A jemi vërtet, ashtu si komunikojmë?
R.SH. / Vatikan
“Gjithçka që nuk dhurohet, humbet”, përsëriste shpesh Dominique Lapierre. Fjalë këto të gazetarit dhe shkrimtarit që vdiq kohët e fundit, të cilat mund të lidhen simbolikisht me Mesazhin e Françeskut për Ditën Botërore të Komunikimit, botuar të martën e kaluar. Papa na fton - edhe një herë - të jemi krijues të një komunikimi të gjithanshëm, që nuk ka të bëjë vetëm me një pjesë tonën - për qëllime të pjesshme apo interesa të veçanta - por që përfshin gjithë njeriun, gjithë qenien tonë.
Të flasësh "me zemër" nuk do të thotë t’i dorëzohesh sentimentalizmit (e as sensacionalizmit), aq në modë në ditët tona, por do të thotë të komunikosh me gjithë vetveten! Të flasësh me zemër nuk do të thotë të pushtohesh nga sentimentalizmi(a nga sensacionalizmi) në modë ndër ditët tona! Në një farë mënyre, duke marrë si shembull dëshminë e Shën Françeskut të Sales, Mesazhi na kujton se jemi, çka komunikojmë. Ose, ndoshta, kështu duhet të jemi. Kjo është arsyeja pse një nga pikat kyçe të dokumentit (mesazhi i dhjetë i Françeskut për punonjësit e komunikimit) është citimi i Shenjtit pajtor i gazetarëve - "mjafton të duash mirë, për të folut mirë" – që të kujton shprehjen agustiniane "duaj e bëj ç’të duash!”.
Për Papën, komunikimi është lëvizje. Ekziston nëse është në dalje, përndryshe është jehonë që kërcen e lodhur në një dhomë boshe. Lind nga një zemër që rreh dhe - bashkë me gjakun ndër vena – i bën të qarkullojnë edhe pritjet, dëshirat dhe ëndrrat tona. Jo rastësisht ky mesazh papnor, i përqendruar mbi “të folurit e dalë nga zemra”, vjen pas atyre të dy viteve të mëparshme, kushtuar shikimit dhe dëgjimit. Trilogji, që përqendrohet mbi tri folje, tre veprime. Ashtu siç ndodhi në predikimin e parë, pas zgjedhjes në Katedrën e Pjetrit kur, më 14 mars 2013 - në Meshën me kardinajtë në Kapelën Sistine - vuri, me tri folje: “ec, ndërto, rrëfe”, gurët kilometrikë përgjatë rrugës që duhej përshkuar për të qenë vërtet dishepuj të Jezu Krishtit. Dhjetë vjet më vonë, Françesku vëren me keqardhje se sot polarizimet dhe kundërshtimet që shpërfytyrojnë njerëzimin, e prekin edhe bashkësinë kishtare duke e penguar atë rrugë, atë ndërtim dhe atë rrëfim pa të cilin nuk i lutemi Zotit, por djallit, siç pati thënë Léon Bloy. Sa shumë polemika dhe sa kundërvënie, ndërsa ne të krishterët - na kujton Mesazhi - duhet të dimë ta ruajmë gjuhën nga e keqja për të shmangur keqkuptimet dhe mbylljet vetëvlerësuese.
Në një kohë kur ka nga ata që do të dëshironin t'ia dorëzonin edhe ndjenjat e emocionet inteligjencës artificiale, Papa na kujton se ka diçka që asnjë teknologji nuk mund ta zëvendësojë kurrë: është zemra e njeriut. Dhe ashtu si ky organ furnizon gjakun dhe mban gjallë trupin tonë, nga ana tjetër komunikimi që gurron nga zemra duhet t’i gjallërojë marrëdhëniet tona dhe të na bëjë më njerëzorë, më vëllezër me njëri-tjetrin. Kultura e takimit - e cila e shtyn Papën të niset përsëri, pas pak ditësh, drejt zemrës së Afrikës - ka nevojë për komunikim me krahë hapur. Kërkon komunikues të guximshëm dhe krijues, që dinë ta mposhtin tundimin e shprehjes "e po, gjithmonë kështu është bërë".
Në Mesazh, Françesku vëren se lëvizja e madhe e ngulitur me procesin sinodal, duhet të ndikojë edhe në mënyrën tonë të komunikimit, si të krishterë. Duke perifrazuar teologun e madh Yves Congar, duket se na inkurajon jo aq për një komunikim kishtar, sesa për një komunikim tjetër. Një komunikim që di t’i ndezë zemrat e dishepujve të sotëm, të panumërt, të Emaus-it, të cilët presin një fjalë ngushëllimi dhe shprese. në takimin me Zotin mund të marrim shtytjen për të dalë nga gjerdhet tona gjithnjë e më të ngushta dhe më pak të populluara. Që vë në lëvizje integritetin e njeriut, refuzuar çdo integralizëm i cili kërkon të na katandisë në individë të thjeshtë. Komunikim, më në fund, që nuk të gjuan me gurët që gjen në rrugë, por i shndërron këta gurë e i përdor për të ndërtuar shtëpinë e përbashkët për njerëzimin.