Kërko

Papa priti Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj

Gjatë bisedimeve të përzemërta u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy palëve dhe synimi për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët. Më tej u theksua kontributi pozitiv i komunitetit katolik në shoqërinë shqiptare. Në vazhdim, biseda u fokusua në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe në disa çështje rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.

R.SH. - Vatikan

Ati i Shenjtë Françesku priti në audiencë, paraditen e sotme, 2 dhjetor 2022, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e Tij, z. Barjam Begaj i cili, më pas, u takua me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Hirësinë e Tij, kardinalin Pietro Parolin, i shoqëruar nga Imzot Miroslaw Wachowski, Nënsekretar i Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Kështu shkruan Salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë, duke njoftuar për takimin e Papës Bergoglio me presidentin shqiptar, sot, në orën 10.00.

Gjatë bisedimeve të përzemërta në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, u shpreh vlerësimi për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy palëve dhe synimi për të zhvilluar më tej bashkëpunimin në sektorë me interes të përbashkët. Më tej u theksua kontributi pozitiv i bashkësisë katolike në shoqërinë shqiptare. Në këtë kuadër, u fol për tema me interes të përbashkët, ndër të cilat, kultivimi i vlerave njerëzore, shoqërore e shpirtërore për ndërtimin e indit shoqëror. U fol për rëndësinë e bashkëjetesës paqësore, si edhe për impenjimin në favor të familjes, parë si themel  i shoqërisë, i dialogut ndërfetar e ndërkulturor.

Në vijim u kujtua vizita historike dhe e paharrueshme e Papës në Tiranë, më 21 shtator 2014.  Gjatë bisedës u përmenden Martirët e Lum të Kishës katolike të Shqipërisë, dëshmia e  tyre e jashtëzakonshme gjatë persekutimit të të krishterëve në periudhën e diktaturës komuniste, figura e Shenjtes shqiptare, Nënë Terezës, shembull e frymëzim për të gjithë shqiptarët. U  fol për rrugëtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, si edhe për disa çështje në kuadrin ndërkombëtar, në veçanti për Ukrainën, Kosovën dhe Ballkanin.

Papa me delegacionin e Presidentit Begaj
Papa me delegacionin e Presidentit Begaj

Më pas Presidenti i paraqiti Papës bashkëshorten me dy të bijtë dhe delegacionin e bashkëpunëtorëve, shoqëruar edhe nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, z. Majlinda Dodaj. Pas fotografive tradicionale për kujtim të vizitës, u shkëmbyen dhuratat.

Shkëmbimi dhuratave
Shkëmbimi dhuratave

Papa Françesku i dhuroi presidentit një medalje të papnisë, një mozaik që paraqet Shën Pjetrit Apostull me Kupolën e Bazilikës së Vatikanit, mesazhin papnor të Ditës Botërore të Paqes të firmosur nga Papa. Në shkëmbim, Presidenti Begaj i dhuroi Papës Françesku një pikturë të punuar nga Gëzim Borova, ku paraqitet një grua e re shqiptare me veshje festive, një kopje anastatike të Statuteve dhe Urdhëresave të Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit dhe një basoreliev bronzi i Darkës së Mbrame.

Shkëlqesia e Tij, zoti Bajram Begaj është presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë që vjen për vizitë te Papa.

02 dhjetor 2022, 12:52