Kardinali Parolin në Lurdë paraqet vijat udhëheqëse të diplomacisë vatikanase
R.SH. / Vatikan
"Gazetari ose komunikuesi katolik nuk duhet të frymëzohet nga jashtë, por nga brenda, nga afërsia e tij me Jezu Krishtin". Është i bindur për këtë Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Vatikanit, i cili në predikimin e Meshës kremtuar sot në Lourdë, me rastin e Ditës së 36-të kushtuar Shën Françeskut të Sales, pajtor i gazetarëve, i nxiti këta të fundit "të jenë dëshmitarë, profetë të botës sonë, duke u nisur pikërisht nga feja e tyre, sepse: "nuk mund ta dëshmosh, çka nuk e ke jetuar!".
“Në një botë të rrafshuar, ku gjithçka duket se ka vlerë, le të kujtojmë vlerën e amshimit, vlerë e paçmuar e fesë katolike, e doktrinës dhe urtisë së pashoqe të krishterë, të cilën e kemi për detyrë ta thellojmë, ta jetojmë dhe ta ransmetojmë” – bëri thirrje Kardinali Parolin.
Prej këndej, nevoja për ta “thelluar marrëdhënien tonë personale me Krishtin”, por edhe përmbajtjen e fesë sonë, në mënyrë që të jemi në gjendje të flasim për të me bindje e saktësi. E kjo mund të realizohet padyshim nga njohja e Shkrimeve Shenjte, por edhe e mësimeve të Papës dhe e traditës së Kishës”.
“Është themelore të shpallet Ungjilli me gjithë vërtetësinë dhe tërësinë e tij: jo Ungjilli i rrjedhshëm, por i paqartë, i zbutur, i përshtatur me frymën e botës, me interesat tona personale, me kërkesat e teknikës” - kujtoi kardinali Parolin - sipas të cilit "i krishteri nuk duhet të ketë frikë të shpallë gjithë të vërtetën e Krishtit sipas kërkesave të Tij, pasi ne jemi të sigurt për veprimin e Shpirtit Shenj, që e përgatit botën për ta kuptuar dhe për ta mirëpritur". "Të flasësh në botën e sotme, nuk është gjithmonë e lehtë. Kërkon guxim - pranoi kardinali që, duke ndjekur udhëzimet e Papës, i nxiti besimtarët, "të mos kenë frikë të shkojnë kundër rrymës, të mos fundosen në mendimin e përbashkët dhe të mos i besojnë kolonizimit ideologjik". "Vërtetësia": kjo, për kardinalin Parolin, është fjala kyçe "për ta kuptuar veten në botën e sotme: tërë jeta jonë duhet të jetë vërtetësi, jo vetëm fjalët tona, por edhe sidomos, mënyra jonë e jetesës, veprimet tona".