Kërko

2022.12.05 Mons. Domenico Sorrentino 2022.12.05 Mons. Domenico Sorrentino

Punësimi dhe ambienti: paraqitet çmimi "Ekonomi për vëllazërim"

Filloi edicioni i dytë i çmimit, që mban emrin e Shën Françeskut të Asizit dhe të Lumit Karlo Akutis. I paraqitur në Sallën Marconi të Pallatit Pio, synon të mbështesë projekte të afta për ta vënë në qendër njeriun. Ipeshkvi Sorrentino: "Etimologjia e ekonomisë na rikthen tek vëllazëria, e rëndësishme për ekonominë krijuese"

R.SH.- Vatikan

“Ndihmë konkrete për të nisur proceset ekonomike, që lindin nga poshtë me respekt për njeriun, në një atmosferë vëllazërimi, e që janë shembull për përhapjen e një ekonomie vëllazërore, njerëzore, solidare, siç uron Papa në “Economy of Francesco”. Këto janë kërkesat për të fituar çmimin ndërkombëtar "Françesku i Assisit dhe Karlo Akutis për një ekonomi vëllazërimi", krijuar nga Fondacioni Shenjtërorja e Zhveshjes e dioqezës  Assisi - Nocera Umbra - Gualdo Tadino, që do t’i dhurojë fituesit të Çmimit një ndihmë prej 50 mijë eurosh. Janë nëntë pika vlerësimi, nga besimi tek vlera e punësimit, deri te mbrojtja e mjedisit. Kërkesat duhet të dërgohen deri më 31 dhjetor 2022.

Adresa: segreteria@francescoassisicarloacutisaward.com.

Papa: ndjehet nevoja për "ekonominë e së mirës së përbashkët"

Gjatë paraqitjes së çmimit ndërkombëtar, në Sallën Marconi, në Vatikan; folën imzot Domenico Sorrentino, ipeshkëv i Asizi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino dhe i Folignos; At Giulio Albanese, misionar Combonian dhe anëtar i komisionit të vlerësimit të Çmimit; imzot Anthony Figueiredo, koordinator i Çmimit dhe disa të rinj nga projekti Farm of Francesco. Ipeshkvi i Sorrentinos, në intervistën tonë, nënvizoi se vetë etimologjia e "ekonomisë" na kujton familjen dhe, rrjedhimisht, vëllazërinë. "Ekonomia - shpjegoi ai - rrjedh nga greqishtja οἶκος (oikos), shtëpi, e kuptuar edhe si pasuri e familjes, dhe νόμος (nomos) rregull ose ligj.

Nesër – vijoi të kujtojë akoma - në Asizi do të mbahet një konferencë për çarmatimin bërthamor. Dje Papa, duke u takuar edhe një herë me një delegacion nga Seminari Rabinik i Amerikës Latine, përsëriti padinë kundër industrisë së armëve, duke kujtuar se armët e reja po provohen në Ukrainë, në kurriz të njerëzve që vdesin. Ndaj u thuhet “jo” armëve - pohoi imzot Sorrentino - E së fundi, nga ipeshkvi i Asizit, një reflektim për bekimin e Shpellës së Betlehemit dhe ndezjen e dritave të pemës së Krishtlindjes në sheshin përballë Bazilikës së Shën Françeskut, planifikuar për të enjten, më 8 dhjetor. Duke u rikthyer tek çmimi, kujtoi se “është e pamendueshme të flitet për ekonominë, pa kujtuar kujdesin për krijimin”. Ky çmim - përfundoi - ndihmon në përtëritjen e mendësisë së sotme, për të kaluar nga hedhurinat - tek një ekonomi, që dhuron jetë, nuk vret; përfshin, nuk përjashton”.

Të rinjtë janë protagonistë

“Ideja e këtij çmimi është e shkëlqyer, njeh talentet e të rinjve” - pohoi At Giulio Albanese gjatë paraqitjes së çmimit. "Në këtë kuptim - vazhdon ai - ne po ballafaqohemi me një sfidë, jo vetëm kishtare. Në kontinentin afrikan, por edhe gjetkë, të rinjtë përbëjnë shumicën e popullsisë. Në Afrikë, ndër dy qytetarë, njëri është nën moshën 18 vjeç. E nuk duhet të harrojmë kurrë se të rinjtë jo vetëm që përfaqësojnë të ardhmen, por janë edhe në të tashmen”. Për meshtarin, ky çmim "është bërë vërtet interpretues i ekologjisë integrale, të konceptuar nga Papa Françesku. Duhet ta kuptojmë - përfundon ai - se problemet, edhe në periferitë e  botës,  janë edhe tonat! Sepse askush nuk mund të shpëtojë i vetëm!”.  

Asizi: çmimi "Ekonomia e vëllazërisë" për Filipinet

Çmimi për fituesin do të jetë edhe një figure me portretin e Shën Françeskut dhe të të Lumit Carlo Acutis.

Kujtojmë se në vitin 2022 çmimi u fitua nga një grup të rinjsh filipinas, të cilit iu njoh merita e një projekti gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.  Bëhet fjalë për një grup prej 15 personash me aftësi të kufizuara nga dioqeza e Pasigut, të cilët, me ndihmën e famullisë, pranuan propozimin që të mund të përdorin mbeturinat e zëmbakëve të ujit për të prodhuar - përmes një teknologjie revolucionare - briketat e qymyrit. Për një kohë të gjatë rritja e pakontrolluar e zambakëve të ujit shkatërroi lumenjtë dhe sistemet e tjera të kullimit në qytet. Tani, bimët bëhen burim energjie dhe nuk është më e nevojshme të priten mijëra pemë për të prodhuar qymyr. Është, pra, një “ekonomi vëllazërimi” e vërtetë: me bashkëpunimin e famullisë vendase dhe dioqezës së Pasig-ut, vëllezërit me aftësi të kufizuara u përfshinë në shoqëri falë formimit profesional dhe të krishterë. Me çmim u nderua edhe "Ferma e Françeskut". E çmim iu dha edhe Institutit Serafik të Asizit me rastin e njëqind e pesëdhjetëvjetorit të institucionit, që gjithmonë është kujdesur për personat me aftësi të kufizuara.

05 dhjetor 2022, 15:49