Në këtë kuptim, Selia e Shenjtë punon për t’i sheshuar dallimet e për të mos i thelluar hendeqet, duke  e vënë gjithnjë në plan të parë njeriun, si përfitues përfundimtar i gjithçkaje. Për këtë arsye   Papa e nxit diplomacinë e tij “t’i ndotë duart" dhe të angazhohet në të gjitha mënyrat e mundshme për paqen. Paqe konkrete, në zhvillim, që t’i hapë rrugën procesit të ri mes palëve në konflikt dhe jo thjesht një fundi me fitimtarë e të mundur.

Të mos ndiqen ngjarjet, por të parandalohen konfliktet

Në këtë fazë të historisë - vijon Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet - diplomacia po i ndjek ngjarjet, por e ka humbur çka duhet të jetë themelore, pra aftësinë për t’i parandaluar konfliktet. Nuk duhet të jetë mënyrë për ndalimin e konflikteve me armëpushime të armatosura, por mjet për parandalimin e tyre. Proces që duhet të përfshijë jo vetëm liderë dhe diplomatë, por sa më shumë aktorë. Ndër këto, fetë. Një shembull i mirë është shtegtimi i ardhshëm i Papës në Kongo dhe Sudanin e Jugut, në shoqëri me Kryepeshkvin e Canterbury-t, Justin Welby.

Kriza e Kombeve të Bashkuara

Lufta në Ukrainë e nxori në pah krizën e thellë të sistemit shumëpalësh dhe të organizatave të mëdha ndërkombëtare, veçanërisht të Kombeve të Bashkuara. Pas vdekjes së një morie njerëzish - theksoi Kryeipeshkvi Gallagher - shkandulli më i madh i kësaj lufte ishte bombardimi i Kievit nga një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Guterres. Shpresohet një reformë e re për funksionimin e organizatës, që të jetë më përfaqësuese dhe të ketë parasysh nevojat e të gjithë popujve. Po kjo kërkon mbështetjen e të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe rimëkëmbjen, siç ka theksuar shpesh Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, e "shpirtit të Helsinkit". Paaftësia e OKB-së doli menjëherë në pah, gjë e pamendueshme disa vite më parë - ripohoi edhe ish-kryetari i Komisionit Evropian, Romano Prodi, i pranishëm në debat. Sipas tij, paqja mund të vijë vetëm me marrëveshjen ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

20 janar 2023, 12:30