Kardinali Koch: besimi në Jezu Krishtin mund të na ndihmojë të gjejmë unitetin
R.SH. / Vatikan
"Bëni mirë, kërkoni drejtësinë": kjo është tema e Javës së Lutjes për Unitetin e Krishterëve 2023, që nisi më 18 janar dhe do të përfundojë më 25 të muajit. Fjalët e Izaisë profet u zgjodhën nga Komisioni i Dikasterit për Nxitjen Bashkimit të të Krishterëve, së bashku me Këshillin e Kishave të Minesotës, në Shtetet e Bashkuara. E mira dhe drejtësia, shpjegon kardinali Kurt Koch, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen Bashkimit të të Krishterëve, janë të ndërlidhura dhe themelore për unitetin.
Hirësi, cila është nxitja që mund të vijë nga kjo javë, në këndvështimin katolik?
“Lajtmotivi "Mësoni të bëni mirë, kërkoni drejtësi" në Javën e lutjes për unitetin e krishterë na kujton se mirësia dhe drejtësia shkojnë krah për krah! Baza e gjithë ekumenizmit është lutja për unitet. Nuk mund të bëjmë gjë më të mirë, sesa të lutemi për unitet, sepse ne, njerëzit, nuk mund ta arrijmë vetë unitetin. Ndarjen po, mund ta bëjmë, siç tregon historia e edhe e tashmja. Uniteti është gjithnjë dhuratë e Shpirtit Shenjt dhe përgatitja më e mirë për ta marrë këtë dhuratë, është lutja. Nga ana tjetër, megjithatë, duhet të punojmë edhe për unitet, siç thotë Ati i Shenjtë, përmes tri rrugëve: të ecim së bashku, të lutemi së bashku dhe të punojmë së bashku. Duke u nisur nga kjo, duhet të rigjejmë edhe drejtësinë ndërmjet të krishterëve dhe bashkësive kishtare”.
Duke folur për drejtësinë ndërmjet të krishterëve, për fat të keq aktualisht jemi dëshmitarë të kësaj lufte të shëmtuar e cila prek, mbi të gjitha, të krishterët. Luftë e të krishterëve, kundër të krishterëve në Evropë! Si mund të kontribuojë dialogu ekumenik për paqen?
“Është me të vërtetë shumë e trishtuar të shikosh të krishterë, që vrasin të krishterë të tjerë; ortodoksë, që vrasin ortodoksë të tjerë. Kjo tregon se feja është pjesë e problemit, ndërsa duhet të ishte pjesë e zgjidhjes. Në këtë kuptim, duhet ta vazhdojmë dhe ta thellojmë dialogun. Nuk ka udhë tjetër për të gjetur paqen! Pa harruar se themeli i paqes është drejtësia, siç na e kujton motoja e këtij viti. Në një kapitull tjetër të Izaisë Profet lexojmë: "fruti i drejtësisë është paqja", “opus iustitiae pax”. E kjo ishte edhe motoja e Piut XII, shenjë e papnisë së tij. Duhet të thellohemi më shumë në këtë mesazh.
Kjo është Java e parë e lutjes për unitetin e të krishterëve pa Benediktin XVI. Çfarë trashëgimie i lë Joseph Ratzinger ekumenizmit, si Papë dhe si teolog?
“Papa Benedikti punoi shumë për unitetin e krishterë, një herë si teolog, më pas si kardinal e si papë. Dhe jo vetëm në dialogun me ortodoksët, të cilin e favorizoi shumë, por po mendoj edhe për dialogun me protestantët. Për shembull, deklarata e përbashkët mbi justifikimin, në Habsburg, në vitin 1999 ishte kontribut i madh i kardinalit Ratzinger. Ai mendonte se uniteti nuk është koncept politik kishtar, por koncept feje. Themeli i ekumenizmit, parë me sytë e Papës Benedikti, është feja, që çdo gjymtyrë e Korpit të Krishtit e merr në gurrën e pagëzimit. Papa Benedikti XVI e kishte shumë për zemër thellimin e këtij themeli të fesë në Krishtin! Mund të themi se ekumenizmi i tij ishte kristocentrik e unë kam pasur rastin të vërej se shumë përfaqësues të kishave dhe të bashkësive të tjera kishtare e kanë për zemrën këtë koncept. Ne mund ta rigjejmë unitetin pikërisht duke besuar në Jezu Krishtin”.