Atë Aldo Berardi, Vikari i ri Apostolik i Arabisë Veriore
R. SH. - Vatikan
Papa Françesku emëroi Vikar të ri Apostolik të Arabisë veriore, të nderuarin Atë Aldo Berardi, deri tani Vikar i përgjithshëm i Urdhrit të Trinisë së Shenjtë dhe të Skllevërve. Vikarati apostolik ka juridiksionin mbi besimtarët katolikë të Bahreinit, Kuvajtit, Katarit dhe Arabisë Saudite. Selia e vikariatit është qyteti Awali, në Bahrein, ku lartohet katedralja e Zojës së Arabisë. Prefektura apostolike e Kuvajtit u themelua më 29 qershor 1953, me bulën Quemadmodum dispensator të Piut XII, duke e marrë territorin nga vikarati apostolik i Arabisë. Më 2 dhjetor të vitit të mëpasëm, prefektura apostolike u ngrit në rangun e vikariatit apostolik me bulën e Papës Quandoquidem Christi. Më 31 maj 2011, vikarati apostolik zgjeroi jurisdiksionin e tij mbi Arabinë Saudite, Katarin dhe Bahreinin, subjekt i Vikariatit Apostolik të Arabisë, dhe u quajt me emrin aktual, në bazë të dekretit Bonum animarum të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Vendi ishte vakant që nga prilli 2020, pas vdekjes së ipeshkvit Camillo Ballin. Që nga 13 maji 2020, vikar aktual apostolik ishte ipeshkvi Paul Hinder, sot në Arabinë Jugore.
Jeta dhe shërbimi
I lindur në Longeville-les-Metz (Francë) më 30 shtator 1963, Atë Aldo Berardi ndoqi ciklin e parë të studimeve të filozofisë në Grand Séminaire të Villers-lès-Nancy dhe, pas një përvoje misionare në Madagaskar, hyri në “Urdhrin e Trinisë Shenjte dhe të skllevërve”, në Cerfroid (Francë). Ciklin e dytë të studimeve të teologjisë e ndoqi në Grand Séminaire, në Montreal, Québéc (Kanada) dhe më pas mori një diplomë në teologji morale, në Akademinë Alphonsiana, në Romë. Kushtet e përjetshme i bëri në Romë, më 17 dhjetor 1990. U shugurua meshtar në Ars-sur-Moselle (Francë) më 20 korrik 1991.
Pasi shërbeu në Romë, në Caritas në fillim të viteve 1990, qe drejtor i një qendre pritjeje, formimi dhe tërheqjeje në Cerfroid dhe, më pas, Kapelan Familjar i Skautëve, Veprimit Katolik dhe i një burgu psikiatrik (1992-1998). Nga viti 2000 drejtoi për 6 vjet Qendrën Saint-Bakhita për refugjatët sudanezë në Kajro, Egjipt. Më pas, nga viti 2007 deri në 2010 ishte kapelan i mërgimtarëve për Vikariatin Apostolik të Arabisë në famullinë e Zemrës së Krishtit, në Bahrein. Famullitar i Shën Aretas e Shokë Martirë, në Vikariatin Apostolik të Arabisë Veriore në vitet 1910, në vitin 2019 u emërua Vikar i Përgjithshëm i Urdhrit të Trinisë Shenjte dhe i Skllevërve, Kryetar i Sekretariatit të Përgjithshëm për Formimin dhe Përfaqësues Ligjor i Kuries së Përgjithshme, në Romë.