Kërko

Kalendari i kremtimeve të Papës për janar dhe shkurt 2023

Zyra e kremtimeve liturgjike të Selisë së Shenjtë ka publikuar kalendarin e kremtimeve që kryesohen nga Papa në muajt janar-shkurt 2023.

R.SH. / Vatikan

Zyra e kremtimeve liturgjike të Selisë së Shenjtë ka publikuar kalendarin e kremtimeve që kryesohen nga Papa në muajt janar-shkurt 2023. Më 22 janar, të Dielën e Fjalës së Zotit, Papa Françesku do të kremtojë Meshën në orën 9.30 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Tre ditë më vonë, më 25 janar, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve, në Romë, në orën 17.30, Papa do të kremtojë Mbrëmësoren e Dytë të lutjeve në përfundim të Javës së Lutjes për Unitetin e të Krishterëve, në solemnitetin e konvertimit të Shën Palit Apostull.

Kujtojmë se Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2023 ka si temë një fragment nga Isaia profet: “Mësoni të bëni mirë; kërkoni drejtësi”. Tekstet udhëzuese sivjet lindën nga një projekt i Këshillit të Kishave të Minesotës, në SHBA-së. Pjesa nga Isaia u zgjodh edhe sepse profeti flet në një çast të historisë së Izraelit, kur mendohej se të pasurit, me ofertat e tyre për Zotin, ishin të bekuar, ndërsa të varfërit konsideroheshin të mallkuar. Në këtë kuadër, shkruhet në udhëzues, "Isaia përpiqet t’ia zgjojë ndërgjegjen popullit të Judesë” dhe profecitë e tij "dënojnë strukturat politike, shoqërore e fetare, si edhe hipokrizinë e ofertës së flive, ndërsa, nga ana tjetër, shtypeshin të varfërit”. Isaia e ngre lart zërin "kundër krerëve të korruptuar e në favor të të mënjanuarve, duke i kërkuar rrënjët e drejtësisë e të ligjit vetëm tek Zoti".

Udhëtimi Papës në Kongo dhe Sudanin e Jugut

Nga 31 janari deri më 5 shkurt, do të zhvillohet udhëtimi apostolik i Papës Françeskut në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Sudanin e Jugut. Në Kinshasa, kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongo, Papa do të qëndrojë nga 31 deri më 3 shkurt, kur do të niset për në Juba, kryeqytetin jugor të Sudanit.

12 janar 2023, 11:30